Bashkia e Tiranës rrit taksat nga 25% deri 250%
Tarifat vendore të Bashkisë së Tiranës për shërbimet e pastrimit, gjelbërimit janë shumëfishuar, por nga ana tjetër cilësia e shërbimeve mbetet po e njëjta. Ja si kanë ndryshuar taksat e bashksië nga viti 2007
Taksat për shërbimet që i takojnë Bashkisë së Tiranës janë rritur në mënyrë të ndjeshme këto vitet e fundit, por ndërkohë që shërbimet nuk kanë shënuar ndonjë përmirësim të dukshëm. Kështu bizneset që zhvillojnë aktivitet brenda territorit të bashkisë paguajnë tarifa të konsiderueshme. Këto tarifa janë rritur në mënyrë të vazhdueshme nga viti 2008, gjë e cila nuk është reflektuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Në vitin 2008, një familje paguante 3600 lekë për tërë vitin, për të siguruar shërbimin e pastrimit nga Bashkia e Tiranës. Një vit më vonë kjo tarifë shkoi në 4500 lekë, ose 25 për qind më shumë se një vit më parë. Të gjitha njësitë tregtare e shitjes me pakicë, nga bulmetoret, fruta-perimet deri te kafenetë, të klasifikuara si biznese të mesme, kanë paguar nga 23 mijë deri në 36 mijë lekë për vitin 2009, ose 30 për qind më shumë se një vit më parë, vetëm për këtë shërbim që autoritetet lokale ofrojnë. Furrat e bukës si biznese të vogla, të cilat prodhojnë një produkt sensitiv, i janë nënshtruar të njëjtës rritje prej 30% gjatë viti 2009, duke paguar 26 mijë lekë. Firmat e mesme të ndërtimit i janë nënshtruar një rritjeje nga 30 deri në 50 për qind për tarifën e pastrimit. Kështu firmat që bëjnë rikonstruksione të pjesshme vetëm për vitin 2009 i kanë paguar Bashkisë së Tiranës 65 mijë lekë, ose 30 për qind më shumë se një vit më parë. Firmat ndërtuese vetëm për selinë administrative të tyre kanë paguar 15 mijë lekë, ose 50% më shumë se në vitin 2008. Bizneset e shërbimit nuk i kanë shpëtuar tarifës së rritur të pastrimit. Hotelet e konsideruara si biznes i vogël kanë paguar 33 për qind më shumë për këtë tarifë, duke derdhur në arkat e bashkisë 8 mijë lekë gjatë vitit 2009. Të njëjtën rritje prej 33 për qind e kanë përjetuar edhe shitësit ambulantë, të cilët për të njëjtin vit i kanë paguar bashkisë për shërbimin e pastrimit dy mijë lekë. Komplekset sportive në kategorinë e biznesit të vogël kanë paguar 12 mijë lekë, ose 20 për qind më shumë se në vitin 2008. Të njëjtën rritje prej 20 për qind e kanë paguar edhe shkollat jopublike dhe kopshtet, ose 2 mijë lekë më shumë se një vit më parë. Rritjen më të madhe në përqindje e kanë përjetuar zanatçinjtë, si këpucarët, marangozët, rrobaqepësit dhe ata që zotërojnë një floktore. Bashkia e Tiranës ka rritur në masën 60% tarifën e pastrimit, ose një shumë prej 8 mijë lekësh. Rritje ka pësuar edhe taksa e gjelbërimit. Bashkia e Tiranës nga viti 2009 e ka rritur nga 50 deri në 250 për qind këtë taksë që nga familjarët deri te bizneset, por kjo nuk është përkthyer në parqe apo lulishte. Familjet e kryeqytetit kanë paguar 5 mijë lekë për vitin 2009, ose 66% më shumë se një vit më parë. Bulmetoret, dyqanet e fruta-perimeve, kafenetë, të klasifikuara si biznese të vogla, i janë nënshtruar një rritjeje prej 140%, ndërsa për ato që janë në grupin e biznesit të madh rritja ka qenë plot 250%. Dyqanet që prodhojnë produkte ushqimore, përfshirë bukën, kanë paguar një taksë gjelbërimi për vitin 2009, 50% më të lartë se një vit më parë. Firmat e ndërtimit të konsideruara si biznese të mesme dhe që kryejnë rikonstruksione të pjesshme në Tiranë kanë paguar një taksë 200% më të lartë në vitin 2009. Ndërsa për selinë administrative, taksa e gjelbërimit është rritur plot 250 për qind. Për bizneset e shërbimit, si hotelet, kjo taksë për 2009-ën është rritur 200%, për bizneset e lojërave të fëmijëve taksa është rritur 150%, në të njëjtën përqindje është rritur edhe për automjetet që transportojnë 4-5 pasagjerë. Përjashtim nga rritja nuk ka bërë as tarifa që aplikon Bashkia e Tiranës për tabelat që vendosin bizneset. Rritja ka variuar nga 50 deri në 100 për qind më 2009-ën. Kështu, tabelat në gjuhën shqipe, për qëllime identifikimi, në vitin 2009 janë rritur me 50%, duke u fiksuar në 1500 lekë. Ndërsa tarifa për tabelat në gjuhë të huaj kanë shkuar në 3 mijë lekë në vit, ose 100% më shumë se në vitin 2008. Tabelat për qëllime reklamimi, të klasifikuara si të zakonshme dhe të përbëra, i janë nënshtruar një rritjeje prej 60%. Bizneset që kanë tabela të tilla paguajnë 10 mijë lekë për metër katror çdo vit. Tarifa për tabelat elektronike ka shkuar në 15 mijë lekë për metër katror në vit, ose 53% më shumë se në vitin 2008. Tarifat për tabelat reklamuese që përdoren në panaire, spektakle dhe aktivitete të ngjashme janë rritur me 100 për qind, duke arritur në 1 mijë lekë për metër katror gjatë vitit 2009.
Tarifat e pastrimit për vitin 2008-2009
Për familjarët ishte 3600 lekë në vit, është bërë 4500 lek në vit. 25% rritje.
Në shitjen me pakicë për bulmet, fruta-perime, artikuj industrialë, bar kafe, rritje 30%.
Për prodhimet ushqimore, buka 30% rritje e tarifës.
Për subjektet e ndërtimit, rikonstruksione të pjesshme 30% rritje për biznesin e mesëm.
Subjekte ndërtuese për selinë administrative 50 % rritje për biznesin e mesëm.
Taksa e gjelbër për vitin 2008-2009
Për familjarët ka qenë 300-500 - 66%.
Biznesi i vogël: Në shitjen me pakicë për bulmet, fruta-perime, artikuj industrialë, bar kafe, rritje
140%.
Biznesi i madh: 250 % rritje.
Për prodhimet ushqimore, buka 50% rritje.
Për subjektet e ndërtimit, rikonstruksione të pjesshme 200% rritje për biznesin e mesëm.
Subjekte ndërtuese për selinë administrative 250% rritje për biznesin e mesëm.
Njësi shërbimi
Hotele, 200% rritje.
Lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura 150% rritje të taksës.
Ambulantë - 40% rritje.
Transport pasagjeresh automjete 4/5 persona 150%.
Tarifat për tabelën gjatë viteve 2007-2008
Njësi shërbimi
Hotele, 33% rritje.
Për njësi shërbimi rrobaqepës, marangoz, këpucar, floktore 60% rritje.
Për komplekse sportive 20% rritje.
Për institucione jopublike të edukimit shkolla, kopshte etj. 20% rritje.
Ambulantë -33% rritje.