E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes mësuesja nga Korça, viktima e 11-të e gripit të derrave

Autori i Lajmit: Redaksia
Një grua 53-vjeçare nga Korça është viktima e 11-të e gripit të derrit në Shqipëri. Burime spitalore konfirmojnë se pacientja gjeti vdekjen dje në spitalin e Korçës në senatorium pasi po mjekohej me virusin A/H1N1. Pas vdekjes së 53-vjeçares mjekët nuk kanë qenë të sigurt ndësra mostrat janë dërguar për analiza në kryeqytet. Analizat në fjalë mësohet se kanë konfirmuar praninë e virusit të gripit të derrit në organizmin e viktimës. Sipas mjekëve viktima ishte me profesion mësuese dhe fillimisht ka pasur simptoma të gripit të zakonshëm stinor. Në momentin e parë ajo ishte diagnostikuar me ftohje të rëndë por më pas është konstatuar gjendja gripale. Deri tani 11 persona kanë gjetur vdekjen nga gripi i derrit në Shqipëri. Shumica prej tyre kanë qenë të moshës rreth 50 vjeç dhe me probleme të tjera shëndetësore. Rreth situatës së gripit të derrit në vendin tonë ka folur dje edhe drejtori i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. "Ritmi i vaksinimit të qytetarëve kundër gripit të ri pandemik A (H1N1), me gjithë gatishmërinë e shërbimit shëndetësor, ka qenë i ulët", tha dje Pëllumb Pipero. Edhe pse ka një fushatë të madhe sensibilizuese për vaksinimin e grupeve të rriskut ndaj virusit A (H1N1), sipas tij, interesimi ka qenë i pakët nga personat e përcaktuar në grupet e rriskut për tu vaksinuar. Kjo vihet re edhe nga një vëzhgim i kryer në poliklinikat në Tiranë. Ndërsa vetë qytetarët shprehen se nuk e marrin vaksinën pasi janë të frikësuar nga efektet anësore që mund të ketë ajo. "Ecuria e vaksinës në rang vendi ka pothuajse të njëjtat ritme që ka dhe në botë, deri në 5 %, ndërsa në Tiranë është rreth 8 %", tha Pipero. Vaksina është shpërndarë në të gjithë vendin, në qendrat shëndetësore ku edhe ofrohet falas për grupet e përcaktuara. Sa u takon grupeve të rriskut, tashmë ato janë përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. "Ndërsa, MSH ka përcaktuar grupet më me rrisk për tu vaksinuar të parët, për shkak të sasisë së parë të ardhur, si mjekët infeksionistë dhe ata të reanimacionit, sepse janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët e infektuar, apo personat në rrisk, fëmijët e vegjël, dhe ndër moshat e rritura, ata që janë me sëmundje kronike", theksoi Pipero. Sasia e parë e vaksinave kundër gripit A (H1N1), e përbërë nga 10 000 ampula 0.5 ml të shoqëruara me shiringat përkatëse, mbërriti në vend në datën 19 dhjetor. Ministria e Shëndetësisë sqaron se marrja e vaksinës nuk është e detyrueshme, megjithatë fton prindërit e femijëve me sëmundje kronike shoqëruese që vullnetarisht të paraqiten për vaksinimin e fëmijëve të tyre në qendrat shëndetësore. Të dhënat tregojnë se situata e virusit A (H1N1) në vend është përgjithësisht e qetë, referuar numrit të rasteve të konfirmuara të prekura, si dhe atyre me vdekje. Në përgjithësi, vala është në rënie sa i takon gripit të ri pandemik, por edhe sa i takon infeksioneve respitatore ka një lloj rënie apo stabiliteti këtë javë. Ndërkohë, pritet periudha fundi i janarit-fillimi i shkurtit të sjellë dhe një rritje të valës së gripit, qoftë atij të ri pandemik dhe qoftë atij sezonal, pasi përkon me ecurinë normale të një epidemie apo sëmundje virusale. Aktualisht në vend janë konfirmuar të prekur mbi 420 raste, nga të cilat 10 raste me vdekje. Rasti i parë me vdekje nga virusi A (H1N1) u shënua në datën 3 dhjetor, në një pacient 57 vjeçar nga Sukthi. Pacienti, i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare "Shefqet Ndroqi", vuante prej shumë kohësh nga tumori i prostatës si dhe kishte kaluar dhe infarkt miokardi të një forme të agravuar. Rasti i parë i prekur me virusin e gripit pandemik në vend u regjistrua në 20 korrik, tek një 20 vjeçar nga Gjiroskastra. Ndërkohë, mënjanimi i frekuetimit të vendeve publike, larja dhe dezifenktimi i vazhdueshëm i duarve janë disa prej rekomandimeve të specialistëve të shëndetit publik. "Të gjithë personat që shfaqin shenja si temperaturë e lartë, ethe, dhimbje e fortë koke, fyti dhe trupi, çrregullime të tretjes, rrufë, teshtitje, skuqje të syve dhe të fytit, dobësi të përgjithshme, kollë të thatë, apo ulje oreksi, duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku", këshillojnë specialistët. Nga ana tjetër, MSH sjell në vëmendje se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A (H1N1) është veçanërisht e lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive, apo dhe me tumore. Nisur nga kjo, ata këshillojnë të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe rrisku, veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal.

Ky lajm është publikuar: 08/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›