E Diel, 1 Nëntor 2026

Tavo: “QSUT-ja, qendër korrupsioni që inkurajohet nga Berisha”



Deputeti i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, ka akuzuar dje në Kuvend kryeministrin Berisha për gjendjen në të cilën ndodhet Qendra Spitalore Universitare në Tiranë. Sipas tij, shkak për situatën e rënduar të këtij spitali është sistemi i korruptuar i ngritur dhe që mbahet në këmbë nga vetë kryeministri Berisha, i cili nuk firmos shkarkimin e drejtorit të QSUT-së. “Korrupsioni që ka zaptuar edhe këtë institucion, me bekimin e kryeministrit, ashtu si te gjitha institucionet e tjera. Lekë ka për të blere ilaçe, por ilaçet blihen nga spitali dhe shiten në treg pa u bërë fare hyrje në magazinë, e ndërsa pacientëve në spital u serviren medikamente të skaduara! Në fakt këtë veprim është pak ta quash korrupsion, apo vjedhje, pasi kap përmasat e një krimi, që merr jetë njerëzish, që me të nuk duhet të merret më ministri, por Prokuroria”, - është shprehur Tavo. Sipas tij, drejtori i QSUT-së ka marrë urdhër për blerjen e një llambe për skanerin e spitalit, e cila ka dy vjet që është djegur dhe akoma nuk e ka blerë. Për vitin 2007, sipas deputetit të PS-së, është akorduar një fond prej 189 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve mjekësore të teknologjisë së lartë, si skaner, aparat litotripsie, si dhe pajisje endoscopike, fond i cili nuk është realizuar, duke i detyruar qytetarët që të shkojnë te klinikat private, nga të cilat drejtori merr pjesën e vet të fitimit. Më tej Tavo bëri të ditur se drejtori i QSUT-së nuk pranon të kontrollohet nga ekipi i kontrollit të Ministrisë së Shëndetësisë, që është dhe organi qendror përgjegjës për administrimin dhe drejtimin e organeve të varësisë, në këtë rast QSUT-ja. “Pyes veten se ku e gjen kurajën ky njeri, që nuk pyet për ligjet e shtetit, për ministrin e Shëndetësisë dhe që e konsideron spitalin si çifligun e vet? Besoj se nuk ka nevoje për përgjigje. Ashtu si në rastin e drejtorit të Doganave, drejtorit të Tatim-Taksave, nja dy drejtoreve të dikasterit të Pangos, apo ndonjë zëvendësministër, kuptohet shokë të Argitës, që pavarësisht se ministrat përkatës kanë kërkuar nga kryeministri që të shkarkohen për shkelje te vazhdueshme të ligjit, ai jo vetëm qe nuk i shkarkon, por i promovon për të bërë diversion brenda dikastereve”, - është shprehur Tavo. Situatën e rënduar në spitale e ka denoncuar dje dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokrate të Re, Tritan Shehu. Ai tha se problemet e krijuara në të nuk lidhen me nivelin teknik e profesional të mjekëve, as me ndërgjegjen e tyre, por lidhen me një ecuri të ngadaltë të reformave në këtë fushë, madje disa herë me një stanjacion të tyre dhe mungesë të ritmeve. “Nevojitet shtytje e reformave për të ndryshuar mënyrën e financimit të sistemit, për të zgjeruar skemën e sigurimeve shëndetësore, për të decentralizuar institucionet shëndetësore dhe privatizuar ato, me qëllim krijimin e asaj që quhet treg i shëndetit pa të cilin nuk ka konkurrencë dhe as zhvillim”, - është shprehur Shehu.

Topalli-Lozancic: “Të liberalizohen vizat mes vendeve të rajonit”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së zhvilluar në Bosnjë-Hercegovinë, është pritur dhe nga homologu i saj, Niko Lozancic. Gjatë bisedës të dyja palët kanë shprehur vlerësimin për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis dy vendeve tona. Ndërsa kryeparlamentari i Bosnjë-Hercegovinës ka theksuar se vlerësimi që Bashkimi Europian i ka bërë Shqipërisë, e bën atë një model suksesi për Bosnjë-Hercegovinën dhe të gjitha vendet e rajonit, të cilët mund të përfitojnë nga përvoja shqiptare. Më tej biseda midis dy politikanëve u ndal në liberalizimin e vizave, ku dy homologët ndanë mendimin se në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fazën e negociatave për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian, së pari duhet të harmonizojnë nismat për liberalizimin e vizave mes vendeve të rajonit. “Të dyja vendet kanë regjim strikt të vizave me vendet e BE-së, por ne diskutuam se një regjim vizash ende ekziston mes dy vendeve. Ne konkluduam se nuk ka asnjë arsye që një regjim i tillë vizash të mbetet ende. Dhe kjo do të thotë se ne do të përshpejtojmë procedurat për heqjen e vizave. Por gjithashtu duhet të përshpejtojmë punën për hapjen e ambasadave tona në Sarajevë dhe Tiranë”, - është shprehur pas takimit me Topallin kryetari i Parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës. Edhe kryetarja e Parlamentit shqiptar, Topalli, u shpreh në mbështetje të deklaratës së homologut të saj ndërsa bëri të ditur se të dyja palët duhet të përshpejtojnë ritmin për hapjen e ambasadave në dy vendet tona. “Në janar Shqipëria nënshkroi hapjen e negociatave për liberalizimin e vizave. Një muaj më parë Bosnjë-Hercegovina nënshkroi këtë marrëveshje. Por ne duhet të bëjmë të mundur që të hapim ambasadat në dy vendet tona dhe në këtë mënyrë ne mund të jemi edhe më afër njëri-tjetrit”, - është shprehur Topalli.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›