E Diel, 1 Nëntor 2026

Disiplinimi i transportit rrugor, nënshkruhet marrëveshja për tahografin dixhital

Transporti rrugor në vendin tonë duhet të përshtatet sipas standardeve që kërkon rrjeti ndërkombëtar rrugor. Ndër elementët e sigurisë dhe standardeve është dhe pajisja me skedën dixhitale për çdo automjet, e cila konfirmon bërjen e kolaudimeve të nevojshme mekanike. Pajisja me kartën e tahografit dixhital vjen si një detyrim i Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuar për Europën, për të gjithë shtetet anëtare të Marrëveshjes “Mbi punën e ekipeve të mjeteve në transportin ndërkombëtar rrugor (AETR)”, në bazë të së cilës, të gjithë transportuesit duhet të pajisen me kartat e tahografit dixhital deri në 16 qershor 2010, në të kundërt ata janë të penalizur në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve. Me kartat e tahografit dixhital do të pajisen të gjithë ata drejtues që drejtojnë mjete që janë futur në shërbim për herë të parë pas 1 majit 2006, dhe përkatësisht, mjetet e mallrave mbi 3.5 tonë dhe autobusët. Të gjitha mjetet që aktualisht janë të pajisura me tahografin analog do të vazhdojnë të kryejnë aktivitetin e tyre normal (pa qenë nevoja të pajisen me tahograf dixhital) edhe pas datës 16 qershor. Dje në Ministrinë e Transporteve është nënshkruar Marrëveshja Administrative e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekologjisë, Energjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Detit, të Republikës së Francës, lidhur me kartat e tahografit dixhital. Qëllimi i Marrëveshjes është prodhimi dhe shpërndarja e kartave dixhitale për drejtuesit e mjeteve, organeve të kontrollit në rrugë, ofiçinave të instalimit, kalibrimit dhe inspektimeve periodike të tahografit dixhital, si dhe kartave të kompanive të transportit. Autoriteti i lëshimit të kartave të tahografit dixhital në Shqipëri është caktuar Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›