Ana Bolena anemike

Regji e padukshme, probleme me vokalin, karaktere të parealizuar dhe interpretim i mekur në "Ana Bolenën" me regji të italianes Eleonora Paternit.
Në krye të herës regjisorja foli për freski, punë të madhe me interpretimin, dhe personazhe të spikatur. Një nivel i tillë, shtron pyetjen: Përse u hapen kaq lehtë dyert të huajve në Shqipëri?
Mllefe, shpirtra të tradhtuar, padrejtësi, etje për fron mbretëror dhe një loja e ndyrë e burrit të pushtetshëm. E ç'mund të duan më tepër ca njerëz prej mishi dhe gjaku të ngrejnë peshë një sallë teatri?
Një shfaqje që regjisorja e kish braktisur, ua kish besuar interpretuesve, skenografisë dhe kostumeve. Ky ishte i vetmi vendim që duhet të besoje pas Ana Bolenës (Anna Bolena, 1830) të Eleonora Paternitit, ku dukej sheshit që nuk ishte punuar me figurën kryesore të shfaqjes, me interpretimin e disa solistëve, komunikimin mes tyre, me korin.
"Anna Bolena" shfaqet për herë të fundit sonte, ora 19.00, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Natën e tretë spektatori mbushte vetëm ¼ e sallës.
Fjala është për mbretëreshën e Anglisë. Ajo përbuzet nga burri i saj Enriku VIII, që kërkon një pretekst për t'u çliruar dhe për t'u martuar me Xhovana Seymourin, një grua e re, e hijshme dhe e përdredhur. Një histori banale, nga ato që shpesh të shtyn të besosh që opera do të vdiste po të mos dëgjohej dhe t'i jepte jetë muzika e klasikëve këtyre libreteve të mërzitshëm.
Freskia e shfaqjes është shqetësimi më i madh për regjisorët e këtyre veprave.
Por Paterniti ynë e kishte zgjedhur qysh herët këtë problem.
Ajo kishte ardhur me një ide të qartë për Ana Bolenën shqiptare. Në fokus të saj do ishte gruaja në mesjetë, gruaja e shtypur nga burri, gruaja që di t'i përdorë armët e joshjes.
"Sapo largoheshin nga burrat dhe gjendeshin në dhomat e mbretëreshës, në dhomat e shthurjes, aty bëheshin të hidhura. Flisnin si burra, tregonin komplekset seksuale që u lindnin gjatë natës. Bëheshin të egra, mblidheshin tok, trukoheshin mirë. Dilnin nga ato dhoma me një sjellje krejt tjetër. Këtë doja të theksoja në shfaqje", ka pohuar fillimisht regjisorja.
Kori i grave natën e tretë të shfaqjes u shëmbëllenin me tepër vejushave që shkojnë të dielave në kishë me fustane pis të zinj dhe shami kokës, sesa grave që përshkroi regjisorja. U premtua gjithashtu, që këta njerëz që i rrijnë rrotull Ana Bolenës nuk mbështesin dhembjen e saj dhe nuk thonë asgjë për të.
Ana Bolena jonë, në rol sopranoja Marjana Leka, që sapo doli në skenë, e kishte vdekjen të vulosur në fytyrë. Ishte vetëm çështje kohe, por të gjithë e ndjenin që do të ndodhte. Dhe "pika më e fortë" e regjisores ishte "që nuk e kishte bërë viktimë Ana Bolenën".
Personazhi i provon të gjitha: shqetësimin, dhembjen, poshtërimin, ndjenjat e ndrydhura, inatin, mëshirën. Portretin e Marjana Lekës e kishte kapluar përgjithmonë fataliteti. Pa pikë dashurie e priti edhe të dashurin e saj të larguar prej kohësh nga Anglia, Persin.
Dy ishin skenat kur Leka shpërtheu me zërin e saj, por pa lëvizur gishtin në interpretim: kur Xhovana i rrëfen për lidhjen e saj me mbretin, dhe në arien e fundit pak para se ta printe fati tragjik. Interpretimi i ftohtë u vu më shumë në pah në skenën e çmendurisë, kur ajo rijeton momentet e martesës me mbretin dhe të dashurisë me Persin. I vetmi shpëtim dhe mjet i sopranos edhe këtë herë ishte zëri.
Persi, i interpretuar nga Rudin Sata, ishte personazhi më keq i realizuar në shfaqje, si në pikëpamjen e interpretimit dhe më së shumti atij vokal. Sata nuk arrinte t'i artikulonte fjalët dhe e kishte pisk me notat e larta.
Dhe të mendosh që Persi ishte një personazh kyç në shfaqje. I larguar prej vitesh ai vjen në Angli për të folur me mbretin. Aty ndjen dashurinë e pashijuar kurrë për Anën. Sata me të njëjtën mimikë shprehte dashurinë, mllefin, shpirtin e lënduar, keqardhjen dhe brejtjen e ndërgjegjes.
Tek Ana Bolena shkëlqeu mexosopranoja Vikena Kamenica, në rolin e Xhovanës.
Interpretim i gjallë, plastikë perfekte, Kamenica ishte e vetmja që dha idenë e zhvillimit të karakterit, nga një grua tinzare, bishtpërdredhur, tek një grua që ruan akoma ndjenja dhembshurie për një tjetër grua, e bren ndërgjegjja dhe ka nevojë ta falin.
Likaj ishte linear në interpretimin e figurës së mbretit, të pushtetshmit, që shpërfill gjithkënd, që nuk e di ç'është mëshira, dhe është për gëzimin me çdo kusht të jetës.
Një prej momenteve që ngelet në kujtesë është ai i duetit mes Xhovanës dhe Enrikut në aktin e parë të shfaqjes, një moment lajkash, ngacmimesh, përkëdhelish.
E pyetur edhe për aktorët para shfaqjes, regjisorja Paterniti nuk reshte së thëni "të shkëlqyer".
Skenografia e realizuar nga Platon Bardhi dhe kostumet e porositura nga Sartorio-Arrigo Milano sikur i dhanë pakëz nga freskia që ishte premtuar dhe që regjisores i kish dalë duarsh.
Për shfaqjen "Anna Bolena" siç ka ndodhur edhe me të tjera në këtë sezon, tri prej artistëve kryesorë vinin nga Italia: dirigjenti Marco Berdondini, regjisorja Eleonora Paterniti dhe tenori Marco Frusoni.
Duke u ballafaquar edhe me një nivel të tillë lindin vetiu pyetjet: Përse merren të huajt për të drejtuar një operë në Shqipëri, për të interpretuar? Përse nuk u jepet shansi artistëve shqiptarë por duhet një tridhjetëvjeçare italiane të vijë të mësojë dorën këtu? Përse të huajve u hapen dyert kaq lehtë?