Banda e Durrësit, avokatët e Dokles pyesin të penduarin
Laureta Rryçi
Seanca e radhës për bandën e Durrësit ka nisur me debate mes palëve. Përfshirja në trupën gjykuese e gjyqtares Flora Hajredinaj solli përplasje mes avokatëve dhe drejtuesit të trupit gjykues. Avokatët ngritën pretendimin se seanca do të shtyhej në mënyrë që gjyqtarja të njihej me dosjen, mirëpo gjyqtarja Hajredinaj është shprehur se është njohur me dosjen dhe seanca mund të vijonte. Avokatët e Indrit Dokles, njërit prej të akuzuarve, kanë vazhduar me pyetje për të penduarin e Drejtësisë, Adriatik Colit.
Pyetjet
Avokatët kanë rikthyer edhe njëherë vrasjet dhe ngjarjet për të cilat i penduari ka implikuar klientin e tyre. Sipas burimeve që ishin prezente në sallë, mësohet se i penduari Adriatik Coli ka rikthyer sërish fill e për pe të njëjtat thënie që kishte thënë dhe në momentin që është pyetur nga përfaqësuesit e akuzës. Sipas tij, Dokle ka qenë fillimisht në bandë me Lul Berishën dhe më pas është veçuar pas prishjes së pazareve. Të njëjtat burime shpjeguan se i penduari ka sqaruar se vetëm pas këtij momenti kanë nisur konfliktet mes dy grupeve, ku njëri drejtohej nga Lul Berisha dhe tjetri nga Indrit Dokle. Gjyqi ndaj 16 të akuzuarve për krime të rënda ka nisur që prej 17 qershorit të vitit 2007, ndërkohë që prokuroria ka thirrur rreth 105 dëshmitarë. Të akuzuarit janë arrestuar këto katër vitet e fundit në operacione të ndryshme policore si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Të pandehurit dyshohen se janë autorë të një sërë ngjarjesh kriminale, si disa vrasje e trafiqe ilegale të ndodhura para disa vitesh në Shqipëri. Dëshmitari kyç i këtij procesi që ka kryqëzuar të gjithë të pandehurit, por jo vetëm, është Adriatik Coli, i cili tashmë ka marrë statusin e të penduarit në këtë proces të bujshëm.
Akuzat
Mbi anëtarët e bandës së Durrësit prokuroria ka ngritur disa akuza për vrasje. Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 03.04.2005, ka regjistruar procedimin penal nr. 35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “grupit të strukturuar kriminal të parashikuar nga nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të Kodit Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi, dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.
Vrasja e Tan Dishës
I penduari Adriatik Coli ka deklaruar në seancat e mëparshme që i pandehuri Bujar Gashi ka marrë pjesë në vrasjen e Dritan Dishës, që ka ndodhur në vitin 2000 në Shën Vlash të Durrësit. Për këtë vrasje akuzohen si autorë të dyshuar Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai, aktualisht të arrestuar, dhe Bujar Gashi. Në bazë të hetimeve të prokurorisë rezulton se Tan Dishës i zunë pritë disa anëtarë të bandës së Durrësit. Mësohet se Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi ishin angazhuar për të vrarë Dritan Dishën. Indrit Taullai qëndroi 500 metra para personit që ishte caktuar për të qëlluar mbi Dishën, me qëllim që të sinjalizonte ardhjen e “shënjestrës”. Dyshohet se pas sinjalit të Taullait, e cila ishte një e shtënë pistolete, autorët afrohen dhe dallojnë dritat e një automjeti. Menjëherë ata kanë hapur zjarr mbi automjetin me të cilin po udhëtonte Tan Disha, duke bërë që makina të përfundojë në kanal. Më pas, ata i janë afruar sërish automjetit, duke zbrazur edhe një karikator automatiku prej të cilit Disha mbeti i vdekur në vend.
12 Shkurt 2010