E Diel, 1 Nëntor 2026

Mendimi është fëmija i veprimit Benjamin Disraeli, Vivian Grei, 1826.

... ato që njohim përgjysmë (!)

Ne ende nuk kemi prirje për të menduar veten në një mënyrë veprimi, por edhe për të vepruar sipas një mënyre mendimi, jo. çfarë ka ndodhur me njeriun? Mos vallë nuk e udhëheq më mendimi i tij, pikërisht ajo që e përcakton me dy fjalë Benxhamin Dizraeli, gati 180 vite më parë? Por ky përcaktim ka mijëra vjet të shkuar, atëherë kur pllakat e argjilës shkruanin në formë ligjesh e kodikësh filozofinë e njeriut, siç e ka argumentuar Fridrih Niçe. Pra, “mendimi është fëmija i veprimit”, lind ai pa bëhet një punë, ndërtohet një rrugë, një vepër, një kompleks industrial, realizohet në formë infrastrukture edhe vendimmarrja, një nga sektorët më të rëndësishëm të sotëm në botë.
Atëherë kur imagjinata e ing.Xhevair Ngjeqarit mbahej në gojë si një subjekt i paarritshëm i së ardhmes dhe ai përshkruante rrugët kryq e tërthor Shqipërisë, sot kjo nuk është një fantazi e iluminuar, por një realitet. Ndërsa ai ngrinte digat imagjinare në Osum, sidomos në luginën e Osumit nga çorovoda në Berat, madje duke e kthyer më në fund Beratin me një liqen turistik plot “gondola” e jahte, kjo tanimë nuk quhet as utopi e as fantazi e ufove, por thjesht një realitet që po vjen. Mjafton të shohim kontratat e shumta për ndërtime hidrocentralesh në Devoll e Osum dhe kjo ditë konsiderohet aq pranë.

Por meqë morëm si shembull ing. Xhevair Ngjeqarin, na duhet të vizatojmë profilin e rrugëve të mëdha kombëtare e ndërkombëtare të projektuara prej tij. Rruga Tiranë-Elbasan vetëm sa është zhvendosur, për të mos dalë në Papër, por në Bradashesh, për të vijuar me rrugën Bradashesh – Kuçovë – Berat. Edhe kjo një ëndërr e kahershme. Rruga e re do të kalojë në Belsh, pikërisht në kryeqytetin e Sami Frashërit për Shqipërinë, në Belshin e rrethuar me liqene turistike të Dumresë, mjerisht sot në Dumrenë e zhveshur nga lisat, kujtimi i të cilëve të ngjeth, sepse edhe në vitin 1966 ende nuk kishte përfunduar shkulja e tyre me traktorët “stalinec” të “traktoristëve Ibrahim”, i cili “çohej herët në agim” për të shkatërruar pyjet. Po ripyllëzohet Dumreja? Po zgjohen liqenet e saj karstikë? Ndoshta do t’i zgjojë rruga e re edhe turistike! Rrugën sigurisht nuk e çeli mendimi i një inxhinieri të vetëm, por e një plejade të tërë inxhinierësh që zotërojnë teknikën e mendjes, për ta hedhur atë në veprim. E kur kjo ka veshin, i cili e dëgjon (d.m.th qeveria), atëherë merr rrugë veprimi dhe natyrshëm mendimi ka qenë dhe mbetet fëmijë i veprimit!

Të ngacmuar nga idetë e ing. Xhevair Ngjeqarit nuk mund të linim mënjanë rrugën e re, autostradën e Jugut, që do bashkojë Beratin me Memaliajn dhe me gjithë Jugun. Ka vite që inxhinieri ynë u bie trombëve të kësaj rruge. Rasti apo fati e solli që ta dëgjonte qeveria! Në këtë rast fëmija mendim bëhet burri veprim!

Më duhet të sjell në mendje bisedën me një italian, kryetari i bashkisë së Tarvizios (kufiri italo-austriak) Vito Anselmi, një burrë i fuqishëm dhe i ditur, bir i Leçes, i cili erdhi me jahtin e tij nga Leçe në Sarandë dhe bëri vizitën e parë në Shqipëri (1993). Pasi përshkuam rrugën nga Saranda në Gjirokastër, përjetuam magjinë e Syrit të Kaltër, u ngjitëm në lartësitë e mrekullueshme të Gjirokastrës, na u desh të udhëtonim “ik e s’ka” përmes Mallakastrës drejt Beratit. Më në fund arritëm dhe Anselmi pas dhjetë ditësh vizitash në Shqipëri, dha verdiktin e tij mjaft interesant (të cilin e kam shkruar): Shqipëria turistike fillon në Sarandë dhe mbaron në Berat, por duhet një rrugë e shkurtër. çdo turist që shkel (mbi dy milionë) në Korfuz i harxhon dy ditë në itinerarin Butrint – Syri i Kaltër – Gjirokastër – Berat. Një natë në Beratin e mrekullueshëm historik dhe turistik dhe kthehen sërish në Sarandë nga rruga e Kardhiqit (kjo rrugë është shtesë e mëvonshme, sepse as në idetë më të guximshme nuk ekzistonte në vitin 1993) shkurt... Unë i njihja projektet e ing.Xhevair Ngjeqarit atëherë dhe më ngacmoi mendimi i Anselmit, i cili pastaj shtoi se rrugët e Shqipërisë do të bëheshin më të bukurat në botë po qe se anash tyre do të vendoseshin vazot gjigante me lule ose pemë dekorative (apo edhe ullinj, agrume etj.). Këto vazo gjigante do të qenë bunkerët e famshëm të Enver Hoxhës, me kapakët e kthyer përmbys!

është e vërtetë se shpesh ne sillemi sipas asaj që mendojmë, por është e vërtetë se ne mendojmë sipas asaj që bëjmë. Kështu lindin besëtytni, besime të verbra, qëndrime jo të sajuara, por të themelta, që ecin përkrah me veprimet. Por, ndërkohë, na duhet të nënvizojmë se qëndrimet tona, më pas, vijojnë sjelljen tonë. Kështu ne vijojmë të besojmë te mendimi ynë fillestar, ta veshim atë me shumë fjalë të tjera për ta plotësuar si projekt e, njëkohësisht, të veprojmë, duke mos paragjykuar asnjë tendencë, të shoqëruar me fuqinë e vetëbindjes.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›