E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimi i shtesave të pallateve, jo me bono

Autori i Lajmit: Redaksia
Legalizimi i shtesave të pallateve nuk është e mundur të bëhet, në 50 për qind të vlerës me bono privatizimi, ashtu siç është parashikuar për objektet e tjera informale. Lajmin e bëjnë me dije burime të Ministrisë së Financave, që kanë përfunduar së hartuari edhe aktet normative të ligjit për legalizimet me Bono Privatizimi, i miratuar nga Qeveria dhe i hyrë në fuqi që në nëntorin e vitit të kaluar.
Procedura
Sipas ekspertëve të ALUIZNI-t, aktualisht për 70 për qind të ndërtimeve informale kanë mbaruar procedurat për kualifikimin dhe pajisjen me leje legalizimi. Ndërkohë pritet që të bëhet pagesa e këtyre detyrimeve që kanë të bëjnë me kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Në ligj është parashikuar që bonot e privatizimit të shpërndara për ish-të përndjekurit politikë dhe subjekteve të tjera gjatë privatizimeve të objekteve shtetërore të kenë të njëjtin trajtim me bonot e privatizimit që do të përdoren për legalizimet e ndërtimeve pa leje. Në projektligj janë parashikuar ndryshime të rëndësishme, sidomos në nenet 19, 20 dhe 21, ku parashikohet që për sipërfaqe që deri tani aplikohej tarifa në përputhje me vlerën e plotë të tregut, nuk mund të aplikohet pjesërisht pagesa me bonot e privatizimit. Në funksion të idesë së përdorimit të pagesës me bono privatizimi janë bërë ndryshime edhe në dispozitën që lidhet me dokumentacionin ligjor për legalizimin dhe ndërtimin e ndërtesave informale, ku është parashikuar që subjekti mund të paraqesë kërkesë për mënyrën e pagesës për legalizimin e ndërtimit pa leje.
Pasuritë e paluajtshme
Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë pritet të shtohet me rreth 2.5 miliardë euro vetëm nga regjistrimi i pallateve të reja. Janë rreth 400 pallate të reja, të ndërtuara me leje ndërtimi, por të paregjistruara në Hipotekë për shkak të shmangieve nga projekti, kryesisht shtesa të bëra në lartësi ose në gjurmë. ALUIZNI vlerëson se sipërfaqja totale e tyre është rreth 3 milionë m2. Shumëzuar me çmimin mesatar të shtëpive në Tiranë gjatë vitit 2007, që sipas të dhënave të tregut të pasurive të paluajtshme do të ishte 813 euro për m2, vlera totale e tregut të këtyre ndërtimeve është afro 2.5 miliardë euro. Regjistrimi i këtyre ndërtimeve pritet të sjellë të ardhura të konsiderueshme edhe në arkën e Bashkisë Tiranë. Sipas ligjit, 10% e vlerës së shitjes së pasurive të patundshme paguhet si taksë në momentin e regjistrimit në Hipotekë. Kur të mbyllet legalizimi dhe të bëhet regjistrimi i tyre, pala shitëse (ndërtuesit) duhet të paguajnë 10% të vlerës së kontratës së shitjes. Për të gjithë sipërfaqen e pallateve të reja, në arkat e shtetit duhet të shkojnë rreth 250 milionë euro. Ndërsa nga taksa vjetore mbi pasuritë e paluajtshme, që për sipërfaqet e banimit është 21 lekë për m2, do të shtohen të paktën 63 milionë lekë çdo vit. Këtyre shumave u duhen shtuar edhe penalitetet që duhet të paguhen për sipërfaqet e ndërtuara pa leje, por ALUIZNI ende nuk mund të publikojë statistika të veçanta për sipërfaqen e shtesave.

Lejet për pallatet pas
90-ës, ja pengesat

Shumica e atyre që kanë blerë shtëpi në pallatet e ndërtuara pas viteve 90 në Tiranë nuk disponojnë dokumente pronësie, sepse pallatet nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Arsyeja kryesore kanë qenë shkeljet e bëra nga ndërtuesit në projektet e miratuara në lejet e ndërtimit, apo mosplotësimi i standardeve të vendosura nga bashkia për marrjen e lejeve të shfrytëzimit. Për ti dhënë zgjidhje këtij problemi edhe këto ndërtime u përfshinë në skemën e legalizimeve, por fillimisht pati një rezistencë nga ana e ndërtuesve, me argumentin se penalitetet e vendosura në ligj për legalizimin ishin shumë të larta. Problemi i regjistrimit të ndërtesave ndahet në dy kategori; Të parat janë pallatet që janë ndërtuar konform lejes së ndërtimit dhe që kanë ngelur në pritje të marrjes së lejes së shfrytëzimit nga Bashkia. Kategoria e dytë dhe që është më problematike është ajo e pallateve që janë përfshirë në procesin e legalizimeve, për shkak të shmangieve nga lejet e ndërtimit. Kjo kategori po ndjek procedurat e përcaktuara në ligjin për legalizimet. Të dhënat tregojnë se 40-50 objekte shfaqin probleme kryesisht për shkak të problemeve me pronësinë.

Katër gjobat që duhet të paguajnë ndërtuesit

Për legalizimin e një pallati që ka devijime nga leja e ndërtimit ekzistojnë katër lloj taksash dhe penalitetesh, që ndërtuesit duhet të paguajnë për legalizimin e tyre. Njëra është tarifa e shërbimit, që është katër mijë lekë dhe shkon në favor të institucionit që përgatit dosjen, pra, të ALUIZNI-t. Është tarifa e ndikimit mbi infrastrukturë, që për qytetin e Tiranës merret në tarifat minimale të përcaktuara nga ligji, në masën 2% të vlerës së ndërtimit, së sipërfaqes së ndërtuar pa leje. Përllogaritja bëhet mbi bazën e vlerës së kostos së ndërtimit të përcaktuar nga Enti i Banesave. Në mbështetje të ligjit për legalizimet, fillojnë edhe penalitetet. Për sipërfaqet e ndërtuara për banim, norma e gjobës është 4% e vlerës së sipërfaqes së ndërtuar pa leje, ku si bazë merret çmimi minimal fiskal sipas zonave, i përcaktuar nga marrëveshja mes Shoqatës së Ndërtuesve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kur shtesat janë bërë për veprimtari biznesi, penaliteti është në masën 10% të vlerës së sipërfaqes së ndërtuar pa leje. Për sipërfaqet në të cilat është bërë ndryshim i destinacionit, penaliteti është në masën 20% të vlerës së sipërfaqes. Për ata ndërtues që kanë bërë vetëdeklarimet pas datës 15 shtator 2006, shtohet një penalitet prej 10 mijë lekë për çdo m2 të ndërtuar pa leje.

Ky lajm është publikuar: 08/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›