“Ana Kristi”, drama që personifikon Greta Garbon
Autori i Lajmit: Redaksia
Teatri “Aleksandër Moisiu” mbush 57 vjet nga dita e krijimit të tij. Për të festuar këtë ditë, trupa e teatrit shfaq më datë 10 janar ora 19.00 “Ana Kristi” fituese e çmimit Pulitzer e dramaturgut amerikan Eegene ONeill, me regji nga Driada Dervishi. “Ana Kristi” një nga dramat më të mëdha të kohës, me një tingëllim tejet njerëzor, impresivisht të vërtetë në karakterin e saj dhe në momentet më kulminante, intensivisht dramatike. Të gjithë ata që e ndjekin teatrin dhe mezi presin që të shohin diçka të re, duhet të shënojnë në agjendën e tyre emrin e shfaqjes “Ana Kristi”, si një pjesë që nuk duhet t`u shpëtojë pa e parë. E shkruar nga dramaturgu amerikan Eugene O`Neill fitues i katër çmimeve Pulitzer dhe i një çmimi Nobel, “Ana Kristi” është një pjesë veçanërisht tërheqëse. Për kronikët që shohin teatër ajo vjen si një gllënkë e fortë kafeje e zezë për dikë që sapo ka pirë një limonatë.
Nëse “Një udhëtim i gjatë brenda natës” është kryevepra e Eugene ONeillit, “Ana Kristi” vjen pas saj dhe është pjesa e tij më popullore dhe më e vëna nëpër skenat teatrore botërore, e cila vetëm me vëniet e fillimit në vitin 1922 numëron 117 shfaqje. “Ana Kristi” është adaptuar tri herë për ekran.
Ajo më e suksesshmja është hera e dytë, prodhimi i Hollivudit, ku në rolin e “Ana Kristit” luan Greta Garbo, në filmin e saj të parë me zë, film që mbahet si nga më të mirët e Hollivudit (1931). Me rolin e Ana Kristit, Garbo merr dhe Oskarin e saj të parë. Përpara se të shfaqej në Teatrin Vanderbilt të Brodueit më 2 nëntor 1921, “Ana Kristi” u rishikua dhe pati ndryshime të shpeshta nga Eugene ONeill . Suksesi i “Ana Kristi” e ndihmoi ONeillin të fuqizonte reputacionin e tij si një nga dramaturgët më të mirë amerikane. “Ana Kristi” është një studim i jetës moderne, e cila dramatizon përzierjen e komedisë dhe tragjedisë, karakteristika të përjetshme të jetës.
Dama fokusohet në marrëdhënien problematike ndërmjet një marinari dhe vajzës së tij të cilën ai nuk e ka parë prej gati 20 vitesh dhe kjo marrëdhënie ndërlikohet edhe më shumë nga lidhja e saj romantike me një njeri të detit dhe për të kaluarën e saj me probleme. ONeill prezanton një pamje realiste dhe të dhimbshme të konfliktit familjar dhe të një realiteti të ashpër të jetës femërore.
Publiku dhe kritika e cilësojnë pjesën si një konfirmim të pushtetit të dashurisë dhe të faljes.
“Ana Kristi” tragjedia e një nostromi të vjetër, i cili ka frikë dhe ka mbledhur shumë urrejtje për detin. Në det janë mbytur të gjithë burrat e fisit të tij dhe prej tij janë trishtuar të gjitha gratë e tyre….
Pjesa përfundon me një fund “të lumtur” dhe për këtë ka pasur kritika të ndryshme. O`Neill duket sikur i sugjeron publikut që ata ta shohin këtë “si një fund të lumtur, nëse janë aq miopë sa ta besojnë një gjë e tillë dhe aq mendjeshkurtër sa ta dëshirojnë këtë gjë”.. Ai, më në fund ka kënaqësinë e aludimit në fjalët e mbylljes, ku çdo gjë duket mjaft e gëzuar për momentin edhe pse ndoshta nuk ka fund për fatkeqësitë, apo vuajtjet e gjithkujt të fshehur në mjegullën e detit. Kemi një fund të lumtur, me autorin që i mban gishtat të kryqëzuar . Me rastin e marrjes se çmimit Pulitzer për “Ana Kristin” 1921, ai shkruan për New York Times: “Unë doja që publiku të largohej me një ndjenjë të thellë të jetës që vazhdon, me të shkuarën që asnjëherë nuk është një e shkuar, por gjithnjë lindja e së ardhmes, të një problemi të zgjidhur për momentin, por që për nga natyra e zgjidhjes së tij, përfshihet në një problem të ri.” Emërtojeni si të doni, një komedi të ëmbëlhidhur, dramw, apo një tragjedi të pazhvilluar, e rëndësishme është që si elementet komike, apo tragjike të mos e kalojnë masën.
SKEDA
Regjisore Driada Dervishi
As/Regjisor: Xhelaj Tafaj
Muzika: Metila Dervishi, Eduart Tereziu,
Efektet muzikore: Julian Shyti
Skenografia: Beqo Nanaj
Interpretojnë në role : Ana Kristi – Klodjana Keco, Krisi – Hysen Bashhysa, Met Burke – Marvin Tafaj, Marta Ouen – Sanie Hoti, Xhoni – Xhelal Tafaj, Postierja – Mimoza Marjanaku.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010