Pak: “Zgjedhjet, hap para drejt Europës”
Delegacioni vlerësues i Parlamentit Europian për ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë ka vlerësuar si pozitive mbarëvajtjen e procesit të votimeve dhe përgatitjet rreth tyre. Në një konferencë për shtyp, kryesuesja e këtij delegacioni, eurodeputetja Doris Pak vlerësoi punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën se si e ka menaxhuar këtë proces për herë të parë në Kosovën e pavarur dhe pjesëmarrjen, sipas saj, të lartë të votuesve në proces. “Duhet t’i përgëzojmë qytetarët e Kosovës, pjesëmarrjen mund të them të lartë dhe kjo tregon se ata e kanë kuptuar se duke qenë të pavarur, duhet të marrin përgjegjësi dhe t’i tregojnë botës se ata janë me të vërtetë të gatshëm të ecin përpara në rrugën europiane”,- ka thënë Doris Pak në konferencën për shtyp. Eurodeputetja europiane gjithashtu është shprehur se mbarëvajtja e zgjedhjeve do të jetë një arsye e fortë që Kosova duhet ta përdorë në llogari të veten kur kërkon njohjen nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë. Por ajo ka përjashtuar mundësinë e ndonjë lloji presioni që Brukseli të mund t’u bëjë këtyre shteteve për ta njohur Kosovën.
Dell: “Duhet të jeni krenarë për zgjedhjet”
Ambasadori i Shtetve të Bashkuara në Prishtinë, Kristofer Dell nëpërmjet një deklarate ka vlerësuar me nota të larta zgjedhjet lokale të së dielës në Kosovë, duke thënë se “Kosova dhe qytetarët e saj mund të jenë shumë krenarë për këtë proces”.
Votuesit e Kosovës, politikanët e saj, dhe zyrtarët të ngarkuar me organizimin, thuhet në deklaratë, i kanë treguar botës se “një Kosovë e pavarur është një vend ku demokracia mund të lulëzojë, dhe lulëzon”. Dell i shpreh mirënjohje numrit të madh të qytetarëve të Kosovës për të shkuar në votime dhe për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike. “Votat tuaja theksuan se një qytetari aktive dhe e angazhuar është jetike për një demokraci të shëndoshë”,- thotë Dell dhe i inkurajon që të mbeten të angazhuar kur fletëvotimet të numërohen dhe rezultatet të shpallen.
Gjithashtu Dell serbëve që votuan u shpreh mirënjohje për vendimin dhe guximin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa u shpreh mirënjohje partive politike dhe politikanëve që kanë bërë “fushata energjike dhe përgjithësisht pa incidente”.
17 Nentor 2009