E Hënë, 2 Nëntor 2026

Amnisti për strehimin

20/05/2005  Së fundi një tjetër projektligj për strehimin i paraqitur nga Komisioni i Ekonomisë. Kësaj radhe ‘amnisti’ për banorët që jetojnë në apartamentet e Entit Kombëtar të Banesave (EKB). Një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur dhe që shpresojmë që me drejtësi, të futë problemin në rrugën e zgjidhjes.

Shtresat dhe prioritetet

Aktualisht familjet që ndihmohen nga shteti për sigurimin e strehimit (sipas MRRTT) janë:

A - familje qiramarrëse në ish-pronë private – total 5500, nga të cilët janë trajtuar 1300;

B - familje të pastreha ish të përndjekur politik - azhornim të numrit të familjeve nuk ka, por vlerësohen në 4500, nga të cilat janë sistemuar rreth 1800;

C - familje që kanë humbur shtëpitë nga rënia e skemave piramidale – në total 2600, nga të cilat jane duke u trajtuar me kredinë greke 125 me blerje banesash nga tregu dhe priten të trajtohen edhe 900 me investime të reja…

D - kategori të prekëshme të shoqërise si: të verbër, jetimë, invalidë paraplegjikë e tetraplegjikë;

E - familje me akt-marrëveshje me organet e qeverisjes vendore.

‘Shkalla’ e strehimit

Mes mijëra familje të pastreha, përparësorë janë dhe ato të kategorisë ‘A’ - banuesit në shtëpitë e ish-pronarëve, si kategori sociale që deri tani ka përjetuar një diferencim ekstrem, sepse janë të vetmit që, për të njëjtin kontribut si gjithë të tjerët para 1992, nuk përfituan një apartament, duke iu mohuar kështu djersa dhe mundi 50-vjeçar.

Më 1993 u krye privatizimi i rreth 230 000 apartamenteve shtetërore ose gati 98% e të gjithë inventarit publik të banesave.

Sipas MRRTT ‘… privatizimi u krye pothuajse falas…’ Rrjedhimisht, të gjithë ata që privatizuan më 1993, sot janë në ‘shkallën e strehimit dhe pasurisë’ me të gjitha avantazhet si më poshtë:

1. qysh prej këtij viti, 230 mijë familje në Shqipëri nuk kanë probleme strehimi dmth., strese dhe mbajtje peng prej së kaluarës, por veç shohin përpara dhe bëjnë plane;

2. më fatmirët morën ‘falas’ dhe një dyqan, vlera e të cilit sot vlerësohet mjaft;

3. janë në gjendje të shesin atë pronë dhe me të ardhurat duke shtuar kursime të blejnë hyrje të re, toka, truall, duke u ngjitur më lart në ‘shkallën e strehimit dhe pasurisë’;

4. ta vënë si garanci për kredi bankare për ngritje biznesesh;

5. ta japin me qira;

6. ta shesin dhe të ardhurat t’i përdorin për sistemimin jashtë shtetit;

7. nuk kanë probleme pagimi kësti mujor;

8. të gjithë të ardhurat që kanë prej punës i përdorin për ekonominë e familjes dhe argëtim apo investim për të ardhmen e fëmijëve etj., përfitime që shumica e popullsisë i gëzon prej 1993;

Ca të nënës, ca të njerkës (?!)

Fatkeqësisht, 5500 familjeve që më 1992 banonin në prona private, ku i FUTI SHTETI, nuk gëzojnë avantazhet e sipërpërmendura dhe në të kundërtën janë bërë prej 13 vjetësh viktima të lojës së politikës, ligjeve diskriminuese, ofertave qesharake, manipulimit zgjedhor, presionit të pavend nga ana e pronarëve – verbal, fizik dhe gjyqësor etj.

Ndonse nuk janë njëlloj:

1. me ata që humbën në firma piramidale,

2. me ata që janë të pastrehë të rinj, si rrjedhojë e shtimit të trungut familjar,

3. me ata që u futën me forcë në banesat e EKB,

4. me ata që ndërtuan në toka të tjerëve etj.

ata përsëri trajtohen me keq se këto kategori.

Vëmendja e shtetit dhe medias çuditërisht fokusohet vetëm në kategoritë e tjera dhe kategoria ‘A’ jo vetëm nuk trajtohet me drejtësi, por vihet, në rastin e mirë, në të njëjtin thes me kategoritë e tjera, që nuk kanë dhënë dhe kontribuar si kjo kategori dhe në rastin e keq dalin prapa listës teksa vëmendja përqëndrohet me përparësi psh., te të ardhurit në periferi me legalizime, investime në infrastrukturë etj.

Kush ka përfituar prej EKB?

Sipas MRRTT, pas privatizimit të 1993 ‘… janë dhënë për strehimin nga burime të ndryshme afërsisht 10 miliardë lekë dhe janë ndërtuar ose blerë nga tregu 11 000 apartamente, ku janë strehuar 9500 familje. Rezultojnë rreth 1500 apartamente me kontrata të palidhura për arsye të ndryshme si: procese gjyqësore, zënie forcërisht, pamundësi financiare etj. Nga 9500 familje të strehuara, rreth 1300 janë familje qiramarrëse në ish-pronë private’.

Në qoftë se zbresim numrin e familjeve të persekutuara (1800) dhe atyre të kategorisë A të trajtuara (1300), i bie që afro 6400 familje, që janë trajtuar nga EKB pas 1993 të mos jenë nga kategoritë prioritare A dhe B.

Pyetjet që lindin janë:

1. Kush ka përfituar realisht prej fondeve të EKB të krijuara prej privatizimit të 1993?

2. Përse kategoritë A dhe B, ndonse prioritare, janë ende në krizë strehimi pas 13 vjetëve, ndërkohë që shoqëria ka borxh strehimin e tyre?

3. Kujt do i vlejë amnistia në strehim, kur shumë prej atyre që përfitojnë kanë marrë banesa prej EKB padrejtësisht para kategorive A dhe B?

4. Mos vallë përfitues do të jenë dhe pushtetarët e djeshëm dhe të sotëm dhe familjet e tyre që përfituan fonde prej EKB, duke lënë në harresë shtresat në nevojë?

Dy qëndrime

Për kategorinë ‘A’, ndonse fondet e krijuara pas privatizimit të 1993 ishin të mjaftueshme, sot, nën preteksin e buxhetit, ofrohen zgjidhje strehimi aspak të drejta të njëjta me kategoritë e tjera të pastreha – banesa sociale apo kredi (!?).

Rrjedhimisht, ndryshe nga 230 mijë familje, që përfituan nga privatizimi i 1993, këto familje dënohen nga shteti të jenë jashtë ‘shkallares së strehimit’.

Mjaft prej banorëve që do të përfitojnë nga amnistia në fjalë (sipas medias) i kanë zënë apartamentet me forcë, pasi janë ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave në të gjithë vendin dhe ndonse të kundraligjshëm, ata përsëri do të kenë edhe një shans për të paguar shtëpinë e tyre, ose për ta humbur atë përfundimisht.

Shumë mirë që shteti tregohet human, por përse vallë nuk tregohet i tillë me kategorinë ‘A’, që gjithnjë ka qenë në pozitat e ligjzbatuesit?

Për më tepër, aministia për ata që ‘morën pa radhë’ dhe përjashtimi dhe diskriminimi për ata që kanë 13 vjet që presin në rresht nuk dëshmon për standarde parimore vlerësimi.

E po kështu, ndërkohë që shteti u del për zot banorëve që kanë ndërtuar në rrethina të qyteteve, duke u ofruar pronarëve kompensim (problem i krijuar nga të ardhurit) në rastin e banorëve në banesa ish-private, shteti ‘lau duart’, duke ofruar kredi (?!) (ndonse problemi u krijua prej vetë shtetit). Mos vallë se kjo shtresë nuk ka ‘vlerë elektorale’?

Buxheti – arsye apo alibi?

Në rast se buxheti nuk premton, fajin nuk e ka kjo kategori që të diferencohet nga shoqëria, ndërkohë që, çuditërisht, për falje faturash elektriku, falje kamat-vonesash për sigurimet shoqërore, amnistish për kreditë e këqija, investime për të ardhurit në infrastrukturë etj., buxheti nuk … u soskërka kurrë.

Fjala vjen, me të drejtë - ‘… në mungesë të lëvrimit të pjesës së dyte të kredisë greke, në vitin 2003, Qeveria miratoi përdorimin e një fondi prej 240 milionë lekë për ndërtim banesash për kategorinë e pastrehëve prej falimentimit të piramidave, duke filluar në Tirane me ndërtimin e 51 apartamenteve në vitin 2003 dhe 24 apartamente në vitin 2004 dhe me 24 apartamente në qytetin e Vlorës. Këto dy qytete përbëjnë mbi 60% të rasteve për këtë kategori…’ (MRRTT) - por të mos harrojmë se problemi nuk u krijua nga shteti, por nga vetë individi, ndërsa në rastin e të pastrehëve të kategorisë ‘A’ ishte vetë shteti shkaku i problemit.

Po kështu, me miliona po investohen dhe do investohen për urbanizimin e rajoneve periferike, ku janë me mijëra familje të ardhura, por të mos harrojmë se problemi u krijua përsëri nga individët që sot trajtohen me fonde që, çuditërisht, nuk ‘gjënden’ për strehimin e kategorisë ‘A’.

Së fundi, diferencimi nuk duhet lejuar kurrsesi dhe mes vetë banorëve të kësaj kategorie, duke ofruar amnisti për ata që janë aktualisht në banesa të EKB dhe jo për ata që janë ende (jo për fajin e tyre, por të bankave që nuk dhanë kredi kaq vjet – jo se është zgjidhja e duhur kjo) në banesa të privatëve.

Drejtësia e vonuar - drejtësi e mohuar

Në 13 vjet, padrejtësisht, kjo shtresë është bërë objekt abuzimi nga politika dhe pronarët, ndërkohë që ata kanë zbatuar gjithnjë ligjet në fuqi.

Por më mirë vonë se kurrë. Le t’i themi mjaft diferencimit të tyre dhe trajtimit si duhet me prioritet të problemit të strehimit të tyre. Banesa sociale është zgjidhja e duhur strategjike e problemit të strehimit në përgjithësi, por jo për këtë kategori që kërkon ende një borxh të prapambetur, një të drejtë që ka mbetur peng i 1993 dhe që dita- ditës bëhet më imperative.

Zgjidhja në parim është trajtimi nga ana e shtetit e shtresës në fjalë me banesa sipas normativave të strehimit dhe pagesës nga ana e tyre të shumës së paguar për privatizimin e banesave të reja në vitin 1993, të ekuivalentuar me indeksin e inflacionit, pa dallim afati apo kufiri kohor kur trajtohet prej EKB.

Drejtësia e vonuar është realisht drejtësi e mohuar, por të paktën le të bëhet drejtësi e pohuar. Thojeni fjalën tuaj zotërinj deputetë që në Shqipëri të pohohet sërishmi se ia vlen të shpresosh te drejtësia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›