E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mbështet platformën e G99 për emigrantët

 

Partia Socialiste dhe grupimi G99 prezantuan dje një platformë të përbashkët për votën e emigrantëve. I pranishëm në këtë prezantim, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se, "është e domosdoshme që t'i japim më shumë dinjitet shoqërisë shqiptare dhe për të vendosur në vend një të drejtë të mohuar prej 15 vjetësh, që është e drejta për votim e atyre që janë kontributorët më të mëdhenj të ekonomisë, emigrantët shqiptarë". Kryesocialisti Rama u ndal edhe tek investimet e sipërmarrësve të huaj në Shqipëri, ku nënvizoi faktin se "investimet e huaja në Shqipëri janë kontribute direkte të emigrantëve dhe emigranteve përmes familjeve të tyre". "Vetëm kjo mjafton për të kuptuar sesa e padrejtë është lënia jashtë procesit të vendimmarrjes dhe mohimit të të drejtës për të votuar të këtyre njerëzve, gjatë të këtyre 18 viteve", tha Rama, ndërsa premtoi se, "me ardhjen në pushtet të PS-së do të hapim sportele në të gjitha vendet e Botës që emigrantët të aplikojnë për pasaporta biometrike, dhe do të bëjmë marrëveshje për të njohur sigurimet shoqërore të tyre". Ndërsa kreu i grupimit G99, Erion Veliaj tha se, "ne jemi të ndarë nga mënyra sesi përfshihemi në politikë, pasi kemi një taksë vote për shqiptarët që jetojnë këtu, dhe një mohim të së drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit". Në një takim me unionin e shoqatave shqiptare në Greqi, ministri Basha theksoi dje se dy vendet kanë rënë dakord për një marrëveshje për njohjen e sigurimeve shoqërore. "Kjo ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara mes kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Karamanlis gjatë vizitës së fundit të kryeministrit grek në Tiranë. Për këtë qëllim palët ranë dakord për një marrëveshje të përbashkët mbi njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve. Bisedimet, tashmë po avancojnë dhe për këtë qëllim, ndodhet në Athinë dhe ministri shqiptar i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta", theksoi Basha. Një çështje tjetër prioritare, sipas ministrit të Jashtëm, është dhe mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë në diasporë. "Në këtë drejtim përpjekjet tona janë drejtuar drejt mësimit të gjuhës shqipe, në sa më shumë shkolla publike, por edhe në funksionalizimin e një rrjeti qendrash mësimi të gjuhës shqipe kudo ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë në Greqi", vijoi Basha. Përfaqësuesit e shoqatës u takuan edhe me kryeministrin Berisha, i cili tha gjatë takimit se qeveria, në akord me opozitën do të vlerësojë të gjitha mundësitë tekniko-ligjore për të realizuar edhe pjesëmarrjen e emigranteve në procesin elektoral.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›