Prangosen 2 trafikantë, po transportonin 93 kg drogë drejt Greqisë
GJIROKASTËR – Dy trafikantë kanë rënë në pranga duke transportuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Sektori Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin për Hetimin e Krimit, organizuan një operacion në aksin rrugor Jorgucat-Muzinë, ku u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: Mikel Aliko, 21 vjeç, banues në Lazarat Gjirokastër dhe Donald Aliko, 20 vjeç, banues në Lazarat Gjirokastër. Sipas tyre, dy kushërinjtë Aliko po transportonin një sasi prej 93 kg marijuanë me mjetet “Reno Clio”, me targë GJ 1222 B dhe “Benz” me targë greke IEN 5766. Në të dyja automjetet u gjetën dy çanta, ku në secilën prej tyre kishte nga dy pako të mëdha të mbështjella me letër natriban, ku pesha e tyre rezultoi gjithsej 93 kilogramë. Policia pohon se janë sekuestruar edhe 4 aparateve celularë që iu gjetën shtetasve të mësipërm. Në momentin e kapjes këta shtetas kanë kundërshtuar forcat e rendit, duke tentuar që t’i shmangen kontrollit. Gjatë tentativës së tyre për t’ia mbathur, automjetet e tyre janë përplasur me makinat e policisë. Dyshohet se lënda narkotike ishte e destinuar për t’u trafikuar në shtetin grek, ndërkohë vazhdojnë hetimet për gjetjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të këtyre shtetasve. “Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Gjirokastër”, - thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së shtetit. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, po vazhdon puna me prokurorinë për zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale dhe për të vënë nën hetim edhe persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike drejt vendit fqinj.
Rikthehen maskat me armë në Mat, grabitet fugoni i pasagjerëve
MAT - Rikthehen maskat e viti ‘97 që grabisin pasagjerët. Një fugon me targa të Tiranës ka rënë dje në mesditë pre e grabitësve të armatosur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në fshatin Vig të Martaneshit. Policia e Burrelit thotë se dy persona të maskuar me kapuç në kokë, kanë grabitur katër pasagjerët e fugonit që po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit, duke u marrë atyre shumat e parave që kishin me vete. Shuma e grabitur është rreth 100 mijë lekë të vjetër. Personat me maska kanë kërcënuar me armë dhe i kanë detyruar pasagjerët të dorëzonin të hollat që kishin me vete. Fatmirësisht në këtë ngjarje nuk ka asnjë të lënduar. Pasi morën paratë dhe sendet e çmuara të pasagjerëve, dy personat e maskuar u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke u shpëtuar prangave të policisë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
17 Nentor 2009