Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” : Fiton LDK
Blerina Olldashi
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka dalë me rezultatet e preliminare të 29 komunave, të dala nga zgjedhjeve që u mbajtën më 15 nëntor. Nga këto të dhëna rezulton se janë 13 komuna ku do të ketë balotazh midis kandidatëve kryesorë. Sipas të dhënave, në Prishtinë ka fituar Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me mbi 56 për qind të votave. Pas tij vjen Vegim Gashi nga koalicioni AKR-LDD, me mbi 20 për qind të votave dhe i treti është radhitur Astrit Salihu nga Partia Demokratike e Kosovës, me mbi 11 për qind të votave. Në Gjakovë, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar 50.84 për qind të votave. Në Ferizaj, Bajrush Xhemajli nga Partia Demokratike e Kosovës, prin me mbi 51 për qind të votave.
Në Podujevë fitues rezulton Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me 51.91 për qind. Në Deçan ka fituar Rasim Selmanaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me mbi 63 për qind të votave. Në Graçanicë ka fituar Bojan Stojanoviç me 57.41 për qind të votave. Ndërsa në Drenas fitues mendohet të jetë Partia Demokratike e Kosovës me 89.36 për qind. Në Skënderaj, fituese është Partia Demokratike me 85.29 për qind, kurse në Shtime me 69.71 për qind. Në Kllokot ka fituar Partia Liberale Serbe.
Në Vushtrri, Partia Demokratike ka fituar 51.74 për qind. Në Kaçanik, Partia Demokratike me 55.84 për qind të votave. Në Fushë Kosovë, Lidhja Demokratike ka fituar 57.68 për qind të votave. Në Malishevë, Partia Demokratike ka fituar 50.09 për qind. Në Kamenicë, Partia Demokratike ka fituar 42.65 për qind. Në Mamushë ka fituar Partia Demokratike Turke me mbi 72 për qind të votave.
Balotazhet
Në Prizren, Rahovec, Gjilan dhe Lipjan, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike hyjnë në balotazh. Në Mitrovicë dhe Viti, Partia Demokratike gjithashtu hyn në balotazh me koalicionin AKR-LDD. Balotazh do të ketë edhe në Pejë, Obiliq, Suharekë dhe Klinë, midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Në Istog, Lidhja Demokratike hyn në balotazh me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në Shtërpcë, Partia Demokratike e Kosovës do të përballet në balotazh me Partinë Liberale Serbe. Në Han të Elezit ndërkaq, Partia Demokratike hyn në balotazh me një kandidat të pavarur.
Presidenti Sejdiu: “Zgjedhjet, një test i demokracisë”
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka përgëzuar qytetarët e Kosovës dhe partitë politike në Kosovë për një proces normal dhe demokratik të zgjedhjeve. Zgjedhjet e 15 nëntorit, sipas presidentit Sejdiu, janë një test i demokracisë për Kosovën, dhe një sinjal i mirë para bashkësisë ndërkombëtare. Duke falënderuar partitë politike për një fushatë të rregullt dhe demokratike, presidenti i vendit ka kërkuar që të njëjtën ta bëjnë edhe gjatë fushatës për balotazh. Po ashtu, Sejdiu ka falënderuar edhe komunitetin serb për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje.
Ndërkohë, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Sejdiu ka përgëzuar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë për punën e tyre që kanë bërë për një proces normal. Megjithatë, Sejdiu ka kërkuar nga KQZ-ja të jetë më e shpejtë në publikimin e rezultateve.
17 Nentor 2009