E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana Kendrik, si u mbijetoi vampirëve të Twilight

Dikush mund të mendojë se të interpretosh në filmin “Twilight” dhe t’i afrohesh nominimit të çmimit “Oskar” për një interpretim përkrah Xhorxh Klunit është mjaftueshëm për të të bërë të fluturosh në re. Por jo, aktorja Ana Kendrik, të cilën adoleshentët e njohin mirë dhe e adhurojnë, nuk është aspak nga ato vajza që e kanë kokën mbi re. Përkundrazi, këmbët e saj janë të ngulura fort në tokë

Edhe në evenimentet kinematografike që kërkojnë një lloj pozicionimi në tapetin e kuq, ajo është shumë modeste dhe do të parapëlqente që askush të mos e vinte re. Jo se është e ndrojtur, por nuk e kanë bërë kurrë për vete mënyrat tradicionale të vanitetit të hollivudianëve dhe hollivudianeve që marrin poza para fotografëve e admiruesve dhe japin autografe si të ishin zotër të plotfuqishëm, apo të vinin nga një tjetër racë tokësore. Ajo është gjithmonë shumë e thjeshtë dhe pa asnjë lloj manierizimi. Kjo, edhe pse për moshën që ka, mund të shihet me zili për arritjet në kinema.

Veçanërisht e adhuruar është për interpretimin në sagën e famshme “Twilight”, e cila e bëri të njohur e të dashur për moshatarët, por edhe për të rriturit në të gjithë botën. Filmi i interpretuar prej saj dhe prej një kasti aktorësh të tjerë adoleshentë, është bazuar në romanet e Stefani Mejer. Në qendër të tyre është historia e dashurisë mes Bela Asuan dhe vampirit Eduard Kullen. Në këtë lidhje është si gjithmonë edhe personi i tretë, Xhekob Blek, miku i fëmijërisë së Belës. Ana, si mikesha më e ngushtë e Belës, Xhesika Stanlej, ka një pjesë pak a shumë interesante dhe gazmore në film, duke u përpjekur që të tejkalojë Belën, e cila në fakt gëzon popullaritet dhe pëlqehet në masë nga të gjithë. Në të vërtetë marrëdhënia mes Anës dhe Kristen është shumë më e ngrohtë dhe miqësore. “Kur e takova Kristen për herë të parë dija shumë gjëra për të nga filmat e mëparshëm, në të cilët ajo ka interpretuar dhe e ndjeva veten me fat kur marrëdhënia jonë nisi që të forcohej dhe ne pak nga pak po bëheshim mikesha të mira”, thotë Ana.

Veshja e saj e preferuar, ndryshe nga ajo e shumë moshatareve të saj të famshme, është shumë e thjeshtë: një palë xhinse të gjera ngjyrë blu e një bluzë e bardhë pambuku dhe sigurisht që nuk mungojnë edhe shapkat me një gisht. Ajo është 24 vjeçe, por duket shumë më e re se aq. është një vajzë nga ato që janë mjaft miqësore dhe të dashura që në fillim, edhe pse në pamje të parë mund të mendosh se është pak mendjemadhe. Sigurisht që kjo mund të ishte e vërtetë, duke qenë se filmi në të cilin ka interpretuar e ka bërë të famshme, të njohur dhe popullore në të gjithë botën. Për më tepër ajo u nominua edhe për një statujë “Oskari” dhe ndërkohë ka fituar çmimin si aktorja më e mirë në rolin e parë në “MTV Movie Awards” për rolin e interpretuar përkrah Xhorxh Klunit në filmin komedi “Up in the Air”. Me sagën “Twilight” dhe nominimin e “Oskarit”, për të këta 12 muaj kanë qenë të jashtëzakonshëm dhe marramendës. Këtë e pohon edhe vetë aktorja që e sheh se jeta e saj nuk ka për të qenë më si më parë dhe kjo sigurisht për shkak të famës dhe parave. “Ky ka qenë një vit i çmendur për mua dhe duket se çmenduria do të vazhdojë me serinë e fundit të “Twilight - Eklipsi”. Bela dhe Eduard janë ribashkuar tashmë në fundin e episodit të dytë “New Moon”, në “Eklipsi”. çifti i të dashuruarve do të vihet përballë provave dhe sfidave të reja që do t’ua vështirësojnë shumë si jetën, ashtu edhe lidhjen e tyre, që ndërkohë do të provohet shumë. Gjithçka do të sillet rreth disa vrasjeve të pashpjegueshme që kanë ndodhur dhe që kërcënojnë edhe vetë ekzistencën e Belës. Për më tepër asaj i duhet edhe njëherë që të vendosë mes sharmit të Eduardit dhe joshjes muskulore të Xhekobit. “Ky është një film që flet shumë për mënyrën se si njerëzit duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, se si duhet të rriten dhe të pranojnë se të rritesh do të thotë në radhë të parë të jesh një qenie e përgjegjshme. Të rritesh nuk do të thotë vetëm të kalosh nëpër konfuzione romantike, por të kesh qartësinë e vendimeve dhe të zgjedhjeve që herët ose vonë duhet të bëjmë. çështja e zgjedhjes së të ardhmes është një nga më të rrahurat në këtë seri dhe duke qenë se bëhet fjalë për të rinj, jam shumë e bindur se kjo seri ka shumë ç’t’u mësojë më të rinjve”, thotë Ana.

Ajo që sipas saj është e jashtëzakonshme në stafin e filmit, është miqësia mes aktorëve jashtë tij. “Ne jemi si një familje e vërtetë, sidomos jashtë filmit dhe mbajmë lidhje të ngushta me njëri-tjetrin edhe kur xhirimi mbaron dhe kur fillon xhirimi për serinë e radhës është një nga kënaqësitë më të mëdha që ndiejmë, për shkak të idesë se kjo do të na japë mundësinë të jemi sërish bashkë. Për sa i përket pozicionit të Belës, e cila gjithmonë është në mëdyshje për të zgjedhur, ajo thotë se kjo është një sfidë që e kanë shumë adoleshente dhe të reja sot, por në fund të gjithë duhet që të bëjmë një zgjedhje dhe është mirë që në rastin e vendimit të vëmë në përdorim edhe mendjen, përveçse zemrën. Një tjetër përvojë interesante për Anën ishte filmi në të cilin interpretoi përkrah Klunit “Up in the Air”, i cili ka fituar edhe një film në festivalin e “Baftas” një ndër më të rëndësishmit festivale kinematografikë pas “Oskarit”. “Për këtë film po xhironim në një hotel, më saktë në hollin e një hoteli dhe sa herë që kalonte aty ndonjë grua kthente kokën pas për të parë Xhorxhin dhe madje disa prej tyre bënin si të çmendura për të. Për mua ishte qesharake që të shihja këto gra të pasura, kryesisht, disa edhe të mëdha në moshë, që të binin në gjunjët e Xhorxhit. Doja t’u thosha që të mblidhnin veten dhe të ruanin dinjitetin, sepse ai nuk ishte shenjtor, por nuk e bëja, sepse Xhorxh mund të ofendohej!”

Në filmin “Up in the air” Ana luan kolegen e re të Klunit, një menaxhere e lirë në profesion, e cila jep edhe konsulta të ndryshme për firma amerikane, kryesisht në lidhje me mënyrat që duhet të përdoren në rastet e pushimit nga puna të punonjësve. Në një skenë vërtet brilante, personazhi i interpretuar nga Ana i thotë të dashurit të saj që nuk duhet të jetë xheloz, se ajo kalon një kohë shumë të gjatë me Binghamin (Klunin), sepse ai ishte një burrë shumë më i madh se ajo në moshë dhe që nuk e tërhiqte aspak, për faktin se ishte shumë i dhënë pas femrave. “Këtë skenë e kemi filmuar në të njëjtin vend në hollin e hotelit ku gratë binin njëra pas tjetrës në gjunjë para Klunit, çka më bënte herë pas here që të qeshja, por nga Xhorxh nuk pata kurrë probleme, edhe pse ai e kishte vënë re qëndrimin tim ndaj zonjave që linin kokën pas tij. Xhorxh është shumë xhentil e sportiv dhe sillet shumë mirë dhe me kortezi me të gjitha. Edhe me mua ka qenë mjaft xhentil”. Kjo ka shumë të ngjarë, duke qenë se Kluni si aktor i vjetër që është, e ka pasur të qartë që është duke interpretuar me dikë të veçantë, si Anna. Për rolin e saj shumë të arrirë ajo fitoi edhe një kandidim për “Oskar” dhe kjo nuk është pak për një aktore të re në një botë me shumë yje si ajo e Hollivudit. Ana ka lindur në Portland, në Majn, dhe ka nisur që të aktrojë në moshën 7-vjeçare, kur u përfshi në një komunitet teatror. Edhe i vëllai i saj është gjithashtu aktor. Në moshën 12-vjeçare ajo mori pjesë në një shfaqje në Brodway dhe për këtë mori edhe një çmim modest. Për sa i përket nominimit për çmimin “Oskar”, ajo thotë se ishte shumë e emocionuar që në një moshë kaq të re dhe me aktorë të mrekullueshëm përreth, juria vendosi për të nderuar performancën e saj. E mësuar me famën dhe me aktrimin që në moshë shumë të re, ajo i është shumë mirënjohëse të atit, për faktin se ka ditur gjithmonë ta mbajë me këmbë në tokë. “Për një periudhë të gjatë kam jetuar me babanë në Nju Jork dhe ai më thoshte se lavdia, sidomos në botën e kinemasë, është e madhe, e menjëhershme, por mund të të bëjë edhe dëmin më të madh nëse i jepesh kokë e këmbë dhe e kthen qëllim në vetvete”. Vetëm dy vjet të shkuara Ana, si edhe aktorët e tjerë, nisën udhëtimin e mrekullueshëm me “Twilight”. Të paktë ishin ata që në fillim imagjinuan se filmi do të kishte suksesin që po gëzon. Kur shfaqja e parë në sallat e kinemasë u prit me shumë bujë, ne dhe regjisorja e pjesës së parë nuk po mund t’u besonim syve. Ishim shumë modestë kur e nisëm këtë aventurë dhe suksesi i madh na gjeti të papërgatitur në njëfarë mënyre.

Por ky film jo vetëm që ishte një sukses për të gjithë, por ishte një pasaportë e mirë për t’u përfshirë në projekte që janë shumë më impenjative në Hollivud, të cilat me siguri herët ose vonë do t’i japin Anës edhe “Oskarin”, edhe famën që i takon.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›