E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale e pjesshme, Financat do të falin vetëm gjobat dhe kamatëvonesat



Ervin Koçi

Edhe pse u duk sikur qeveria për një moment “vuri dorën në zemër” në lidhje me borxhet që subjektet e biznesit i kanë shtetit ndër vite, asgjë nuk është e vërtetë. Premtimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, i bërë dje gjatë një konference shtypi lidhur me faljen e borxheve, duhet sqaruar mirë. Përfitues nga ky “tolerim” i shtetit, do të jetë vetëm një kategori fare e vogël përfituesish, të cilët edhe këta do të zgjidhen mirë. Sipas ministrit Bode, është gati dhe shumë shpejt do të kalojë në Kuvend drafti për faljen e detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave për një sërë biznesesh. "Bëhet fjalë për një falje për detyrimet, gjobat dhe kamatëvonesat për një sërë biznesesh, të cilat kanë një periudhë të gjatë që janë debitorë në shtet dhe për motive nga më të ndryshmet, ende nuk është caktuar kundërvlera, sikurse do të ketë edhe një rregullim me ligj të asaj shume marramendëse që ekziston nga bizneset debitore", - tha Bode. Sipas ministrit Bode, janë rreth 40 miliardë lekë detyrime vetëm nga Tatimet, të cilat janë vendosur ndër vite nga inspektorët tatimorë, nga të cilat 30 miliardë lekë janë gjobat dhe kamatëvonesat që do të falen, ndërsa pjesa tjetër, 10 miliardë, është detyrimi bazë që do të paguhet nga bizneset. Ndërsa borxhi doganor arrin deri në 7 miliardë lekë, nga të cilat do të falen rreth 5 miliardë lekë. "Drafti është futur në procedurë për të kaluar në Parlament dhe është parashikuar një periudhë tremujore, që të gjitha bizneset të kenë kohë për të likuiduar principalin dhe për të eliminuar të gjitha gjobat dhe pjesërisht kamatëvonesat", -tha Bode. Sipas tij, hartimi i draftit u bë me qëllimin për t’i çliruar këto biznese dhe për t'i ftuar ato të dalin në dritë, sikurse edhe kolegët dhe rivalët e tyre në ekonominë shqiptare.

Kush përfiton

Sipas draftit që po harton Ministria e Financave, nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë të gjitha bizneset, por vetëm një kategori e caktuar e tyre. Drafti, i cili është ende në fazën e projektit, parashikon që përveç faljes së gjobave do të ketë lehtësira edhe për ato biznese që i paguajnë detyrimet e tyre brenda tre muajve, që nga momenti kur do të hyjë në fuqi drafti. Lehtësira do të ketë edhe për automjetet, të cilat nuk kanë paguar taksën e regjistrimit të automjeteve dhe atë të qarkullimit. Gati 160 mijë automjeteve do t’iu falen këto taksa, por nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara në draft. Ndërkohë, ministri i Financave, Bode, i është përgjigjur negativisht kërkesës së importuesve të karburanteve për uljen e barrës fiskale, si një mënyrë për të frenuar rritjen e çmimeve në tregun e brendshëm.

Grupi i parë

Drafti që po hartojnë ekspertët e Ministrisë së Financave për amnistinë fiskale lidhur me borxhet e këqija të biznesit përbëhet nga tre grupe kryesore. Në grupin e parë bëjnë pjesë ato biznese, të cilat kanë detyrime të papaguara pranë administratës tatimore dhe asaj doganore. Sipas draftit të Ministrisë, bizneset, borxhet e të cilave nuk janë shoqëruar me vendime administrative ose që nuk janë njoftuar, do të jenë të parat që do të përfitojnë nga kjo amnisti. Kësaj kategorie biznesi do t’u falen gjobat, interesi dhe principali. Por e gjitha kjo do të ketë një efekt financiar. Nga falja e këtyre penaliteteve efekti financiar është 6.5 miliardë lekë, ndërsa priten të arkëtohen 5.8 miliardë lekë. Nga drafti i ri do të përfitojnë edhe ato biznese që u ka kaluar afati i pagesës. Nëse brenda tre muajve që nga data kur hyn në fuqi drafti, kjo kategori biznesi paguan principalin, atëherë i falet 50 për qind e shumës së interesit dhe 100 për qind e shumës së gjobës. Efekti financiar i kësaj është llogaritur të jetë 7.2 miliardë lekë, ndërkohë që priren të arkëtohen 23.7 miliardë lekë. Nga kjo amnisti do të përfitojnë edhe ato biznese që kanë importuar makina, por nuk i kanë paguar detyrimet doganore. Për këto biznese qeveria ka vendosur t’u falë gjobat dhe interesat, por me kusht që të paguajnë detyrimet doganore brenda 3 muajve.

Grupi i dytë

Në këtë grup përfshihet Drejtoria e Shërbimeve të Transportit, ku kryhet edhe pagesa e takës së regjistrimit të automjeteve dhe e qarkullimit. Shumë prej automjeteve që qarkullojnë në vend nuk i kanë paguar këto detyrime. Pikërisht për të lehtësuar këto kategori qytetarësh, qeveria ka vendosur që në draftin e ri të Ministrisë së Financave të ketë amnisti edhe për ta. Sipas draftit për automjetet që nuk janë të regjistruara, por me kusht që të regjistrohen brenda 3 muajve, u falen detyrimet. Ndërsa makinat që janë në qarkullim duhet të kryejnë pagesën brenda tre muajve. Për rrjedhojë, është parashikuar t’u falen detyrimet gati 160 mijë automjeteve, por do të përfitojnë vetëm ato makina që do të regjistrohen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e draftit. Nga kjo amnisti do të përfitojnë plot 160 mijë makina.

Grupi i tretë

Pagesa e kamatëvonesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore zënë një vend të rëndësishëm në këtë draft. Bëhet fjalë për grupin e tretë të draftit, ku theksohet se bizneseve që nuk kanë paguar këto detyrime, do t’u falen 100 për qind gjobat dhe 50 për qind interesat, por me kusht që të paguajnë brenda tre muajve principalin. Efekti financiar i kësaj është parashikuar të jetë 900 milionë lekë. E thënë ndryshe, kaq është shuma e parave që do t’u falen biznesit.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›