E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amoraliteti i reagimit ndaj ligjit të lustracionit



Ditët e fundit vihet re se përfaqësues të forumeve të ndryshme perëndimore apo diplomatike të vendeve evropiane paraqiten shumë të shqetësuar kur u bie rasti të bëjnë komentet e tyre mbi të ashtuquajturin “ligjin e lustracionit” ose siç njihet rëndom “ligji i dosjeve”, të miratuar nga mazhoranca parlamentare shqiptare. Me habi të madhe vërejmë pasaktësitë e ndërkombëtarëve në raport me “drejtësinë shqiptare” dhe “shkeljen e kushtetutës” së Shqipërisë! Ata konsumojnë influencën dhe prestigjin e tyre për të kritikuar apo “frenuar” këtë ligj, vetëm e vetëm të mos preken gjyqtarë dhe prokuroret e inkriminuar, me idenë se kështu po kontribuojnë në procesin e shëndoshjes dhe konsolidimit të pushtetit gjyqësor në vendin tonë dhe rrjedhimisht, në përmirësimin e standardeve të demokracisë shqiptare(!). Mbrojtja që ndërkombëtarët rreken t’i bëjnë kastës së juristëve të inkriminuar të diktaturës i ka nxitur këta të fundit që, nëpërmjet Shoqatës Kombëtare të Prokuroreve të paraqesin ankimim në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e këtij ligji dhe rishqyrtimin e tij.

Pikësëpari duhet t’u kujtojmë përfaqësuesve ndërkombëtarë se shoqëria shqiptare pa diskutim që e njeh kontributin perëndimor në një moment të rëndësishëm të historisë së saj, siç është përmbysja e komunizmit dhe fillimi i tranzicionit demokratik. Por ne shqiptaret, në këta 18 vjet, duke huazuar mjaft nga kultura perëndimore, kemi mësuar mjaft për të bërë dallimin mes së mirës dhe së keqes, mes parimeve të drejtësisë universale dhe asaj koniunkturale dhe klienteliste. Përpara vlerave kombëtare, vlerat e tjera, qofshin ato juridike, estetike apo politike e diplomatike, zhvishen nga sovraniteti i tyre. Ligji i dosjeve përfaqëson pikërisht idenë dhe forcën juridike për t’i dhënë fund falsitetit juridik, mashtrimit dhe fshehjes së krimit, qoftë ai edhe kushtetues, në emër të një morali të ri demokratik e kombëtar, të spastrimit dhe të rindërtimit të institucioneve të reja demokratike, pa komplekset e së shkuarës që na mbajtën peng edhe në këto vite të gjata të tranzicionit post-komunist. Zhvillimet demokratike dhe institucionale në Shqipëri nuk duhet të shkëputen kurrsesi nga konteksti shqiptar dhe t’i gjykosh sipas kritereve e standardeve që parashikojnë kartat e të drejtave që kanë miratuar organizma të lartë dhe përfaqësuese ekzekutive si KE-ja. Drejtësia ose më mirë pseudodrejtësia në vendin tonë ka një gjenezë, që fillon pikërisht nga momentet më të errëta të diktaturës. Këto janë fakte që nuk duhet të zbehin apo të errësojnë parimet. Në vitet 1990 ne nuk kishim një klasë të re juristësh dhe profesionistësh të pavarur, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj shprehjeje, që të udhëhiqnin reformimin e sistemit të drejtësisë dhe të siguronin pavarësinë e tij nga pushtetet e tjera. Historia e drejtësisë shqiptare në këta 18 vjet, ndonëse e pajisur me etiketa të ndryshme pavarësie dhe përkushtimi kushtetues dhe ligjor, ka qenë e dëmtuar nga nënshtrimi i turpshëm te politika, sipas kallëpeve të vjetra të zakoneve komuniste.

Këtë “drejtësi” në më të shumtën e rasteve e kanë drejtuar ish-gjykatës dhe ish-prokurorë të kohës së diktaturës, të cilët sot e quajnë veten “të pafajshëm” me argumentin qesharak se “nuk është provuar fajësia e tyre me vendim gjyqësor të formës së prerë”, në kohën kur kanë ushtruar detyrën(!). A thua se vendimin e kundërt do ta merrnin vetë për veten e tyre! Ndërkombëtarët nuk duhet të preken nga ky “lejfenizëm”, pasi janë pikërisht monstra të tillë që kanë mbajtur peng për gati 2 dekada procesin e reformimit të drejtësisë shqiptare. Monstra të tillë nuk mund t’i mbrojë asnjë kushtetutë demokratike në botë, pasi kushtetutat e vërteta nuk mbrojnë kurrë parime klienteliste, por përfaqësojnë një frymë kombëtare, që i sheshon përfundimisht dallimet “klasore” apo “politike” mes të gjithë shtetasve, dhe i jep dënimin e merituar përfaqësuesve të krimit dhe nxitësve të urrejtjes klasore, ish-prokurorët dhe ish-gjykatësit e diktaturës edhe pse të plakur dhe të zhytur në llucën e krimeve dhe urrejtjeve politike e klasore, kanë një vullnet diabolik për të mbetur në kupolën e drejtësisë. Dhe mbahen fort te kushtetuta! Po ç’është kushtetuta? Ajo është pikërisht zgjidhja e problemit të sovranitetit, të raporteve mes shoqërisë dhe moralit njerëzor. Shqipëria, si një komb i caktuar me një popullsi të dhënë, me zakonet e saj, me marrëdhëniet shoqërore e politike, duhet të gjejë ligjet që i përshtaten. Këtij problemi nuk ia dalin dot të tjerët, duke u mbështetur në eksperiencat e tyre, pasi ata po keqkuptohen, duke menduar se ne po shkatërrojmë trashëgiminë tonë juridike. Në të vërtetë, ne po i kthejmë kombit autoritetin e tij moral dhe politik. Duke e shkëputur këtë drejtësi nga ajo traditë, duke dënuar krimet e komunizmit dhe duke rehabilituar plotësisht ish-të dënuarit politikë, ne po rigjenerojmë shpirtin kombëtar në përputhje të plotë me parimet e reja demokratike dhe frymën e integrimit evropian. Ja përse reagimi i ndërkombëtarëve nuk është i përputhur me realitetin dhe shkon ndesh me përpjekjet tona për t’u shkëputur nga e kaluara komuniste e kriminale.

*Kryetar i PBKD-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›