Amnistia fiskale, nisin negociatat mes bizneseve dhe Ministrisë së Financave
Ervin KOÇI
Ministria e Financave është ulur më në fund në tryezën e bisedimeve me bizneset për të diskutuar mbi krijimin e një amnistie fiskale. Burime nga MF-ja bëjnë të ditur për “Albania”-n se “titullari i kësaj ministrie, ministri Ridvan Bode, ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e biznesit për të zbatuar amnistinë fiskale”. Sipas burimeve, me urdhër të vet ministrit Bode, është krijuar tashmë grupi i punës me përfaqësues nga tatimet, doganat dhe biznesi, duke bërë kështu dhe takimet e para me grupet e interesit. Takimi i parë është mbajtur disa ditë më parë, ku palët parashtruan opsionet paraprake mbi amnistinë, ndër kohë që dje mësohet të jetë zhvilluar një tjetër takim, kësaj here me përfaqësues të dhomave të tregtisë. Sipas burimeve mësohet gjithashtu se, “në krye të grupit që po punon mbi çështjen e amnistisë është caktuar zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili pasi është njohur me draftin e amnistisë fiskale, ka kërkuar më shumë informacion rreth bizneseve që do të përfitojnë, llojin e të ardhurës, si edhe më shumë të dhëna rreth kompanive”. Me gjithë atë, varianti është parë me sy pozitiv nga Ministria e Financave, e cila ka kërkuar kohë për ta studiuar, ndërkohë që biznesi do të paraqesë të tjera të dhëna.
Negociatat
Për herë të parë, Ministria e Financave pranon të ulet në tryezë me biznesin për të diskutuar rreth amnistisë fiskale, apo siç quhet ndryshe legalizimit të aseteve të pa deklaruara. Drafti i përgatitur nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës synon tatimin me 5 për qind të të ardhurës që nuk është deklaruar për një kohë të caktuar. Në daljen e fundit publike, ministri Bode shprehu rezerva rreth propozimit të Dhomës së Tregtisë, duke nënkuptuar se nuk do të ketë amnisti, reagim që vinte edhe nga debati rreth ligjit për tatimin me 10 për qind të të ardhurave të padeklaruara. Propozimi i Dhomës së Tregtisë së Tiranës është bërë rreth dy vjet më parë, kur tatimet dhe doganat nisën të pastronin bilancet nga gjobat e vjetra. Në atë kohë kreu i Dhomës, Gjokë Uldedaj, hodhi për herë të parë tezën e legalizimit të aseteve të fshehura, të padeklaruara dhe tatuar më parë, për shkaqe të ndryshme. Është pikërisht kjo reformë që i nevojitet biznesit si masë antikrizë, por edhe si reagim ndaj ligjit të sapomiratuar “Antimafia”. Për sa i përket reformës, burime nga MF-ja thonë se, “janë disa kategori biznesesh që do të vëzhgohen me kujdes, sa u takon të ardhurave, llojit të aktivitetit, vendndodhjes etj”.
Ekspertët
Amnistia fiskale është bërë objekt debati mes ekspertëve në këtë fillim-viti, ndërsa bie në sy mungesa e qëndrimeve të politikës, e cila nuk është pozicionuar ende, pro apo kundra. Ndërkohë, kreu i Tatimeve por dhe përfaqësuesit e Doganave janë shprehur pro amnistisë, pavarësisht deklaratave se janë kundër informalitetit. Edhe ministria e Ekonomisë i njeh mirë problemet e biznesit. Sipas përllogaritjeve paraprake, rezulton se vetëm nga sektori i ndërtimit, zbatimi i amnistisë mund të gjenerojë mbi 300 milionë euro, ndërsa i gjithë procesi i kapërcen gjysmë miliardë. Në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian amnistia fiskale kryhet çdo 5-10 vjet dhe ka dhënë rezultate të kënaqshme. Megjithatë, sipas ekspertëve, amnistia shikohet si thikë me dy presa, pasi rrezikon të dëmtojë konkurrencën dhe demoralizojë bizneset e rregullta me pagesën e taksët.
Vendet që kanë aplikuar amnistinë fiskale
Çështja e amnistisë pritet të konkludohet shumë shpejt me një ligj dhe më pas me një zbatim në gjashtë mujorin e ardhshëm. Po cilat janë disa nga vendet që e kanë aplikuar amnistinë fiskale? Më e fundit ka qenë Italia. Në dhjetor të vitit të kaluar, shteti italian vendosi që kompanitë që ushtronin aktivitetin e tyre jashtë vendit, të deklaronin kapitalin dhe të ardhurat gjë që u shoqërua edhe me taksën përkatëse. Falë kësaj u arrit që në pak kohë, arkës së shtetit fqinj t'i shtoheshin 80 miliardë euro. Nëse i referohemi rajonit Greqia ka qenë një ndër shtetet që e ka diskutuar mjaft çështjen e amnistisë fiskale. Shembulli tipik i përsëritjes me sukses disa herë me radhë të kësaj procedure është Rusia, e cila në vitet '90 e aplikoi tre herë amnistinë fiskale.
12 Shkurt 2010