E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteri i deklarimit të pasurisë “bën lëmsh” grupin e punës në Presidencë

33 kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë nuk janë subjekte të ILDKP

Shaban Sulçe
Kriteri i propozuar nga dy partitë e mëdha, PS e PD, për deklarimin dhe verifikimin e pasurive për kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, pritet të shkaktojë vonesa dhe, pse jo, konfuzion në procesin e përzgjedhjes së 5 kandidaturave përfundimtare. Arsyeja është e lidhur me faktin, se pjesa më e madhe e 105 kandidaturave të paraqitura deri tani nuk përfshihen në gamën e zyrtarëve që duhet të deklarojnë pasurinë sipas ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive. Më shumë se 30 kandidatë nuk janë subjekte të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, çka do të thotë se kriteri i vendosur nga dy partitë e mëdha pritet të shkaktojë amulli në grupin e punës, që është krijuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Verifikimi
Dy ditë më parë ka përfunduar afati i dorëzimit të deklaratave të pasurisë së 105 kandidatëve që kanë aplikuar në Presidencë, për t’u propozuar për zgjedhjen si anëtar të Gjykatës së Lartë.
Mësohet se të gjithë kandidatët kanë dorëzuar deklaratat, por problem mbetet verifikimi i tyre. Ndërsa për kandidatët që kanë qenë subjekte të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, verifikimi i deklaratave të tyre mund të rezultojë një proces më i lehtë, e kundërta pritet të ndodh me kandidatët që nuk janë subjekte të ILDKP-së. Për grupin e punës në Presidencë kjo pritet të shkaktojë jo vetëm vonesa, por edhe “dhembje koke”. Askush nuk do të dijë se si do të bëhet verifikimi i deklaratave të pasurisë të kandidatëve që nuk e kanë bërë ndonjëherë deklarimin periodik të pasurisë së tyre në Inspektorat. As presidenti dhe as grupi i punës nuk e kanë kompetencë ligjore verifikimin e pasurisë së kandidatëve, aq më tepër të atyre që nuk janë subjekte që përfshin ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurive.
Kandidatët
Në listën e 105 kandidaturave që kanë aplikuar për t’u përzgjedhur nga presidenti si anëtarë të Gjykatës së Lartë, 33 prej tyre nuk e kanë të detyruar me ligj deklarimin periodik të pasurisë së tyre. Kjo pasi shumica prej tyre janë profesionistë, të cilët punojnë privatisht, kryesisht avokat, apo në organizata ndërkombëtare dhe institucione arsimore, dhe jo në institucione shtetërore apo në gjykata. Ndërkohë, pjesa tjetër e kandidatëve, të cilët punojnë në sistemin gjyqësor, apo edhe në institucione shtetërore, kanë dorëzuar në mënyrë periodike deklaratat e tyre të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Dy ditë më parë, gazeta “Albania” zbardhi deklaratat e pasurisë së 10 prej kandidatëve VIP që kishin aplikuar për t’u përzgjedhur anëtarë të Gjykatës së Lartë nga ana e Presidentit të Republikës. Nga zbardhja e deklaratave të pasurisë së tyre rezultoi se kandidatët në fjalë kishin pasuri të konsiderueshme, me shifra disa milionëshe.
Deklarimi i pasurisë
Në fund të muajit qershor, grupi i punës së krijuar nga Presidenti i Republikës vendosi që t’u kërkojë të gjithë kandidatëve që nuk janë të detyruar të deklarojnë pasurinë pranë ILDKP-së, ta bëjnë një gjë të tillë në Zyrën Juridike të Presidentit brenda 3 korrikut. “Në funksion të transparencës së procesit dhe të emrave të paraqitur, ftohen të gjithë kandidatët, të cilët nuk kanë mbartur detyrimin për deklarim të pasurisë sipas ligjit, të depozitojnë pranë Zyrës Juridike të Presidentit brenda fundit të ditës së enjte, 3 korrik 2008, deklarimin e pasurisë së tyre, burimin e saj si dhe të detyrimeve financiare sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”. Ky deklarim duhet të shoqërohet me autorizimin e kandidatit për verifikim të të dhënave të paraqitura”, - shkruhej në njoftimin e bërë publik nga grupi i punës së krijuar nga Presidenti për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, KLD-ja do të informojë presidentin për deklarimet e pasurisë së gjyqtarëve, të cilët kanë paraqitur kërkesë për në Gjykatën e Lartë.
Dekretimi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet që brenda dy javëve të para të muajit korrik të dekretojë 5 emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Këtë gjë Topi do ta bëjë pasi të ketë marrë edhe konkluzionet përfundimtare të arritura nga grupi i ekspertëve, i krijuar posaçërisht për këtë çështje. Grupi i ekspertëve pritet që shumë shpejt t’i paraqesë presidentit Topi të gjithë informacionin lidhur me kandidaturat e paraqitura dhe informacionin nëse ato plotësojnë kriteret e vendosura apo jo, nga Presidenti i Republikës dhe nga partitë parlamentare. Pas dekretimit, 5 kandidaturat e reja do të marrin pjesë në një seancë dëgjimore, që do të zhvillohet në Parlament, ndërkohë që më pas do të kryhet nga deputetët votimi për miratimin ose jo të kandidaturave të tyre për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Kandidatët që nuk përfshihen në ligjin për deklarimin e pasurive
1.Burham Malevi
2.Neshat Fana
3.Andi Çeliku
4.Evelina Qirjako
5.Gjet Kola
6.Elida Take
7.Petraq Çurri
8.Musa Breçani
9.Vasil Bendo
10.Hanëme Bakia
11.Valentina Teodoresku
12.Marenglen Rrapi
13.Sinan Tafaj
14.Agron Cami
15.Fatos Dervishi
16.Zef Nikaj
17.Besnik Çollaku
18.Mimoza Arbi
19.Roland Mici
20.Zef Nikaj
21.Arben Qeleshi
22.Artan Gjylbegaj
23.Bashkim Cami
24.Vjollca Meçaj
25.Skënder Demiraj
26.Prel Martini
27.Mariana Semini
28.Luljeta Xhixho
29.Luan Daci
30.Irena Kedhi
31.Juliana Latifi
32.Bashkim Caka
33.Anastas Duro

BOX

Kriteret
Pas një pune 10-ditore, në datën 1 të këtij muaji grupi i ekspertëve ligjorë, që po ofron asistencën juridike mbi standardet në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ka shqyrtuar propozimet e ardhura nga grupet parlamentare si dhe propozimet e ekspertëve për kriteret dhe standardet e vlerësimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të këtij procesi, grupi i ekspertëve i sugjeroi presidentit që në vlerësimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë të marrë në konsideratë edhe kriteret e mëposhtme: Arsimi i lartë juridik, mënyra e kryerjes së tij, kualifikime shkencore. Vjetërsia në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër gjyqësorit.
Për periudhën ligjore të vjetërsisë, të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna. Integriteti i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale. Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, të mos ketë pasur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij. Tregues të lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit (vendime gjyqësore, pretenca, parashtresa). Tregues intelektualë të kandidatit jashtë ushtrimit të profesionit (botime, artikuj shkencorë, kryesisht në fushën juridike.) Të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Të inkurajohet karriera gjyqësore.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›