Amnistia fiskale, financat përulen përpara biznesit
Ministria e Financave përplaset me biznesin. “Ata nuk dëgjojnë, por edhe kur nuk dëgjojnë, nuk dinë të lexojnë. Janë treguar të nxituar” - është shprehur në këtë mënyrë zv.ministri Alfred Rushaj, pas deklaratave të biznesit se nëqoftëse nuk ulen tarifat e rivlerësimit, procesi i amnistisë fiskale do të dështojë. Sipas Rushajt, tanimë ligjin për amnistinë fiskale e kanë në dorë ligjvënësit. “Projektligji do të votohet në seancë plenare, me gjithë propozimet e deputetëve për uljen e tarifave të rivlerësimit. Amendimet janë firmosur dhe kanë kaluar për t’u miratuar në seancë plenare. Në këtë mënyrë, nuk është më në dorën e Ministrisë së Financave për të këmbëngulur që të ruhen tarifat e propozuara prej saj. Në bazë të ligjit, deputetët në komisionet përgjegjëse kanë të drejtë të bëjnë propozime. Kështu që ato janë marrë parasysh dhe janë firmosur”, – u shpreh zv.ministri Rushaj. Sipas tij, tarifat e propozuara nga deputetët e komisionit janë 3 %, nga 6% për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të të gjitha shoqërive dhe 5%, nga 7% për rivlerësimin e të gjitha pajisjeve dhe makinerive të shoqërive. Në të njëjtën kohë, akuzave se draftligji nuk është diskutuar në Këshillin Konsultativ të Biznesit, Rushaj iu përgjigj se biznesi ka pasur mundësinë e konsultimit të draftit dhe debatit publik, pasi Ministria e Financave ka organizuar takim me gjithë grupet e interesit, gjithashtu edhe vetë biznesi organizoi një tryezë të tillë për të diskutuar draftin nga ana teknike. Nga ana tjetër, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, thirri në një takim pa praninë e mediave përfaqësuesit e biznesit shqiptar dhe të huaj që operojnë në vend, të cilët i raportuan atij në lidhje me reformat qeveritare dhe ankesat për procesin e amnistisë fiskale. Ndërsa vetë ambasadori Sequi është shprehur në lidhje me procesin e faljes, se biznesi nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të diskutuar projektligjin. Sipas tij, pas miratimit nga Qeveria, biznesit i është lënë vetëm katër ditë kohë për ta diskutuar, para se drafti të kalonte për shqyrtim në komisionet parlamentare. Ndërsa Komisioni Europian, konkluzionet e këtij takimi, pritet t’i përfshijë në Raportin e Progresit të Shqipërisë për vitin 201,1 që do tu dorëzohet në tetor ministrave të Jashtëm të BE-së. Përsa i përket Amnistisë Fiskale, pritet seanca plenare ku projektligji, sëbashku me amendimet e komisionit, kryesisht për uljen e tarifave të rivlerësimit të votohet.
3% Tarifa e ndryshuar për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të shoqërive
5% Tarifa e ndryshuar për rivlerësimin e pajisjeve dhe makinave të shoqërive