E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Sporteve, 200 kuota pranimi

çdo konkurrent do të ketë të drejtën e ankimimit brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve finale

Të gjithë nxënësit që dëshirojnë të jenë studentë në Universitetin e Sporteve të Tiranës, duhet t’i nënshtrohen një konkursi, i cili do të vendosë më pas “fatin” e tyre. “Procedurat që do të ndiqen gjatë këtij viti do të jenë të njëjtat me ato të një viti më parë. Një nga risitë që është parashikuar kësaj radhe është pajisja e kandidatëve me një kartelë, në të cilën do të jenë të shënuara notat, pikët, firma e komisionit dhe e kandidatit”, tha rektori i Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, Vejsel Rizvanolli. Kandidatët për studentë do të marrin pjesë në konkursin praktik të parashikuar nga stafi i këtij universiteti, në bazë të fakultetit ku dëshirojnë të studiojnë. Kuotat e përcaktuara për këtë vit do të jenë plot 200, nga të cilat 120 i takojnë Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekracionit, ndërsa 80 vende do të shkojnë në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes. Sipas rregullores së UST-së, çdo kandidat është i detyruar të konkurrojë në garat e atletikës dhe të gjimnastikës. Ndërsa për sa u përket lojërave sportive, konkurruesi do të mund të zgjedhë në përputhje me preferencën, por edhe me nivelin e përgatitjes së tij njërën nga disiplinat sportive siç janë: futbolli, basketbolli ose volejbolli. “Shumatorja e vlerësimeve në 3 garat atletike, gjimnastike dhe lojëra do të japë nivelin e pikëve të fituara nga konkurruesi nga testet praktike”, theksoi Rizvanolli. Sipas tij, vlerësimi që do t’i bëhet këtij testi do të përmbajë 70 për qind të notës finale, ndërsa mesatarja e katër viteve të shkollës së mesme do të zërë 30 për qind. Konkurruesi do të vlerësohet më shumë në përgatitjen e tij të përgjithshme dhe më pak në atë speciale. Kjo do të thotë që çdo konkurruesi megjithëse mund të jetë sportist i mirë vetëm në një nga disiplinat që kërkohen gjatë testit, do t’i duhet të stërvitet edhe për të tjerat, për t’u konsideruar si pretendent i vërtetë në konkursin praktik.

Ankimimi

Komisioni i vlerësimit do të përbëhet nga 5 anëtarë të brendshëm dhe të jashtëm. Rezultatet përfundimtare për secilin kandidat do të shpallen pas 24 orë pas përfundimit të konkurrimit në tri disiplinat sportive. Sipas Rizvanollit, secili konkurrent, pasi të jetë njoftuar për vlerësimin që i është bërë ka të drejtën e ankimimit. Kjo e drejtë ka afat deri në 48 orë pas shpalljes së rezultateve finale. Ankesat e konkurruesve do të shqyrtohen me detaje nga një komision i posaçëm, që përbëhet nga një juriste dhe dy specialistë të fushës. Rektori pohoi se vendimi i këtij komisioni do të jetë i paapelueshëm.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›