Amnistia fiskale, Bode: Pres propozimin e biznesit
Fabiola Çela
Qeveria nuk ka ende një kërkesë zyrtare të biznesit për legalizimin e aseteve të padeklaruara të biznesit. Ky ka qenë reagimi i ministrit të Financave, Bode, në lidhje me kërkesën e bërë publike pak kohë më parë nga sipërmarrësit. Nisma, e cila është lançuar fillimisht nga biznesi, ka për qëllim të ligjërojë kapitalet e fshehura të biznesit. Qeveria thotë se nëse ajo do mbërrijë në formë zyrtare do të merret në konsideratë. “Varet nga kërkesat që do të bëhen dhe sa u shërbejnë ato interesave të vendit”, u shpreh për mediat ministri i Financave, Ridvan Bode. Pak kohë më parë në një deklaratë për media komuniteti i biznesit i deklaroi se kishte gati paketën antikrizë. Në paketën antikrizë të përgatitur nga vetë komuniteti i biznesit, qeveria duhet të kryente menjëherë legalizimin e aseteve tregtare, si një masë kjo që do t’i injektojë ekonomisë vlera të mëdha që sot qëndrojnë jashtë sistemit të ekonomisë formale. Në këtë paketë ata i kanë propozuar qeverisë një sërë masash, zbatimi i të cilave do të ndihmonte së tepërmi komunitetin e biznesit për të kapërcyer situatën e vështirë në të cilën ndodhen si pasojë e krizës globale. Gjithashtu komuniteti i biznesit në këtë paketë i ka propozuar qeverisë që të heqë TVSH-në për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore, dhe TVSH-ja të paguhet vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive. Por deri më tani nuk është marrë asnjë masë nga qeveria për plotësimin e kërkesave të komunitetit të biznesit.