E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analistët: Në Kosovë do të ketë sfida serioze sigurie

 

Analistët ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimin se fërkimet e fundit ndërmjet EULEX-it dhe Kosovës mund të përshkallëzohen në një sfidë serioze sigurie. Sipas agjencia amerikane për hulumtime strategjike “Stratfor”, tensionet mes qytetarëve të Kosovës dhe Perëndimit nuk do të bien derisa EULEX-i të qëndrojë në Kosovë. Me gjithë tensionet e shfaqura në pakënaqësinë popullore dhe në takimet e fundit zyrtare, kryeministri Hashim Thaçi dhe zyrtarë të EULEX-it kanë mohuar se mund të ekzistojnë fërkime. Sipas “Stratfor”, rritja e fundit e pakënaqësisë me BE-në mund të paralajmërojë një problem serioz në përpjekjet e Perëndimit për të zbatuar rendin dhe ligjin në shtetin e ri të Ballkanit. Në studimin e kësaj agjencie thuhet se deri tani Qeveria e Kosovës është treguar e vakët në “armiqësinë” ndaj EULEX, por duket se vetëm është çështje kohe kur ajo do të fillojë të veprojë fuqishëm. Nga ana tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha dje se vizioni i Kosovës është që ajo të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe kjo do të ndodhë. “Ne kemi prezencë shumë të fuqishme të BE-së në Kosovë, kemi prezencën edhe të ICO-së edhe të EULEX-it, por gjithashtu kemi tash edhe agjendën e qartë që do të del në raportin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, drejt strukturave evropiane. Pra, vizioni ynë është që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe kjo do të ndodhë”, tha Thaçi. Ndërsa sipas këndvështrimit të zyrtarëve të misionit evropian në Kosovë, EULEX nuk ka fërkime mes këtij institucioni dhe atyre të Republikës së Kosovës, por ka vetëm disa ndryshime në pikëpamje. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal tha për “Kosovapress” se veprimet e EULEX-it në lidhje me ngjarjet e fundit në veri kanë qenë për të mbështetur Policinë e Kosovës dhe për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës, ndërsa ka shtuar se krimi i organizuar, kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore, drogës dhe armëve, janë krime serioze që mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit rajonal, citon “Evropa e Lirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›