Sinjalistikë me mungesa
Infrastruktura
Vendet perëndimore, kur përcaktojnë standarde të sigurisë rrugore, kanë parasysh që në asnjë rast humbja e jetës së njeriut kur qarkullon me automjet të mos vijë për shkak të mungesës së elementëve të sigurisë së rrugës, apo për faj të automjetit. është fakt që në këto 19 vite, investimet për ndërtimin e akseve të reja rrugore dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese kanë qenë në nivele mjaft të larta. Por nëse investimet kanë qenë të larta në vlerë, standardet e domosdoshme për sigurinë rrugore janë shumë larg nivelit të standardeve që aplikohen në vendet e BE-së e më gjerë. E keqja është se këto mungesa standardesh “legalizohen” në mënyrën më absurde, kur segmente rrugore të papërfunduara dhe pa asnjë lloj sinjalistike inaugurohen nga vetë Kryeministri apo ministra të qeverisë. Segmentet rrugore në përgjithësi vuajnë nga moskompletimi i tyre me elementët e duhur teknikë të përcaktuar në dispozitat ligjore të Kodit Rrugor. Mungesë e theksuar e elementëve mbrojtës dhe ndihmës, një sistem sinjalizimi jouniform dhe joefikas që në shumicën e rasteve bëhet premisë për aksidente rrugore dhe nuk i shërben parandalimit të tyre. Vazhdon të mos zbatohet standardi i auditimit, kolaudimit dhe vënies në përdorim të akseve rrugore pas përfundimit të plotë të tij me të gjithë elementët e projektit. Rasti më flagrant është inaugurimi dhe vënia në funksionim, akoma pa përfunduar e pa u dorëzuar, e aksit Rrëshen–Kalimash dhe tashmë ka disa muaj që vuajmë pasojat, jo vetëm të bllokimit të këtij segmenti, për shkak të dëmtimeve serioze, por dhe të kostove shtesë që kërkon rehabilitimi i tyre.
#