Deklarimi i pasurive, 62 zyrtarë të lartë për ndjekje penale
Shaban Sulçe
62 kallëzime në Prokurori, 150 raste të zgjidhura të konflikteve të interesit dhe më shumë se 230 ndëshkime me masën administrative gjobë. Ky është bilanci 5-vjeçar i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për zyrtarët që kanë refuzuar të deklarojnë pasuritë apo t’i manipulojnë ato. Dje Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka festuar 5-vjetorin e themelimit të tij. Edhe pse përballë vështirësive të shumta, Inspektorati ka arritur disa rezultate pozitive në misionin e tij për t’iu ofruar transparencë publikut dhe medias, për pasuritë e zyrtarëve dhe pushtetarëve. Gazeta “Albania” publikon disa nga arritjet e ILDKP-së gjatë 5 viteve të aktivitetit të saj.
2003
Në vitin 2003, kur u krijua edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, u krye edhe procesi i parë i dorëzimit të deklaratave të pasurisë nga ana e zyrtarëve.
Deklarimi i parë i pasurisë që subjektet duhet të bënin pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kërkonte pasqyrimin e pasurive të akumuluara deri më 31 dhjetor 2003. Inspektorati kontrolloi 2303 deklarata për vitin 2003, nga të cilat rezultuan me probleme 1447 të tilla dhe nga ky numër u korrigjuan 1018 deklarata. Për vitin 2003 u vendosën 8 gjoba për subjekte në detyrë, që iu shmangën deklarimit të pasurisë, nga Inspektorati i Lartë dhe 10 gjoba për zyrtarë të tjerë nga Inspektoratet e Ulëta.
2004
Në vitin 2004 u rrit numri i subjekteve që përfshiheshin në ligjin për deklarimin e pasurive, ndërkohë që u intensifikua puna për kontrollin e vërtetësisë së tyre. Paralel me kontrollin aritmetik dhe logjik filloi edhe kontrolli i plotë, për të cilin Inspektorati i Lartë kërkoi informacion me shkrim nga institucionet e specializuara si në të gjitha bankat, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, Agjencinë Kombëtare të Privatizimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me Gjykatat. Deri më datë 7.4.2005, filloi procesi i kontrolli aritmetik e logjik për 3601 subjekte dhe kontrolli i plotë për 1879 subjekte. Nga këto të fundit rezultuan me probleme 26 subjekte dhe pjesa tjetër, prej 561 subjektesh, kanë rezultuar pa probleme. Nga pjesa me probleme u dërguan për ndjekje penale 2 subjekte në kompetencën e inspektorit të Përgjithshëm.
2005
Në vitin 2005 Inspektorati i Lartë u përqendrua edhe në çështjen e zgjidhjes së konfliktit të interesave midis zyrtarëve, ku si rezultat u arrit që në 18 raste, vetë
zyrtarët pranuan të lënë funksionin publik, për të mos cenuar interesat e tyre private, të cilat krijonin konflikt interesash.
Për vitin 2005 pranë Inspektoratit janë regjistruar edhe 1970 subjekte të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të subjekteve që mbartin detyrimin për deklarim në 6849 veta.
Bashkëpunimi me institucionet e tjera ndihmoi në evidentimin e rasteve të mosjustifikimit të burimeve të pasurisë së deklaruar si dhe në raste të fshehjes së pasurisë, duke përbërë kështu detyrim ligjor për të paraqitur kallëzim penal në organin e akuzës, pranë të cilit ndodhen në hetim 4 çështje të dërguara nga ILDKP-ja. Për periudhën e deklarimit të vitit 2005 u shënuan 68 raste, për të cilat është marrë masë administrative me gjobë nga ana e Inspektoratit për shmangie të deklarimit të pasurisë. Midis tyre u gjobitën 2 zëvendësministra, 2 drejtorë drejtorie në ministri, 1 këshilltar në ministri, 4 punonjës të administratës tatimore e doganore, 1 ambasador, 1 prefekt, 5 drejtuesve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, 1 drejtuesi të Zyrës së Përmbarimit, 51 drejtues të pushtetit vendor.
2006
Për vitin 2006 Inspektorati kreu kontroll të plotë të pasurive për 467 subjekte, nga të cilat 165 subjekte u përzgjodhën nga shorti, plus edhe 3 familjarë të zyrtarëve që rezultuan me pasuri të regjistruar më vete nga subjekti, ku u konstatua probleme me verifikimin për 18 subjekte. Ndaj këtyre subjekteve, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dorëzoi në organin e Prokurorisë kallëzime penale. Inspektorati konstatoi probleme në deklarata e pasurive të 2 deputetëve, për një ministër dhe një drejtor drejtorie.
2007
Gjatë vitit 2007 Inspektorati i Lartë ka shqyrtuar rreth 200 raste, ku dyshohej që zyrtarët ishin në konflikt interesash, duke zgjidhur 110 prej tyre.
Në total, deri më 31 dhjetor 2007, numri i zyrtarëve që u regjistruan si subjekte të hetimit administrativ ishte 8340 subjekte. Për 175 subjekte, kryesisht drejtues lokalë, që nuk mbajtën më këto poste pas zgjedhjeve të shkurtit 2007, por edhe për drejtues lokalë e qendrorë që vazhdojnë të jenë në detyrë, Inspektorati i Lartë vendosi masën administrative “gjobë” sepse u shkel prej tyre ligji, duke dorëzuar deklarimet e interesave private jashtë afatit ligjor.
Inspektorati i Lartë, për 12 subjekte që nuk e kanë dorëzuar deklaratën e interesave private, depozitoi në organin e Prokurorisë 12 kallëzime për veprën penale, ”refuzim për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
Gjatë vitit 2007, 650 subjekte iu nënshtruan Kontrollit të Plotë të Inspektoratit, nga të cilat 56 rezultuan me probleme. Për probleme të vërejtura pas përfundimit të kontrollit të plotë, gjatë vitit 2007, Inspektorati i Lartë dorëzoi në organin e Prokurorisë kallëzim penal për 4 subjekte (përkatësisht dy punonjës të administratës doganore, një punonjës i administratës tatimore dhe një ish-drejtues i pushtetit lokal), me akuzën e ”fshehjes së pasurisë”. Së fundi, në qershor të këtij viti Inspektorati bëri të ditur se do të kallëzonte në Prokurori 22 zyrtarë, të cilët kishin hezituar të bënin deklarimin e pasurisë.
18 gjoba të vendosura në vitin 2003 nga Inspektorati për subjektet që iu shmangën deklarimit të pasurisë
2 kallëzime penale u bënë në vitin 2004 për subjektet që nuk e kishin të saktë deklarimin e pasurisë
68 subjekte u gjobitën në vitin 2005 për shmangie të deklarimit të pasurisë
2 zëvendësministra u gjobitën midis këtyre subjekteve
18 është numri i subjekteve të kallëzuara penalisht në 2006-n për pavërtetësi në deklaratat e pasurive
110 është numri i rasteve në të cilat u zgjidh konflikti i interesit nga Inspektorati
12 zyrtarë u kallëzuan në Prokurori në 2006-n, pasi refuzuan të deklaronin pasurinë
4 zyrtarë u kallëzuan në Prokurori, pasi kishin fshehur pasurinë
22 zyrtarë të tjerë u kallëzuan këtë vit në Prokurori, pasi refuzuan të deklaronin pasuritë
11 Korrik 2008