Reforma zgjedhore, Komisioni vendos që mbledhjet të mos ndiqen nga media
Përfaqësuesit e dy partive të mëdha politike kanë zhvilluar dje mbledhjen e dytë të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Mbledhja është zhvilluar rreth orës 13:30 në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, pa praninë e gazetarëve. Madje përfaqësuesit e maxhorancës dhe të opozitës, konkretisht Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafaj, kanë propozuar që mbledhjet e këtij Komisioni të mos ndiqen nga mediat. Një vendim i tillë tregon qartë se dy partitë e mëdha politike janë të vendosura të nënshkruajnë bashkëpunimin e radhës.
Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të LSI-së në komisionin e posaçëm, Spartak Braho, ka kundërshtuar vendimin e parë që u mor dje, ai i përjashtimit të medias nga tërë procesi i veprimtarisë dhe shqyrtimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. “Ishte një çudi e madhe, por jo shumë e papritur kur zotërinjtë Rusmali dhe Xhafaj, votimit dhe kërkesës që media të jetë prezente iu përgjigjën me veto negative, duke argumentuar se media është e panevojshme, se jemi, gjoja, në një proces pune”, - tha Braho. Ndërsa e konsideroi këtë si një teori të vjetër, e cila ka të bëjë me vazhdimësinë e mungesës së transparencës në procesin e reformës zgjedhore, deputeti i LSI-së u shpreh se kjo ka të bëjë me frikën e dy partive të vjetra ndaj hapjes dhe vënies në dijeni të publikut të gjerë se ç’po gatuhet dhe ç’po ndodh në Komision. Në këtë kuptim, Spartak Braho e cilësoi vendimin të papranueshëm, pasi anëtarëve të tjerë të Komisionit nuk mund t’i privohet e drejta për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me median gjatë debateve për hartimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe pas arritjes së rezultateve konkrete.
11 Korrik 2008