Pekini mesazh Moskës me një letër kundër Tiranës
Autori i Lajmit: Androkli DraloPekin, 30 nëntor 1977 - Paralajmërimet e Pekinit kundër një afrimi me Rusinë duket se i drejtohen njeriut të dytë më të rëndësishëm të hierarkisë kineze, Ten Hsiao Pinit, i cili rimori edhe një herë tjetër postet, të cilat i kishte humbur verën e shkuar gjatë betejës për trashëgiminë. “Ne do të bënim një gabim shumë të rëndë, - shkruan “Këangming Daily”, - nëse nuk do të bënim dallime mes dy superfuqive”. Gabimi, - vazhdon të shpjegojë ajo, - është të shohësh Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara si të barabarta, “pa pranuar se rreziku më i madh për një luftë botërore vjen nga Bashkimi Sovjetik. Artikulli, i cili i adresohet gjoja Shqipërisë, është në të vërtetë pjesë e vetë debatit të brendshëm të Pekinit. Ky debat ka në qendër të tij shqetësimin se sa i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë është rreziku i luftës. Nëse rusët ka gjasa që të nisin një sulm të papritur ndonjë ditë, ashtu siç pohojnë shumë udhëheqës kinezë, pastaj bëhen të nevojshme përgatitjet urgjente për luftë, pavarësisht kostos ekonomike të tyre. Nëse një sulm i tillë ka pak gjasa që të ndodhë, ashtu siç mendon dhe Teni, më pas Kina mund të përqendrohet te zhvillimi i saj ekonomik. Teni pranon se lufta është e “pashmangshme”, por ai e parashikon atë të ndodhë në një kohë të pacaktuar në të ardhme, ndërsa kundërshtarët e tij këmbëngulin se ajo mund të shpërthejë në çdo kohë. Në një intervistë ai shpjegoi se kur tha se lufta ishte e pashmangshme, “kjo nuk do të thoshte se ajo do të niste brenda tre ose pesë viteve”, - çka është diçka që nuk e ka thënë asnjë udhëheqës tjetër kinez. Në të vërtetë, ai shkoi aq larg sa la të kuptohej se këtë shekull mund të mos ketë më luftë. Përkrahësit e politikës së ashpër besojnë se shprehja e pikëpamjeve të tilla do të konsiderohej nga rusët një shfaqje dobësie. Për të qenë psikologjikisht gati për luftë, argumentoi më herët këtë vit “Liberation Army Daily”, - ne duhet të marrim parasysh dhe mundësinë më të vogël se ajo mund të vijë për të përgatitur planet tona”. Teni nga ana tjetër, thekson propozimin se një “mjedis paqësor është një nevojë” për Kinën, - është një theks i ndryshëm politik për prioritetet ekonomike dhe politikën e jashtme. Ndërsa Teni thotë se lufta nuk do të nisë për vite, “Liberation Army Daily” këmbëngul se askush në Kinë nuk është në gjendje ta dijë, “sepse ne nuk jemi drejtuesit e revizionizmit sovjetik apo imperializmit amerikan”. “Prandaj, - përfundon artikulli, - një sulm i papritur është plotësisht i mundur prandaj lë të kuptohet se hedh poshtë pikëpamjet e shprehura nga Teni. Në dallim nga ajo çka Teni mendon, “Liberation Army Daily” argumenton se një sulm i papritur mund të nisë “më herët se ne mendojmë”, në fakt dhe “deri nesër në mëngjes”. Sigurisht, Teni kujdeset të thotë gjithashtu se Kina duhet të jetë e përgatitur për luftë, por vërejtjet e tij ka shumë mundësi që të merren nga Moska si një sinjal i rëndësishëm. Çdo fraksion nga Pekini që përkrah bashkekzistencën, duhet më parë që të punojë për të hequr burimet e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, dhe Teni bëri pikërisht atë kur lëshoi helikopterin sovjetik që akuzohej nga autoritetet kineze se ishte i zbulimit rus. Kjo ishte më përpara se Teni të pengohej në luftën për pushtet vitin e kaluar. Pas kthimit të tij, shtypi kinez e denoncoi Tenin si një burrë, në të cilin Kremlini kishte varur shpresat e tij. Pas rehabilitimit të tij këtë vit, “Liberation Army Daily” shkroi sërish për udhëheqësit që kishin ëndërruar që ti dorëzoheshin Rusisë në të shkuarën, por ai artikull i adresohej qartazi pikëpamjeve momentale të Tenit. “Banda e Katërshes, - shkruhej në të, - pretendonte se përgatitjet ishin një “shpërdorim i kotë” dhe thoshte se “ne nuk ndiejmë ndonjë kërcënim” nga Rusia dhe se ishte përpjekur që “ti linte ujqit (sovjetikë) në shtëpi”. Por fraza të tilla dukeshin se i drejtoheshin Tenit, i cili kishte dalë kundër histerisë së luftës së atyre ditëve. Ishte ai që kishte thënë: “Mos u frikësoni se ujku do të vijë përpara derës dhe tigri nga mbrapa”. Muajt e fundit, Pekini ka bërë disa përpjekje për të goditur bishën e frikshme. Për herë të parë në 11 vjet, ministri i Jashtëm kinez ishte i pranishëm në një pritje të ambasadës sovjetike për përvjetorin e revolucionit, ndërkohë që gjeste të tilla janë shtuar shumë këto kohë. Megjithatë, të gjitha këto shkrime nuk janë më shumë se erë në stuhi, por ka ende shumë artikuj të tjerë që gjenden në shtypin e përditshëm vendas. Asnjë udhëheqës kinez nuk mund të mbështesë haptazi një afrim me Rusinë, ndërsa lufta për pushtet në Pekin mbetet e pazgjidhur. Të bëje diçka të tillë do të thoshte të rrezikoje të akuzoheshe për tradhti. Por njëri nga kolegët e vjetër të Tenit, Lo Jui Çin, një ish-kryetar i stafit të përgjithshëm, kohët e fundit e ka bërë diçka të tillë. Ai argumenton se Kina duhet të ketë një qasje afatshkurtër më pozitive ndaj Rusisë për arsye taktike, për të përfituar një avantazh afatgjatë. Lo, i cili është akuzuar si prosovjetik pas përjashtimit të tij, thotë për “People Daily” se “ne nuk mund të përballemi direkt me armikun”. Prandaj, ai arrin në përfundimin se “është e nevojshme dhe krejtësisht korrekte të bësh një trajektore jo të drejtpërdrejtë në rrugën tonë”. Por a nuk do ta turbullonte kjo vendin? Ai kujton se Maoja e kundërshtonte ndjekjen e një rruge jo trajektoreje të tillë, por Maoja ishte pro ndryshimeve të shpeshta të trajektoreve, çka do ta bënte të pamundur për kundërshtarët të kuptonin qëllimet e tij dhe kjo do ta çonte drejt suksesit. Kjo trajektore e ndryshueshme që Teni, me sa duket, mbështet, ka për qëllim të bindë rusët se Kina ka për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit, dhe nga ana tjetër kërkon të bindë kundërshtarët e tij se zhvillimi ekonomik është projektuar për të lënë pas ushtarakisht Rusinë pas një kohe relativisht më të gjatë. Por, që të mundë të ruajë burimet për zhvillimin ekonomik, Kina duhet më parë të sigurojë një paqe afatgjate, që do të thotë se duhet të punojë deri në një pikë sa të afrohet me Rusinë. Menjëherë, pasi procesi i afrimit të nisë, ajo mund të kërkojë të kap çastin dhe të shkojë më përpara se çmendojnë shumica e njerëzve tani.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010