Berisha: Qeveria e re me 12 ministri
Nëse PD-ja fiton zgjedhjet e 28 qershorit, kabineti i ardhshëm qeveritar do të jetë më i vogël se ai aktuali. Postet ministrore nuk do të jenë më 14 sa janë aktualisht, por maksimumi 12 të tillë, çka do të thotë se dy prej ministrive do të shkrihen brenda kabineteve të tjera. Lajmin e bëri të ditur mbrëmë kryeministri Sali Berisha, i cili ndonëse nuk përmendi emrat e ministrive që do të shkrihen nëse koalicioni i djathtë fiton zgjedhjet, paralajmëroi ristrukturim të tyre. "Pas zgjedhjeve sërish do mbetem në qeveri të vogël, do jenë 11 ose 12. Do t'i lehtësoj shpatullat e taksapaguesve. Nuk do të ketë asnjë kabinet më shumë", u shpreh mbrëmë kreu i ekzekutivit në emisionin "Opinion" në Tv Klan. I njëjti vendim i kësaj qeverie u ndërmor edhe katër vjet më parë, kur pas ardhjes në pushtet të PD-së, katër ministri u shkrinë. "Nuk do të jenë më 14 portofole, por 14 janë shumë. Ne jemi vend i vogël dhe duhet të kemi një qeveri në dimensionin e vendit, jo t'i rëndojmë. Ishte 18 e solla 14, tani do t'i zbresim. Ky ndryshim i numrit të portofolave do të ketë një shpërndarje tjetër", vijoi më tej Berisha. Por megjithëse qeveria e ardhshme do të ketë të paktën dy ministri më pak, numri i kabineteve do të jetë 14, po të kihet parasysh se dy kabinete janë posti i zv.kryeministrit dhe ai i kryeministrit. Duke folur për zgjedhjet në Partinë Demokratike, Berisha tha se gjithçka po bëhet konform statutit të saj, ndërkohë që nuk pranoi të komentonte faktin se ish-kryeministri i tij në periudhën 1992- 1996, Aleksandër Meksi mori pak ditë më parë drejtimin e koalicionit 'Poli i Lirisë'. "Vendimet personale të zotit Meksi apo të cilitdo tjetër nuk kam pse i komentoj", deklaroi Berisha, teksa shtoi se pavarësisht kësaj lëvizje në krahun e djathtë, fitorja do të shkojë nga koalicioni i drejtuar nga PD-ja. Gjatë emisionit të një nate më parë, kreu i qeverisë ironizoi moskandidimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për deputet. "Është një problem shumë madhor, sepse në garë rregulli kërkon ta kesh rivalin përballë. Faktikisht se si do të dalë ai në garë, ai ngjitur me karrigen e bashkisë mbrapa, uroj të gjej kurajo dhe të zbresë në fushë, sepse normale është që mbështetësit e tij ta mbështesin jo për kryetar bashkie, por për vendin që pretendon. Ky njeri ka një tronditje të madhe shpirtërore. Foli 3 orë kundër meje dhe i doli votimi përmbys. Uroj të mos vendosë një standard që nuk ekziston, që ta lënë kryeministrin pa rival. Ai është i lidhur me bashkinë, e gjithë bota e tij janë lejet e ndërtimit", vijoi më tej kreu i qeverisë. Duke iu rikthyer premtimeve të bëra katër vjet më parë, gjatë fushatës elektorale para 3 korrikut, kreu i qeverisë tha se të gjitha premtimet janë mbajtur, teksa shtoi se edhe këto 51 ditë të fundit deri në zgjedhje do të shërbejnë për realizimin e 100% të tyre. I pyetur nëse do të vazhdojë të zbatohet edhe këtë vit moratoriumi për ndalimin e skafeve në ujërat detare, kreu i qeverisë tha se, "ligji është në fuqi. Kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve. Jemi në prag të një momenti historik, të heqjes së vizave. Ky moratorium ka pasur ndikim qartësisht pozitiv në këtë vendim". Në të njëjtën kohë Berisha konfirmoi qëndrimin se nëse do të humbasë në zgjedhjet e 28 qershorit do të tërhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike.