Xhafaj feston në çadër 51-vjetorin
Aristir Lumezi
Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, festoi dje ditëlindjen, në çadrat e grevës së urisë përballë Kryeministrisë, ku ndodhet prej 17 ditësh. Ditëlindja e 51 e gjeti Xhafajn në grevë urie, ndërsa ishte kryesocialisti Edi Rama, i cili e uroi atë në çadrën e grevës, duke i çuar një buqetë të madhe me trëndafila. Ashtu si dhe ditëlindjet e tjera të festuara në ambientet ku zhvillohet greva e urisë, urimet nga grevistët e tjerë për Xhafajn u bënë me ujë, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre ishte edhe më e rënduar. Dje në spital janë dërguar dhe deputetët Besnik Bare dhe Ermonela Felaj, që shfaqën komplikacione me shëndetin e tyre. Bare ishte kthyer pak ditë më parë nga spitali, pasi kishte marrë mjekim, por mjekët i kërkuan atij dje të ndërpriste menjëherë grevën e urisë, për shkak të dobësisë që po paraqiste organizmi i tij. Mësohet se edhe këngëtarja e njohur, Elsa Lila, e cila 10 ditë më parë iu bashkua grevistëve ka qenë gjatë gjithë ditës së djeshme në dhomën e infermierisë, ku ka marrë serum dhe është kontrolluar nga mjekët. Që nga e diela në mbrëmje, në 24 orët e fundit, shtatë grevistë lanë grevën e urisë dhe u dërguan në spitalin infektiv. Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, ndërpreu grevën Nikoll Kola, 52-vjecari nga qyteti i Lezhës, ndërsa pas tij grevisti i 47 që u detyrua të ndërpresë grevën, ishte Shkëlqim Kapllani nga Mallakastra. Më pas u dërgua në spital Agim Seva nga Lushnja, Flora Hasani nga Tirana, Armando Uruçi nga Tiranë si dhe Viktor Hila, nga Guri i Zi i Shkodrës, ndërsa mbrëmë vonë u largua dhe Alket çani, 37 vjeç, duke e çuar në 54 numrin e përgjithshëm të grevistëve të larguar nga greva e urisë. "Janë 15 persona të tjerë që janë më rëndë dhe ne po kujdesemi në mënyrë të veçantë për ta. Por në përgjithësi të gjithë grevistët janë në gjendje të rëndë dhe ne po i mbajnë në monitorim të gjithë parametrat", u shpreh mjekja e grevistëve, Alketa Hila. Gjendja e grevistëve është rënduar dje edhe më shumë si pasojë e kushteve atmosferike, të cilat ndryshojnë dhe përkeqësojnë gjendjen psikologjike dhe fizike të grevistëve. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte dje paradite sërish në Spitalin Infektiv, ku jo vetëm ka takuar deputetët dhe qytetarët grevistë në gjendje të rëndë shëndetësore, por ka ripërsëritur mesazhin për gjetjen e një kompromisi mes palëve. "Kjo është një grevë që jo vetëm nuk do të ndalet me shterimin e fuqive fizike të atyre që e kanë nisur, por do të intensifikohet dhe do të vazhdojë, se shumë të tjerë kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për t'u bërë pjesë e çadrës. Bëj apel për ta zgjidhur me forcën e arsyes këtë krizë dhe për ta zgjidhur në interes të të gjithëve dhe jo për t'u vendosur në barrikadë në pozicionin kokëfortë të pushtetit", theksoi Rama nga spitali infektiv.