E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: “Aleanca Rama-Berisha, mburojë e korrupsionit”

Kreu i LSI-së, akuza ndaj bashkëpunimit midis kryetarëve të PS-së dhe PD-së

Shaban Sulçe

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka shtuar dozat e akuzave ndaj bashkëpunimit të kreut të PS-së, Edi Rama, me kryetarin e PD-së dhe kryeministrin Sali Berisha. Meta ka deklaruar se aleanca Rama-Berisha jo vetëm që po kanos parimet e demokracisë në vend, por mbi të gjitha është kthyer në një aleancë mburojë për korrupsionin. Ai theksoi se zëri i vetëm i opozitës mbetet LSI-ja, e cila përfaqëson me dinjitet të majtën shqiptare. “Sot kemi një situatë paradoksale në Shqipëri dhe për fat të keq e vetmja opozitë në vend mbetet LSI-ja, dhe disa faktorë të tjerë opozitare. Sipas tij, kjo situatë paradoksale vjen si pasojë e forcimit gjithnjë edhe më shumë të një aleance të fortë midis Berishës dhe drejtuesit aktual të PS-së, z. Rama. Kjo aleancë e errët, tha Meta, është një aleancë kundër institucioneve, kundër Kushtetutës, kundër pavarësisë së Gjyqësorit, kundër pozicionit kushtetues të Presidentit”, - tha Meta, i cili ka qenë i pranishëm gjatë një takimi të zhvilluar me gra dhe vajza, anëtare të LSI në minibashkinë numër 6 në Tiranë, ose siç njihet ndryshe Zona e Kombinatit.
Takimi
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kreu i LSI-së e kritikoi Ramën edhe përsa i përket drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Meta tha se Rama e ka braktisur kryeqytetin dhe se ai nuk po kujdeset as për zgjidhjen e një problemi jetik, siç është çështja e furnizimit me ujë të pijshëm. “Është gjithashtu një situatë paradoksale, sepse kryetari i Bashkisë e ka lënë këtë detyrë, detyrë që për hir së të vërtetës u bë me votat tona dhe të tuajat, ndërsa kryeqyteti vuan për ujin e pijshëm, për më shumë ajër të pastër, për më shumë hapësirë për fëmijët etj.”, - theksoi ai.
Përfaqësimi
Gjatë takimit të zhvilluar me gratë dhe vajzat, anëtare të LSI-së, Ilir Meta është ndalur edhe në rëndësinë e patjetërsueshme që ka jo vetëm rritja e përfaqësimit të grave në politikë, por edhe integrimi dhe zgjidhja e problemeve të tyre. Ai theksoi se problemi i grave dhe i vajzave shqiptare është një problem, jo thjesht i tyre, por një problem i të gjithë shoqërisë. “Nuk është thjesht një çështje kuotash dhe përqindjesh nëpër forumet e partive politike, apo edhe në qeverisjen e vendit,
por është një çështje e madhe që ka të bëjë me vetë integrimin dhe forcimin e familjes sonë, me vetë modernizimin dhe humanizimin e mëtejshëm të shoqërisë sonë, dhe në veçanti me krijimin dhe edukimin e një brezi të ri në të ardhmen, që do të garantojë një shoqëri që të japë garanci për të gjithë dhe jo vetëm për disa. Ndaj pjesëmarrja juaj në këto forume, në këto takime është garanci për vendimmarrjen, për përfaqësimin tuaj që ju të vendosni për të ardhmen tuaj sot dhe nesër në parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Brokaj: “Dosjet e spiunëve, lojë politike për të harruar Gërdecin”

Nënkryetari i LSI-së, Zabit Brokaj, e ka cilësuar çështjen e hapjes së dosjeve jo vetëm si një lojë politike të Berishës, por edhe si tentativë e tij për të tërhequr vëmendjen nga Gërdeci.
“Unë mendoj se janë thjesht lojëra politike. Megjithëse në tragjedinë e Gërdecit, qeveria dhe Berisha u ndihmua nga Partia Socialiste, për ta zhvendosur dhe për ta minimizuar, ajo del si një problem i madh në vazhdimësi. Ndaj kërkohet nga PD-ja që të krijojë fokuse të tjera jashtë Gërdecit, dhe këtë radhë u gjet fokusi i spiunëve. Unë e gjykoj se është karagjozllëku i radhës, sepse Partia Demokratike dikur krijoi një Komision të tillë në ’96 dhe ai komision u mor me politikanët, por jo me spiunët, për të eliminuar ata që rivalizonin dhe që ishin kundërshtarë politikë të Partisë Demokratike. U krijua edhe nga Partia Socialiste, komisioni i së cilës veproi shumë mirë dhe për çudi partitë e mëdha, që sot janë ato që synonin edhe atëherë, e eliminuan këtë qëllim. E eliminuan këtë gjë për të lejuar shoshën, ku kalonin të gjithë spiunët apo keqbërësit në politikë”, - tha Brokaj.

Minxhozi: “Qeveria po përbuz minatorët”
Deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, i ka bërë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Berisha që të mos përbuz minatorët grevistë, por të ndërhyjë dhe të plotësojë kërkesat e tyre të ligjshme dhe të drejta. Minxhozi tha se është e patolerueshme që një qeveri trajtojnë me indiferencë protestën e një kategorie të rëndësishme si minatorët. Deputeti socialist tha se Berisha prej kohësh ka shkelur premtimet e bëra minatorëve. “Përbuzja e qeverisë për minatorët është e pashembullt. Nuk janë njerëz të tjerë, janë po ata që kontribuuan të parët për demokracinë në Shqipëri. Ku është kryeministri Berisha? 17 vjet më parë ai i quante këta njerëz dallëndyshet e para të demokracisë dhe u premtoi atyre shumë më shumë gjëra nga sa ata kërkojnë sot.
Zoti Berisha vlerësoni kontributin e gjithanshëm të minatorëve, të paktën takojini ata, pavarësisht se ato meritojnë shumë më tepër. Indiferenca juaj është pafalshme, ajo bie ndesh me elementar më thelbësorë të demokracisë që të gjitha duam të ndërtojmë. Ju kujtoj, zoti Berisha, se me këtë qëndrim ju dëmtoni rëndë edhe imazhin e vendit tonë te partnerët tanë dhe më gjerë”, - tha deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi.

Harasani: “Berisha të ikë, varfëroi shqiptarët”

Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, deklaroi se kryeministri Berisha dhe qeveria e tij duhet të japin dorëheqjen sa më parë, pasi kanë shkaktuar vetëm mjerim dhe varfëri te shqiptarët e thjeshtë. Harasani tha se vendi po pëson një nivel të lartë inflacioni dhe se rritja e pagave që akordoi qeveria është në nivel të papërfillshëm. “Me një inflacion të hapur të deklaruar në masën 4 për qind, por që në të vërtetë i ka kapërcyer edhe dy-tre pikë të tjera dhe është pothuaj në nivelin 7 për qind e ndoshta diçka më shumë, kjo rritje page është në fakt vetëm një indeksim i tyre”, - tha Harasani. Ai theksoi se Berisha duhet të lërë mënjanë demagogjitë, por të largohet për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik të shqiptarëve. “Ka një milion e një arsye se pse Berisha dhe kjo qeveri duhet të largohet një orë e më parë nga vendi. Ka gjithashtu dhe një arsye të madhe që ky njeri i paaftë të ikë; mbas çdo pjate supë të munguar në tryezat e shqiptarëve, pas çdo kafshate më pak në këto tryeza, ata mund të shohin paratë që përfundojnë në pak duar dhe numërohen në tryezën e kryeministrit të tyre gënjeshtar dhe të paaftë”, - tha ai.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›