PS: Të rishikohen kriteret për fletën e votimit
Partia Socialiste i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kriteret në lidhje me shtypjen e fletëve të votimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj në mbledhjen e djeshme të KQZ kërkoi që nëse fiton një kompani shqiptare duhet të jetë e specializuar e njëjtë me shtypjen e letrave me vlerë. "Te fletët ka mungesë sigurie, logoja dhe stema janë bardh e zi çka lejon kopjimin dhe kërkoi që të bëhej ndryshimi", deklaroi Gjonçaj. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti e quajti të papërgjegjshëm propozimin e PS-së, pasi vjen në një moment kur s'ka kohë, sepse procedurat e tenderimit kanë nisur. Kreu i KQZ-së në lidhje me këtë propozim theksoi se "procedurat kanë nisur që më 5 mars dhe se nuk ka kohë për të pranuar një kërkesë të tillë". Kërkesa e dytë që u hodh nga partitë politike ndaj KQZ është krijimi i udhëzimi të posaçëm mbi mënyrën e ndërtimit të koalicioneve politike. Kërkesa e hedhur nga PS-ja u mbështet edhe nga ana e PD-së dhe partitë e tjera politike.