E Diel, 1 Nëntor 2026

Terror me armë në buzuk, nuk ka të ndaluar



TIRANË - Terror me të shtëna armësh dhe shantazh në mjediset e një lokali në kryeqytet, ku protagonistë dyshohet të jenë disa persona të dehur. Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së diel kur disa persona po dilnin nga ambientet e brendshme të buzukut, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në ajër. Burime nga policia thanë se dyshohet që personat ende të paidentifikuar që qëlluan me armë zjarri kishin konsumuar alkool në buzukun “Z...”. Ata kanë qëndruar për disa orë në buzuk, ku dyshohet se kanë nisur një sherr me disa persona të tjerë dhe më pas kanë dalë jashtë për të vazhduar sherrin. Sipas policisë, pavarësisht ndërhyrjes së truprojave të buzukut, të dyshuarit nuk kanë ngurruar të nxjerrin një pistoletë dhe ta zbrazin atë në ajër. Por, fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar. Para se të mbërrinin forcat e policisë pranë buzukut për të kapur autorët, ata ishin larguar në drejtim të paditur. Sipas policisë, në vendngjarje u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale katër gëzhoja, të cilat u dërguan për ekzaminime të mëtejshme. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprat penale të “prishjes së qetësisë publike” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Arrestohet 31-vjeçari, tentoi të vriste kushëririn e tij

TIRANË – Policia e Tiranës arrestoi një 31-vjeçar pasi tentoi të vriste kushëririn e tij. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në fshatin Picallë të Tiranës, ku shtetasi Alfons Dervishi tentoi të vriste me armë zjarri 44-vjeçarin Xhavit Dervishi. Burime nga policia thanë se mes dy personave nisi një konflikt kur pas fjalëve fyese të ndërsjella, 31-vjeçari ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar në drejtim të kushëririt të tij. I plagosuri u transportua në spital ku pas ndërhyrjes mjekësore arriti t’i shpëtonte rrezikut për jetën. Ndërkohë forcat e policisë të sinjalizuara për plagosjen mbërritën menjëherë në vendngjarje për të identifikuar dhe kapur autorin. Policia mundi të arrestonte autorin e dyshuar të ngjarjes Alfons Dervishi, i cili akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje” e mbetur në tentativë dhe të “prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe e municioneve”.

Arrestohet, aksidentoi me vdekje të moshuarin

PËRRENJAS – Drejtuesi i një mjeti është prangosur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi ka aksidentuar me vdekje një të moshuar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se sot, në orën 01:30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Albert Dylber Horanlliu, 41 vjeç, lindur në Korçë e banues në Lagjen Nr. 1 në Tiranë. Sipas tyre, ndalimi i Horalliut u bë pasi duke drejtuar automjetin në pronësi të tij tip “Volkwagen”, me targë TR 9933 P, në aksin rrugor Qafë Thanë-Përrenjas, te kthesa e fshatit Katjel, ka aksidentuar me pasojë vdekjen e shtetasit Veli Çuku, 67 vjeç, lindur e banues në fshatin Rrajcë të Librazhdit. Viktima ka qenë duke ecur në këmbë në krah të rrugës kombëtare kur është përplasur me mjetin. “Nga ana jonë, në vendngjarje u dërgua grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore si dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit”, - thonë burimet policore në Elbasan.

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›