E Diel, 1 Nëntor 2026

Posta: Ja lehtësirat e reja për qytetarët pa pasaportë

 

Lehtësira të reja për qytetarët pa pasaporta, që do të aplikojnë për kartat e identitetit. Këtë vendim kanë marrë Posta Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme. “Sqarojmë shtetasit emrat e të cilëve nuk gjenden në listat e zyrave postare të marra nga Ministria e Brendshme se nuk do t’u duhen dy certifikata, njëra për marrjen e kuponin bashkëngjitur me deklarimin, që do të bëjnë në zyrat postare dhe tjetra për aplikim. Do të përdorin vetëm një”, thuhet në deklaratën për mediat të postës. Sipas saj, qytetarët që kanë humbur pasaportën dhe nuk e kanë deklaruar atë në kërkim të marrjes së kuponit do të procedojnë në një tjetër mënyrë. “Veç formularit të vetëdeklarimit në sportelet e Postës do t’i bashkëngjisin jo certifikatën me fotografi marrë në Gjendjen Civile të njësive të qeverisjes vendore, por fotokopjen e saj. Ndërsa me certifikatën origjinale ata do paraqiten në qendrat e aplikimit pranë minibashkive, bashkive dhe komunave për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik”, sqaron zyra për shtyp e Postës. Sipas saj, qytetarët duhet të paraqiten në zyrat postare duke pasur me vete certifikatën origjinale dhe fotokopjen e saj, në mënyrë që të bëhet njehsimi me origjinalin nga ana e punonjësve të postës. “Deri më tani sa i përket shtetasve pa pasaportë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë janë 3 mijë qytetarë që kanë marrë kuponët, prej tyre 1 mijë kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit, pasi emri i tyre nuk ishte në listat e Ministrisë së Brendshme dhe 2 mijë kanë blerë kuponin sipas listave të dërguara nga kjo ministri”, theksohet në deklaratë. Tashmë, në zyrat postare ndodhen të gjitha listat e personave pa pasaportë dhe po zbatohet vendimi i Qeverisë dhe udhëzimi i Ministrisë së Financave për kategoritë që përfitojnë karta 200 lekë. Nga të dhënat e deritanishme në 551 sportelet e Postës janë shitur mbi 811 mijë kuponë për letërnjoftimin elektronik dhe mbi 7 mijë për pasaportat biometrike. “Bazuar në marrëveshjen me ISSH theksojmë se jo vetëm që pajisja e pensionistëve me kupona po ecën me ritme të kënaqshme, por dhe janë rimbursuar deri më tani mbi 35 mijë pensionistë”, sqarojnë drejtuesit e postës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›