E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH fillon ristrukturimin e Sistemit të Shpërndarjes

OSSH në kuadër të transformimit dhe ristrukturimit të kompanisë ka vendosur të zvogëlojë dhe të riorganizojë Drejtoritë e Shpërndarjes nga dhjetë në katër: Drejtoria Rajonale Veriore e Shpërndarjes, Drejtoria Rajonale Qendrore e Shpërndarjes; Drejtoria Rajonale Juglindore e Shpërndarjes dhe Drejtoria Rajonale Jugperëndimore e Shpërndarjes. Bazuar mbi këtë plan, Drejtoritë Rajonale të Shpërndarjes do të vendosen në Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Veç kësaj, nga pesë Drejtori të Tensionit të Lartë të shpërndara në të gjithë vendin kompania vendosi të krijojë vetëm një Drejtori të TL-së e cila do ta ketë qendrën e saj në Tiranë. Pas një analize të nevojave të kompanisë dhe me synimin për të krijuar struktura efikase të cilat do të optimalizojnë cilësinë e furnizimit me energji elektrike, kompania vendosi të grupojë këto drejtori në katër rajonale. Kriteret e ndjekura për përcaktimin e tyre janë: numri i konsumatorëve, madhësia, aftësitë operative, menaxhueshmëria, etj. Riorganizimi i sistemit të shpërndarjes të OSSH-së do të fillojë të zbatohet që nga marsi 2010. Ky është hapi i parë i ristrukturimit të sistemit të shpërndarjes. Hapi tjetër do të bëhet në çerekvitin e fundit të vitit 2010. Vendimi për të rigrupuar drejtoritë ndryshon strukturat e menaxhimit dhe të vendimmarrjes. Punonjësit që punojnë shumë dhe gëzojnë integritet në zonat e tyre, i vlerësojmë dhe ata do të vazhdojnë të jenë burimi ynë kryesor i suksesit. Do të donim të theksonim se reforma të brendshme si kjo nuk sjellin asnjë ndryshim në detyrimet e përbashkëta që konsumatorët dhe kompania kanë ndaj njëri tjetrit. OSSH-ja dhe aksioneri kryesor CEZ janë të përkushtuar të punojnë intensivisht për transformimin e kompanisë në një kompani fitimprurëse, profesionale dhe konkurruese në treg.

Çmimet e karburanteve vazhdojnë rritjen e pandalshme në tregun vendas

Tregu i brendshëm i karburanteve ka filluar që të reflektojë lëvizjet e muajve të fundit në bursa, ku çmimet e arit të zi kanë pësuar një rritje krahasuar me periudhat e mëparshme. Vetëm në ditët e fundit, në pikat e karburanteve në vend çmimi i naftës dhe benzinës është rritur me 2 deri në 3 lekë për litër. Importuesit thonë se kjo rritje e re e çmimeve po vjen për shkak të rritjes së çmimit në bursa dhe zhvlerësimit të lekut. Por veç këtyre dy shkaqeve, sipas disa importuesve, çmimi po rritet edhe për shkak të përqendrimit të shkarkimeve vetëm në një pike të vetme, që është Porto Romano. Grosistët dhe pronarët e kompanive të hidrokarbureve në vend ankohen për probleme në Porto Romano. Kur koha është e keqe dhe kur ka dallgë, anijet presin në radhë dhe kjo ka një kosto jo të vogël. Ky vit do të rritet në nivelin ekonomik dhe sipas parashikimeve, pritet rritja e çmimit të fuçive të naftës 80-90 dollarë për fuçi pas qershorit. Krahasuar me majin e vitit të kaluar, çmimi i karburanteve në treg është rritur me gati 10 lekë për litër. Pas shumë javësh vetëm në rritje, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare e ka mbyllur ditën e djeshme në një nivel prej 73 dollarësh për fuçi. Gjatë fundit të vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010, çmimet e arit të zi pësuan një rritje që kaloi 80 dollarë për fuçi, duke treguar se ekonomia botërore kishte shpresa për t’u rimëkëmbur. Kërkesa e lartë për naftë u mbështet edhe nga i ftohti i madh që përfshiu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë të madhe të Europës.

OPEK: Rritje minimale e eksportit të naftës

Rënia në çmimet e arit të zi në bursat ndërkombëtare erdhi pas deklaratës së bërë nga karteli i naftës OPEC. 11 vendet prodhues më të mëdhenj të arit të zi në botë kanë bërë të ditur sipas “Reuters”, se recesioni ekonomik botëror vazhdon që të ulë kërkesën për naftë, në një kohë që nga ana e kartelit ka një rritje të ofertës. OPEC-u bën të ditur se në muajin janar 2010 janë prodhuar 26.80 milionë fuçi, prodhim ky me rreth 150 000 mijë fuçi më shumë. Nga ana tjetër, OPEC vazhdon të besojë se edhe viti 2010 do të jetë i vështirë për sa u përket çmimeve të arit të zi, në një kohë që monedha europaine vazhdon që të humbasë terren ndaj dollarit amerikan.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›