Sondazhi i Zogby, PD me dy pikë avantazh para PS
BLEDAR HOTI
Partia Demokratike për të parën herë kalon Partinë Socialiste në sondazhin e kryer nga Zogby International, i porositur nga Top Channel. Sam Rodgers, analisti amerikan i Zogby-t, nga Uashingtoni dha mbrëmë rezultatet e sondazhit të kryer për muajin prill, duke nxjerrë në avantazh partinë në pushtet me dy pikë ndaj PS-së. Në këtë sondazh Partia Demokratike rezulton të jetë me 38% kundrejt 36% që ka Partia Socialiste. Pas tre muajsh, Lëvizja Socialiste për Integrim ka përfituar 1 pikë, duke u renditur si forca e tretë politike me 6 për qind të votave, nga kuota 5% që ishte fikse në muajt e mëparshme. Partia e Erjon Velisë, G99, krahasuar me muajin e kaluar ka zbritur në një pikë, duke mbetur në 2 për qind të votave. Ndërsa PR-ja dhe PBDNJ-ja janë me një për qind të votave, duke i qëndruar strikt shifrës që nga muaji i parë i realizimit të sondazhit. Në muajin janar PD-ja rezultonte me 30% për qind të votave, ndërsa në muajin prill ka fituar 8 pikë gjithsej. Ndërsa PS-ja ka humbur dy pikë në krahasim me muajin e kaluar, ku rezultonte me 38 për qind. Analisti Rodgers e lidhi këtë rritje të PD-së me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por theksoi se diferenca mes dy partive të mëdha është tepër e vogël, duke lëvizur një apo dy mandate. Të majtët mund të jenë në pushtet pas zgjedhjeve të 28 qershorit vetëm nëse do të ishin në një koalicion politik, mes PS-së dhe LSI-së, ku së bashku përbëjnë 42% të votave. Me koalicionin aktual PS-ja vetëm sa e barazon në përqindje PD-në. Ndërsa ndryshe nga muaji i kaluar, të pavendosur janë në shkallën e 10% të të intervistuarve, duke zbritur në dy pikë, ndërsa ulet numri i atyre që refuzojnë të japin mendim me një për qind të votave. Në muajin e kaluar kjo shifër është ishte 4%. Mbi bazën e kësaj kemi që një pjesë e të pavendosurve dhe refuzuarve kanë vlerësime për Partinë Demokratike. Në sondazhin e kryer është vërejtur se ka vlerësim negativ të të intervistuarve për sa i përket dy liderëve të partive kryesore, Sali Berisha dhe Edi Rama. Performanca për kryeministrin 58% negative, ndërsa 53% është negative për kryesocialistin. Performanca pozitive e kryeministrit shkon në 40%, ndërsa për kryesocialistin në 44%. Kjo është diferencë e vetme mes Ramës dhe Berishës. Për herë të parë janë 51% e zgjedhësve që besojnë se Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur, nga 41% që ishin në muajin mars. Kemi 37% aktualisht që mendojnë se gjërat shkojnë në drejtimin e gabuar nga 47%, ashtu sikurse në muajin mars 12%, të cilët nuk janë të sigurt nëse Shqipëria është në rrugën e duhur ose jo. Kjo rritje e besimit shkon në 10 pikë më shumë në krahasim me muajin e kaluar, pavarësisht marzhit të gabimit. Ndërsa për vlerësimin e përgjithshëm për të dyja partitë, 59% e të intervistuarve kanë vlerësim pozitiv për PD-në dhe 36% negativ për PD-në. Ndërsa për PS-në 60% pozitiv me 34% negativ. Shumica e votuesve e PS-së besojnë se gjërat në Shqipëri janë jo në drejtimin e duhur 59% mendojnë kështu, ndërsa votuesit e PD-së mendojnë se 79% e tyre mendojnë se gjërat po ecin si duhet. Ndërsa për sa i përket kategorive të votuesve demokratët janë në avantazh. 41% e meshkujve do të votonin për PD-në, kundër 38% të PS-së. Ndërsa 36% e femrave do të votonin PD-në, kundrejt 35% për PS-në. Ndërsa votuesit nën 35 vjeç do të votonin me shumicë PD-në me 42%, kundrejt 34% të PS-së. Socialistët janë në avantazh vetëm te votuesit mbi 35 vjeç, ku rezultojnë se 37% për qind do të votonin PS-në, ndërsa 36% e tyre do të votonin për PD-në.
sondazhet sipas muajve
Prill Mars Shkurt Janar
PS 36 % 38% 39% 37%
PD 38 % 36% 34% 30%
LSI 6 % 5% 5% 5%
G99 2 % 3% 2% -
PDK - - 1% 1%
PBDNJ 1 % - 1% 1%
PR 1 % 1% 1% 1%
PAA - - 1% -
PSD - 1% 1% -
LZHK - 1% - -
Të pasigurt 10 % 11% 12% 19%
S’ u përgjigjën 3 % 5% 4% 4%