E Diel, 1 Nëntor 2026

Euro dëmton bizneset, konsumatori humb besimin

SHKRUAN: Sabina Veizaj 12-04-2011 14:49

Edhe 2011 po përballet me një mungesë besimi të konsumatorëve për të ardhmen, ashtu siç Banka Qendrore bëri parashikimet për këtë vit. Shtrenjtimi i monedhës europiane është duke dëmtuar bizneset, pasi oferta e tyre përballet me një kërkesë të dobët dhe mosbesuese në treg. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO” në bizneset e kryeqytetit është vënë re një frikë nga ana e atyre që tregtojnë mallra dhe shërbime, si në monedhën kombëtare, ashtu edhe në euro. “E kam biznesin që në 2008, kur një euro këmbehej me 128 lekë. Ndërsa tani, 1 euro këmbehet me 142 lekë. Qiranë e paguaj në euro. Më duhet të punoj tre ditë më shumë, që të plotësoj pjesën e mbetur të parave që janë si pasojë e kursit të lartë të këmbimit”, - u shpreh një tregtare, e cila e ka biznesin në zonën e ish-bllokut, ku edhe qiratë janë më të shtrenjta. Në të njëjtën kohë, edhe agjencitë turistike raportojnë për rënie të klientëve, si për biletari edhe për sektorin e turizmit. “Çmimi i biletave nuk ka ndryshuar, por kursi i këmbimit, me një euro shumë më të shtrenjtë e ka frenuar disi kërkesën e vrullshme për bileta avioni. Ndërsa, përsa i përket paketave turistike, të cilat sapo kanë nisur me fillimin e pranverës, nuk është afruar njeri për të prenotuar. Një udhëtim për në Majorka, vetëm për një person, është 600 euro” - u shpreh një agjente turistike. Nga ana tjetër, edhe çmimet e produkteve bazë rriten çdo javë. Tregtarët e marketeve raportojnë për rritje të çmimeve të mallrave të shportës çdo javë me 10-20 lekë. Sipas tyre, ata janë të detyruar të bëjnë një përzgjedhje të produkteve me të cilat furnizohen, pasi kërkesa sa vjen e është në rënie sepse konsumatori nuk i përballon dot çmimet e larta dhe detyrohet të mos blejë as produktet jetike. Ndërsa euro nuk tundet. Edhe dje, ajo është tregtuar me 142 lekë në agjencitë e këmbimit valutor në kryeqytet. Kurse, sipas kursit zyrtar të këmbimit valutor të Bankës Qendrore, një euro është këmbyer dje me 141,56. Ekspertët nga ana tjetër, parashikojnë një stabilizim të kursit të këmbimit dhe nënvlerësim të monedhës europiane, duke e konsideruar të përkohshme gjendjen aktuale të kursit të këmbimit në tregun e brendshëm. Ata e argumentojnë mbivlerësimin e euros me transferimin e kompanive të huaja të fitimeve të tyre jashtë kufijve dhe gjithashtu me reflektimin e tregut ndërkombëtar në tregun tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›