Presidenti Topi: “Zyrtarë të korruptuar, me llogari bankare jashtë Shqipërisë”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se shumë zyrtarë të korruptuar i shmangen kontrollit të pasurisë në Shqipëri, duke i depozituar paratë e tyre në llogari bankare jashtë shtetit. Topi, i cili ka qenë i pranishëm gjatë ceremonisë festive të 5-vjetorit të themelimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, tha se nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të investiguar rreth pasurive të depozituara të zyrtarëve të korruptuar. “T’i themi gjërat hapur, ne jemi vend i vogël. Shumë gjëra i marrim vesh edhe nëpërmjet bisedave të përditshme e natyrshëm edhe nëpërmjet një bisede në kafene. Ka ardhur momenti që Shqipëria dhe institucionet e saj, institucioni juaj, të bëhen pjesë shumë e rëndësishme e një infrastrukture kontrolli me partnerët ndërkombëtarë, qoftë edhe për të hequr ato dyshime që në mjaft raste ekzistojnë dhe ne i dëgjojmë që një pjesë e pasurive, qoftë e zyrtarëve, të cilët janë të detyruar t’i deklarojnë, por edhe të një pjese tjetër, që nuk konsiderohen zyrtarë të administratës, një pjesë e pasurive të tyre mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë. Pra të jemi realistë, gjërat t’i trajtojmë ashtu siç duhen trajtuar. Ne sa kemi filluar një punë, sepse pesë vjet janë fillimet e një pune shumë të rëndësishme, por kjo punë duhet thelluar. Pra nga nocionet sasiore, duhet të kalojmë në nocionet e cilësisë”, - deklaroi Presidenti i Republikës Bamir Topi. Numri 1 i shtetit tha se transparenca e pasurive të zyrtarëve është shumë e rëndësishme për besimin e publikut. Ai inkurajoi Inspektoratin në realizimin me sukses të misionit të tij. “Jam i bindur që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë perfeksionohen metodat korruptive dhe aq më shumë duhet të perfeksionohemi ne të gjithë për të nxjerrë metoda shumë cilësore, në mënyrë që të jemi efikas, në mënyrë që të mos jemi sipërfaqësorë, në mënyrë që askush që abuzon me postet publike, të mos e fshehë pasurinë e tij, qoftë pasurinë fizike, qoftë pasurinë monetare, dhe realisht të futemi në një fazë të re. Dhe kjo fazë e re do të kthejë një besim absolut, të plotë te publiku. Ky është misioni juaj shumë i rëndësishëm, misioni qytetar, të cilin ju e keni përmbushur dhe jam i bindur që do të vazhdoni ta përmbushni me sukses”, - tha Topi.
11 Korrik 2008