Nxënësit i thonë lamtumirë Maturës Shtetërore
Mbi 45 mijë maturantë kanë zhvilluar dje dy provimet me zgjedhje, të cilat kanë përmbyllur fazën e testeve të Maturës Shtetërore për vitin 2009-2010. Provimi ka nisur njëkohësisht, në orën 10.00 në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Ndryshe nga dy provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, provimet me zgjedhje kanë zgjatur plot 4 orë. E megjithatë, ka pasur edhe nga ata nxënës që kanë dalë nga sallat, përpara përfundimit të orarit zyrtar. Nxënësit që u janë nënshtruar testeve me zgjedhje e kanë pasur shumë më të lehtë zhvillimin e tyre, krahasuar me dy të tjerët, duke qenë se këto lëndë i kanë përzgjedhur maturantët sipas dëshirës së tyre. Kjo është bërë e mundur pas plotësimit të formularit A1. Secila nga tezat përbëhej nga 20 pyetje, nga të cilat 10 prej tyre ishin me përgjigje alternative, ndërsa 10 të tjerat me zhvillim. Kërkesat me alternativa do të vlerësohen me nga 1 pikë secila, ndërsa pyetjet me zhvillim do të ekuivalentohen me 30 pikë, çka nënkupton se testi në total do të përmbajë plot 40 pikë. Menjëherë pasi ka rënë “gongu”, nxënësit janë larguar nga sallat ku kanë zhvilluar dy provimet me shpresën për të arritur rezultate të kënaqshme për të trokitur më pas në dyert e fakulteteve të tyre të preferuara. Pas përfundimit, provimet janë dërguar në 4 qendrat kryesore të vlerësimit, që janë: Tirana, Fieri, Elbasani dhe Shkodra. Korrigjimi i tezave, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të bëhet nga një komision i posaçëm, i cili do të përbëhet nga një grup specialistësh të kualifikuar të fushës. Ndërkohë, burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se mbarëvajtja e procesit të zhvillimit të tezave ka qenë normale dhe e qetë. Ato kanë garantuar se edhe procesi i hartimit të tyre ka qenë tejet transparent, duke qenë se specialistët që janë marrë me përgatitjen e tyre kanë dalë nga ambientet e AVA-s, ndërkohë që nxënësit kanë zënë vendet në sallat përkatëse. Kjo, sipas përfaqësuesve kryesorë të ministrisë siguron që kombinimi i pyetjeve ka qenë i monitoruar nga masa të rrepta sigurie, duke mos lënë asnjë mundësi për abuzim. Ndërkohë, sot pritet të bëhen publike edhe listat e notave të provimit të dytë të detyruar, atij të Matematikës.
AnkimimiBazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, përgjigjet finale të provimeve me zgjedhje do të shpallen më datë 15 korrik. Menjëherë pas publikimit të këtyre rezultateve, maturantët do të kenë mundësi t’u drejtohen përsëri drejtorive të shkollave për të kërkuar fotokopjen e testit. Kjo do të thotë që do të ketë një tjetër proces ankimimi të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në dispozicion të maturantëve. “Duke qenë se nuk u vijmë dot në ndihmë për momentin kërkesave të nxënësve, menduam të krijojmë një tjetër mundësi për ta. Kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet shtyrjes së procesit të ankimimit. Nëse ka maturantë që nuk mundën të merrnin fotokopjen e testit, u bëj thirrje të mos shqetësohen, sepse do të pajisen me to pasi të kenë përfunduar provimet me zgjedhje”, tha drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu.
Formulari A2Të gjithë maturantët që do të mund të kalojnë provimet e Maturës Shtetërore, në mes të muajit korrik do të plotësojnë formularin A2, i cili është mjaft i rëndësishëm. Kjo për shkak se nëpërmjet tij, të rinjtë do të kenë mundësi të rendisin degët në të cilat dëshirojnë të studiojnë sipas parimit meritë-preferencë. Formulari A2 do të jetë i njëjtë edhe për këtë vit. Ai do të plotësohet vetëm pasi nxënësi të marrë rezultatet e provimeve me zgjedhje.
#