E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në Rregullore, Topalli merr kompetenca për miratimin e dekreteve

Këshilli i Rregullores përfundon misionin për ndryshimin e dokumentit

Eljona Ballhysa
Pas gati dy orë e gjysmë debatesh, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet ka përfunduar draftin konsensual, i cili pritet të miratohet në seancën parlamentare të ditës së hënë. Anëtarët e Këshillit kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e maxhorancës dhe të opozitës kanë rënë dakord për pikën më të nxehtë të debatit, atë të emërimit të anëtarëve të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura. Për këtë pikë palët kanë rënë dakord që t’i kalojnë kompetenca negociuese kryetares së Kuvendit, për të zgjidhur ngërçin me institucionet propozuese të kandidaturave.
Ndryshimet
Kështu, përsa i përket emërimit të anëtarëve të institucioneve të pavarura, në rastet kur vërehet nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve se një kandidat nuk i plotëson kriteret e përcaktuara në ligj, atëherë kompetencat i kalojnë kryetares së Kuvendit, e cila më pas kontakton kryetarin e institucionin që ka bërë propozimin. Në një rast të tillë Kuvendi nuk vepron nëse nuk merr përgjigje nga institucioni që ka bërë propozimin për anëtarin e një institucioni kushtetues apo të pavarur. Në ndryshimet e propozuara për Rregulloren e Kuvendit parashikohet një afat 30-ditor nga skadimi i mandatit për postin respektiv, që Kuvendi të miratojë ose jo kandidaturën. Ky nen i Rregullores pritet të plotësohet nëpërmjet një ligji që i përcakton gjithashtu afate institucionit propozues. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit për Rregulloren palët kanë miratuar dhe propozimin e deputetit të Partisë Socialiste, Ylli Bufi, për ngritjen e një komisioni të përhershëm parlamentar, i cili do të merret me ndryshimet kushtetuese, sa herë që lind nevoja e tyre, ose ka propozime për ndryshime. Po kështu, anëtarët e Këshillit të Rregullores kanë miratuar propozimin për realizimin e seancave dëgjimore të anëtarëve të dekretuar nga presidenti për Gjykatën e Lartë. Anëtarët e këtij Këshilli kanë rënë dakord dhe për përshtatjen e ndryshimeve kushtetuese në Rregulloren e Kuvendit. Kështu, janë miratuar procedurat që do të ndjekë Kuvendi në rastin kur kryeministri kërkon mocion besimi për kabinetin qeveritar.
Deklaratat
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Rregullores, dy deputetët opozitarë, Neritan Ceka dhe Besnik Dervishi, konfirmuan për mediat ndryshimet e miratuara për Rregulloren e Kuvendit. “Çështja më e diskutueshme ishte mënyra se si do të procedojë Kuvendi në rastet e propozimeve që vijnë nga Këshilli i Ministrave, nga Presidenti ose nga KLD-ja. Dhe gjetëm zgjidhjen, që siguron integritetin ligjor të kandidatëve dhe nuk krijon konflikte. Kur komisioni konstaton që kur kandidati nuk i plotëson kushtet ligjore, atëherë kjo kompetencë i kalon kryetarit të Kuvendit për ta diskutuar me institucionet propozuese, para se të kalojë në seancë plenare”, - ka shpjeguar Ceka. Ndërsa deputeti i PS-së Dervishi u shpreh se Këshilli përcaktoi qartë rastet kur Kuvendi e ka kompetencë të vetën si propozimin, ashtu edhe emërimin e anëtarëve në organe të pavarura, siç është rasti i tre anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Është përcaktuar qartë dhe procedura kur Kuvendi emëron anëtarët e këtyre organeve ose institucioneve kur ato propozohen nga institucione të ndryshme, siç është rasti i enteve rregullatore që propozohen nga Këshilli i Ministrave, si p.sh.: Enti Rregullator i Energjisë, i Telekomunikacioneve, Ujit etj. Gjithashtu, sipas Dervishit, në Rregulloren e Kuvendit janë përcaktuar dhe procedurat që ndiqen nga Kuvendi në rastin e dhënies së pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës.

Presidenti Topi negocion me qeverinë për minatorët

Këshilltarë të Presidentit të Republikës zhvilluan dje në Presidencë një takim më përfaqësues të minatorëve grevistë. Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e minatorëve, pasi kanë falënderuar për qëndrimin dhe përkujdesjen ndaj shëndetit të grevistëve, kërkuan mbështetje të mëtejshme në funksion të plotësimit të kërkesave të bëra publike për qeverinë. Këshilltarët e Presidentit të Republikës informuan përfaqësuesit e minatorëve se institucioni i Presidentit ka inkurajuar publikisht gjatë vizitës së kreut të shtetit në Bulqizë në 12 shkurt 2008, miratimin e statusit të minatorit dhe gjatë ditëve të grevës i ka kërkuar ministrit të Shëndetësisë që të asistojë me shërbim të kualifikuar shëndetësor, gjë që po realizohet me shërbim njëzetekatërorësh. Sipas këshilltarëve, Presidenti i Republikës inkurajon linjat e funksionimit ndërinstitucional, që i shërbejnë dialogut dhe zgjidhjeve ligjore të problemit.

Tatimet, kontroll në 1141 subjekte gjatë muajit qershor

Grupet e Task-Forcës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë ushtruar kontroll në rreth 1141 subjekte gjatë muajit qershor. Burime zyrtare të DPT-së bënë të ditur se kontrolli i Task-Forcës kishte si subjekt verifikimin e subjekteve për regjistrimin e tyre në organin tatimor dhe deklarimin e punonjësve për sigurime shoqërore. Sipas burimeve të mësipërme, kontrollet janë ushtruar në subjekte me aktivitet fason dhe ndërtim, por edhe në sektorin e transportit për regjistrimin në organin tatimor dhe lëvizjen e dokumentuar të mallrave, në akset rrugore hyrëse të qytetit të Tiranës. Gjithashtu, grupet Task-Forcë kanë ushtruar gjatë muajit qershor kontrolle në zonat e plazhit në subjekte me aktivitet bar-restorant-hotel dhe ndërtim, si dhe në rrethet Bulqizë dhe Mat, për verifikim e subjekteve me aktivitet "prodhim-tregtim kromi". Nga kontrollet e muajit qershor 2008 janë bllokuar për mos regjistrim në organin tatimor 41 subjekte, si dhe 47 leje qarkullimi. Po kështu, nga kontrollet e ushtruara pothuaj në të gjitha rrethet janë vendosur gjithsej 131 gjoba me vlerë 8.226.000 lekë. Gjithashtu janë vendosur 115 gjoba me vlerë 7.270.000 lekë për mosregjistrim të punonjësve në Sigurimet Shoqërore, ku numri i punonjësve të padeklaruar rezulton 727, si dhe janë vendosur 16 gjoba me vlerë 956.000 lekë për TVSH-në. Sipas të dhënave zyrtare të DPT-së, gjatë muajit qershor janë konfiskuar edhe mallra të akcizës si cigare, pije alkoolike, si dhe janë kryer 24 sekuestrime, nga të cilat në masë të madhe kanë qenë pijet alkoolike me rreth 1542 litra.

Çmimi i naftës, vazhdon rritja në tregun vendas

Çmimi i naftës në tregun botëror vazhdon të rritet dhe po reflektohet edhe në tregun shqiptar, ku çmimi i 1 litri diezel, po arrin 170 lekë. Luhatshmëria e çmimit të naftës gjatë këtyre muajve të fundit ka ardhur kryesisht nga diferencat midis kapaciteteve përpunuese dhe kërkesës, si dhe nga tensionet e rritura gjeopolitike. Ndërsa më parë ekzistonte një dallim i theksuar ndërmjet çmimit të naftës, që vinte kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të ish-Bashkimit Sovjetik, prej nga vendi ynë importon gati plotësisht naftën, tashmë të dyja çmimet janë pothuajse të njëjta. Nga ana tjetër, kjo rritje çmimi ka dhënë ndikimin e vet direkt duke u bërë burim i drejtpërdrejtë presionesh inflacioniste në dallim nga periudha e kaluar, kur për shkak të peshës së vogël që zinte ky mall në shportën e indeksit të çmimit të konsumit, ndikimi i tij reduktohej në efekte jo të drejtpërdrejta të karakterit sezonal. Në këto kushte, në çmimet e shërbimeve dhe të transportit, pavarësisht peshës së vogël që zë, nafta ka rritur mesatarisht me 0.5 pikë përqindjeje rritjen vjetore të kostos së jetesës këto muaj. Por gjithashtu, rritja e çmimit të naftës ka shtuar koston e produkteve të tjera.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›