E Hënë, 2 Nëntor 2026

ZBARDHET ENIGMA E TAKIMIT XHANI-MEMA

20/05/2005  Trajneri i Partizanit mungon prej ditësh në klub. Nuk kanë munguar zërat, që e lidhin me probleme financiare, ndërkohë që vetë ai, sqaron se çdo gjë është në rregull

Numri një i bankinës së Partizanit vazhdon të mungojë në stërvitje dhe ky ritual ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme, kur skuadra është drejtuar nga dyshja Zhupa-Nallbani. Sigurisht kjo nuk është mungesa e parë për Memën, por ndryshe nga herët e tjera kur ai ka munguar vetëm 1 ditë, këtë herë mungesa e tij ka qenë më e gjatë. Arsyet? Nga burime të përafërta me skuadrën, mosparaqitja e trajnerit Mema në stërvitje lidhet me problemet financiare, që po kalon kjo skuadër. Dihet se disa futbollistë kanë probleme me likuidimin e pagave. Edhe presidenti Xhani në një farë mënyre e ka pranuar diçka të tillë. Ndërkohë nga këto burime bëhet e ditur se tekniku Mema dhe presidenti i të kuqve para disa ditësh, kanë patur një bisedë ndërmjet tyre, ku trajneri i të kuqve i ka kërkuar shlyerjen e të gjitha detyrimeve financiare të futbollistëve dhe të vetë stafit teknik, si një parakusht për të qëndruar te kjo skuadër. Sipas këtyre burimeve, vetëm nëse do të jetë gjithçka në rregull me anën financiare mund të mendohet seriozisht për të parë emrat e duhur, që do të afrohen në skuadër gjatë merkatos së verës. Për një problem të tillë dhe për të parë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në takimin Mema-Xhani, kemi kontaktuar nëpërmjet linjës telefonike me numrin një të bankinës së të kuqve, Sulejman Mema. Vetë trajneri i Partizanit ka mohuar kategorisht se, në bisedën ndërmjet tij dhe presidentit Xhani është diskutuar për çështje financiare. Sipas Memës, në bisedën që ai ka patur me numrin një të të kuqve, është biseduar për të ardhmen e Partizanit, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar merkatos, pasi Partizani është një nga skuadrat që pritet të jetë në krye të garës së merkatos. “Është e vërtetë se kam patur një bisedë me presidentin Xhani, ku kemi folur për të ardhmen e skuadrës. Nuk është e vërtetë se kemi folur për çështje financiare. Por, biseda jonë ka patur në qendër të saj përforcimin e skuadrës së Partizanit për sezonin e ardhshëm”, ka deklaruar fillimisht trajneri i Partizanit. Për sa i takon mungesës së tij në stërvitje, trajneri i Partizanit ka bërë të ditur se kanë qenë disa probleme personale, por edhe disa angazhime në dobi të skuadrës, ato që e kanë detyruar të mos jetë pranë skuadrës. “E theksoj se mungesa ime në stërvitjen e skuadrës, nuk lidhet me ndonjë problem financiar. Dy janë arsyet e mungesës time në stërvitje. E para ka të bëjë me disa probleme personale dhe e dyta ka të bëjë me faktin, se kam patur disa angazhime më të rëndësishme, që janë në dobi të skuadrës”, ka bërë të ditur nëpërmjet telefonit trajneri i Partizanit, Sulejman Mema.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›