Tatimet: Mallrat dhe shërbimet që do të paguajnë akcizë dhe TVSH-ë
Ervin KOÇI
Administrata Tatimore synon që të bëjë sa më transparente sistemin e ri të taksave dhe tatimeve për të gjitha bizneset. Me synimin për të mos u krijuar rrëmujë apo dezinformim tek subjektet, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vendosur që me anë të një skeme të re të bëjë publike mallrat dhe shërbimet e reja të cilat preken nga pagesa e TVSH-së, akciza, apo dhe të tjera tatime. Tatimet janë fokusuar në menaxhimin e të ardhurave nga taksat, duke bërë edhe një skemë të re për vitin 2010. Një kategori mallrash dhe shërbimesh do të hyjnë në skemën e pagimit të akcizës dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar gjatë vitit 2010. Një produkt, i cili pritet të ketë një rritje të fortë çmimi gjatë vitit 2010, do të jenë gomat e automjeteve, qofshin këto të përdorura apo të reja. Me anë të një vendimi, qeveria kërkon që ta përfshijë këtë kategori në pjesën e mallrave të fortë, siç janë karburantet, cigaret apo pijet alkoolike, edhe birën si dhe disa produkte të tjera të konsideruara si produkte luksi. Një masë e tillë pritet që të ketë ndikime të drejtpërdrejta në çmimin e këtyre produkteve, i cili do të jetë më i lartë për të gjithë konsumatorët vendas, që tashmë këto produkte i kanë të përhershme.
Shërbimet
Një nga shërbimet e tjera që do të përfshihet në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar janë profesionet e lira. Kështu, noterët, avokatët, farmacistët, kontabilistët, dentistët etj., do të detyrohen që të paguajnë një pjesë të fitimeve të tyre si Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Teorikisht, TVSH-ja që aktualisht në pjesën dërrmuese të mallrave dhe shërbimeve është 20 për qind, është një tatim që paguhet nga konsumatori përfundimtar. Pra, edhe në këtë rast, pavarësisht se në buxhetin e shtetit kjo taksë do të paguhet nga personat fizikë apo juridikë që kryejnë aktivitetin e tyre në fushat e quajtura si profesione të lira, pagesat do të bëhen nga ana e konsumatorëve përfundimtarë që do i blejnë këto shërbime. Rritja e çmimeve në këtë rast është e pashmangshme për këto shërbime. Në skemën e një takse të re pritet që të përfshihen edhe shitjet që do të realizohen në rastin e makinave të përdorura. Kjo taksë, e cila do të jetë e ndryshme nga llojet e atyre që përdoren deri tani në vend, do të zëvendësojë pagesën e doganës që bëhet aktualisht për automjetet e përdorura që kalojnë traun në kufirin shqiptar. Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kjo taksë që paguhet në doganë për makinat e përdorura vlerësohet në kundërshtim me rregullat që zbatojnë vendet e tjera që janë aspirante apo anëtare të BE-së. Por sërish makinat e përdorura në vend nuk do të kenë mundësi që të kalojnë traun pa paguar taksën.
Politikat fiskale
Në politikat e reja fiskale afatmesme të qeverisë përfshihen edhe futja e deklaratës personale të të ardhurave, në fund të vitit 2011 dhe draftimi i ligjit të ri integral të TVSH-së në përputhje të plotë me Direktivën 6 të KE-së, sipas tabelës së përcaktuar në përgjigjen e pyetjes 6. Përgatitja e këtij ligji të ri do të bëhet me asistencën teknike të Komisionit Europian, në kuadër të “IPA 2010” dhe do përfundojë në qershor 2013. Në këtë kontekst parashikohet edhe përafrimi gradual i ligjit për akcizat, në përputhje të plotë me Direktivën e KE-së. Përgatitja e përafrimit do të bëhet me asistencën teknike të Komisionit Europian, në kuadër të “IPA 2010”.
12 Shkurt 2010