Kriza e re
Rigjallërimi i ekonomisë evropiane po përballet me vështirësi të reja. Disa nga vendet kryesore të BE`së po njoftojnë se rritja e tyre ekonomike është ndalur. Vendet e eurozonës kanë njoftuar se ekonomitë e tyre u rritën vetëm 0,1 për qind gjatë tremujorit të fundit të 2009-ës.
Ndërkaq, qytetarët në Greqi vazhdojnë të jenë të shqetësuar për të ardhmen e ekonomisë së vendit, një ditë pas deklaratës së udhëheqësve evropianë në mbështetje të Greqisë, por ku nuk jepeshin hollësi se si do të nxirret vendi nga kriza e borxheve.
Gjendja ekonomike në Greqi e ka zhytur euron në krizën më të thellë që nga krijimi i kësaj monedhe 11 vjet më parë. Mes zyrtarëve dhe investitorëve evropianë po rriten shqetësimet se problemet financiare të Greqisë mund të përhapen edhe në vendet e tjera.
Megjithatë, tregjet e bursës në fund të javës u rritën në klimën e optimizmit të krijuar nga ndihma evropiane për Greqinë, nga mendimi se kjo ndihmë mund të shmangë një krizë më të gjerë mes 16 vendeve që përdorin euron.
Ndërkaq, të dhënat tregojnë se kriza financiare është më e rëndë sesa parashikohej dhe qytetarët e vendeve të Evropës shprehin mosbesim në përmirësimin e situatës.