E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analistët Skënder Minxhozi, Artan Lame, Enton Abilekaj dhe Aleksandër Çipa flasin për konfliktin e sheshit Skënderbej

Forum Pyetjet

1. Si e shikoni konfliktin që po ndodh mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej” dhe si mund të arrihet një kompromis mes palëve?
2. Mendoni se në këtë rast do të ishte e udhës që çështja të zgjidhej përmes një referendumi të vetë qytetarëve të Tiranës?

Minxhozi: Rama dhe Berisha po tregojnë edhe njëherë se nuk merren dot vesh

1. Mendoj se ky konflikt i fundit e ka burimin jo te përmbajtja e projektit të rehabilitimit të qendrës së Tiranës, por mbi të gjitha te sherri tashmë disavjeçar i Kryeministrit me kreun e opozitës. Mesa duket duhet dhe asfalti i sheshit “Skënderbej” që ne të kemi edhe një provë tjetër se këta dy burra nuk merren vesh mes tyre. Një zgjidhje e mundshme e këtij konflikti do të ishte komunikimi normal i institucioneve qendrore me pushtetin lokal, për të identifikuar ku qëndrojnë gabimet e mundshme dhe se cila do të ishte zgjidhja më e mirë arkitektonike për qendrën e Tiranës. Në këtë zhurmnajë, e vetmja që humbet është logjika dhe perspektiva e ndërtimit të një sheshi që të respektojë nevojat e qytetarëve, të ruajë morfologjinë e tij dhe të zgjidhë sfidat urbane që has sot kryeqyteti ynë.

2. Një referendum për sheshin do të ishte i nevojshëm, nëse vetë projekti i sheshit nuk do të kishte një karakter kaq teknik. Nuk besoj se qytetarët do të mund të shpreheshin për zgjidhje konkrete, pasi ato janë të shumta dhe të përbëra nga mjaft elementë. çështja mbetet ajo e para, kur nisi të konceptohet ideja për një qendër të re të Tiranës: A është ky projekti më i mirë për këtë pjesë të kryeqytetit? Personalisht kam më shumë se një dyshim në këtë pikë.

Abilekaj: Po përsëritet historia e “Zogut të Zi”, ku do fitojë më i forti

1. Konflikti për sheshin “Skënderbej” është një tjetër dëshmi e mungesës së përgjegjësisë politike dhe institucionale në vend. Nga njëra anë, Bashkia e Tiranës nuk i ka respektuar procedurat ligjore dhe ofron një shesh betoni me një kurorë të gjelbër simbolike dhe nga ana tjetër qeveria që bën sikur nuk e ka ditur ekzistencën e këtij projekti, pavarësisht se në media është diskutuar dhjetëra herë për të. Qeveria bënë sikur nuk e di problemin e trafikut të Tiranës, bën sikur nuk e di që Unaza e Vogël është kthyer tashmë në domosdoshmëri. Ky konflikt aty ka qenë, por priste afrimin e zgjedhjeve lokale që të shfaqej për publikun, si spektakli i “Zogut të Zi”. Rezultati i “Zogut të Zi” provohet çdo ditë nga qytetarët me trafikun dhe shëmtinë që ofron.
Edhe këtë radhë nuk duket ndonjë shenjë për kompromis, sepse thelbi i konfliktit nuk është për të mirën e qytetarëve, por për autorësinë e sheshit. Më i forti do të jetë autor i sheshit, domethënë ashtu si me “Zogun e Zi”, qeveria. Rezultati për qytetarët do të jetë i njëjtë.

2. Referendumi është i pamundur, kur nuk ka ndonjë projekt që të përkrahet nga qytetarët. Do të votohet politikisht dhe për këtë mjafton të merren rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Tiranë për të kuptuar si do të dalë referendumi. Qytetarët që nuk kanë votuar më parë, nuk kanë për të votuar, sepse nuk i frymëzon as projekti i bashkisë, që të paktën dihet, dhe as i qeverisë, që as nuk dihet si është, por mendohet një shatërvan me një lulishte modeste. Referendumi do të ishte i vlefshëm për të zgjedhur nëse duam gjelbërim dhe pak beton për t’u bërë qendra funksionale, apo beton për biznesin dhe pak gjelbërim për propagandë. Por, duke qenë se lufta nuk është parimore, edhe në këtë rast nuk ka përplasje mes së mirës dhe së keqes, por si gjithmonë përplasje mes dy të këqijave.

Lame: Politika arriti të politizojë çdo qelizë të jetës sonë

1. Gjykoj që një çështje mund të zgjidhet për sa kohë nuk është kthyer në një matje force. Në momentin që kthehet në e tillë, është shumë e vështirë që të gjendet një zgjidhje racionale. Duke qenë se çështja e sheshit “Skënderbej” është kthyer në çështje force dhe matje muskujsh midis dy faktorëve kryesorë të politikës, asnjëra prej tyre nuk do të donte ta quante çështjen të humbur. Kjo që po ndodh tani duhet të ishte diskutuar më përpara. Unë personalisht jam shprehur se jam pro studimit belg, këtij që po ekzekutohet. Nuk është vendi këtu për të hyrë te arsyet e pro-së, por mënyra sesi arriti politika shqiptare ta degradonte dhe ta degjeneronte edhe këtë çështje qartësisht jashtë politike, tregon për aftësinë e saj për të politizuar çdo qelizë të jetës shqiptare.

2. Për sa i përket çështjes së referendumit, jam i prirur të besoj se çështje të tilla që kanë të bëjnë me krijimtarinë nuk mund t’i nënshtrohen një referendumi popullor. çështja e projektit të Tiranës për mua është një çështje krijimtarie. Nuk mund të zhvillohet referendum për më tepër kur çështja është kthyer në një luftë mes palëve. Të dyja palët dhe njerëzit do të pozicionin që në fillim qartë, pa parë projektin. Ata do të pozicionohen thjesht, pro ose kundra Berishës apo Ramës, pra ndarja do të bëhet në të majtë dhe në të djathtë dhe nuk do të ketë një diskutim apo qëndrim për vetë projektin. Kjo gjë mund të ndodhte në fazën fillestare, kur ende palët nuk ishin pozicionuar dhe njerëzit ishin të qetë, pa pozicionim politik, e mund të logjikonin për projektin. Përveç kësaj, referendumi për projektin do të kishte vlerë në një vend ku kultura politike dhe ajo e qytetarit në përgjithësi do të ishte në atë shkallë që të kishte vleftën e një gjykimi normal.

çipa: Konflikti, një fatkeqësi për taksapaguesit shqiptarë

1. Një konflikt i buruar prej shkakut urban dhe i përdorur thellësisht dhe keqësisht për arsye politikëbërëse. Dy protagonistët e këtij konflikti, Kryeministri Berisha dhe kryebashkiaku Rama, po rikthejnë përdorimin e çështjeve të rëndësishme jetike dhe publike, në arsye për konfliktualitet. Në një mënyrë, përplasja e nisur për sheshin “Skënderbej” është riciklim i përplasjes së dikurshme për “Zogun e Zi”. Një përplasje që sipas të gjitha gjasave do të ketë kosto të rëndë financiare dhe që për të, sikundër edhe për rastin e “Zogut të Zi”, nuk do të penalizohet askush për faturën financiare. është një fatkeqësi për fondet dhe taksapaguesit shqiptarë, ajo që po ripërsëritet me politikën dypalëshe në vend, rastin aktual të sheshit. Të dyja palët kanë gjetur pakëz të drejtë në përballjen me njëra-tjetrën dhe po e përdorin atë për të thelluar kokëfortësish koston financiare, duke nxjerrë në plan të parë jo rëndësinë e faturës, por të sherrit dhe konfliktit mes tyre. Dekada më parë, në Greqinë fqinje, për një objekt me rëndësi dhe vlera muzeale në Athinë, u ngrit një stuhi e madhe reagimesh qytetare, duke u realizuar edhe një votim gjithëqytetar dhe triumfoi jo vendosmëria e dy palëve politike, por vendimi i specialistëve autonomë. Në rastin e sheshit “Skënderbej”, duket se kemi të bëjmë gati me shembullin reminishencial të dikurshëm në Athinë. Por gjasat janë që asgjë të ngjashme s’kemi për të pasur me athinasit e 20 vjetëve më parë. Kjo vetëm për arsye të politikës, e cila sipas të gjitha gjasave do ta përthellojë konfliktin dhe sjelljen primitive me këtë shesh. Kompromisi mes palëve mund të gjendet vetëm në risjelljen apo hapjen e një debati gjithëpërfshirës me ekspertë të arkitekturës dhe urbanistikës, të cilët të pohojnë mbështetjen apo refuzimin e projektit që ka nisur të zbatojë bashkia dhe që këmbëngul ta pengojë qeveria. Një ndërhyrje “të ftohtësh” dhe të papërcaktuarish në këtë rast, do t’i shërbente Tiranës së 100 apo 200 vjetëve të ardhshëm.

2. Shqiptarët nuk kanë administratë referendare, pasi ende nuk kanë dot një administratë zgjedhjesh. Në këtë vend ku dominon përvoja e provës së falsifikimit apo deformimit të vjedhjes, si të mos funksionojë prishja e referendumit?! Do të ishte mirë të aplikohej një konsultë e mirëpërgatitur dhe miradministruar me grupet e interesit, me urbanistët dhe arkitektët e shumtë në këtë vend, dhe pse jo edhe me ekspertë e studio kredibile europiane. Përdorimi i referendumit në këto kushte dhe në këtë moment konflikti, do të ishte një qëllim edhe më i keq se ai i nisuri deri tani.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›