PS: Po bllokohet procesi, Ministria:Po prodhohen 20 mijë karta në ditë
PS-ja dhe Ministria e Brendshme replikuan dje për procesin e kartave të identitetit. Partia Socialiste denoncoi përmes zëdhënëses së kryesisë, Mimi Kodheli, një sërë pengesash artificiale që zyrat e postës shqiptare nxjerrin për personat të cilët nuk e kanë emrin në listë dhe aplikojnë për letërnjoftime elektronike. "Dje ishin të shumtë qytetarët, të cilëve u kërkohej një vërtetim nga Policia e Shtetit, në mënyrë që të pajiseshin me letërnjoftime elektronike, ndërkohë që vendimi i qeverisë për të gjithë ata persona të cilët nuk e kanë emrin në listë, parashikon vetëm nënshkrimin e një deklarate përpara aplikimit", tha Kodheli. Ministria e Brendshme njoftoi se deri tani kanë aplikuar 800 mijë persona, ndërsa për pasaportën biometrike vetëm në 2 ditë kanë aplikuar 1 mijë persona. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, iu përgjigj PS-së duke thënë se, "procesi i aplikimit mbulon të gjithë territorin e vendit duke ofruar mundësinë e aplikimit për çdo qytetar, pavarësisht se ku ai ka vendbanimin". Sipas tij, kapacitetet e aplikimit dhe prodhimit janë në kuota maksimale, respektivisht 22.000 dhe 20.000 në ditë", tha Konja.