Ministria e Shëndetësisë së shpejti do të ketë gati bazën ligjore me të cilën do t’u njihen të drejtat pacientëve. Karta e Pacientit mungon prej vitesh në vendin tonë, ndërsa diskutimet që janë bërë m
TIRANË – Një rrjet i trafikimit të antikuarëve, ku janë të përfshirë edhe zyrtarë të trashëgimisë kulturore, është zbuluar nga policia, e cila ka prangosur tre persona në qytetin e Beratit. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se dy ditë më parë kanë organizuar operacionin e koduar me emrin “Onufri”, duke arrestuar Sami Starovën, 63 vjeç, me detyrë përgjegjës i Muzeut Etnografik në Berat, djali i tij, Mireli, 30 vjeç, si dhe shtetasi Bujar Dine, me shtetësi shqiptaro-turke, me vendbanim në Stamboll. Aktiviteti i personave të mësipërm është vënë nën shënjestrën e policisë, e cila ka arritur të sigurojë të dhëna se ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, trafikonin jashtë vendit, kryesisht drejt Turqisë, objekte me vlera të rralla kulturore.
Zanafilla
Sami Starova, i njohur si tregtar antikuarësh, para disa kohësh është rikthyer në krye të Muzeut Etnografik të Beratit. Burime për gazetën bëjnë të ditur se bashkë me të birin, Mirelin, më parë janë marrë me shitjen e objekteve të rralla. Madje ata kanë një dyqan në qytetin e Beratit. Rikthimi në krye të Muzeut e ka favorizuar biznesin e familjes Starova, ndonëse në konflikt interesi, që të shtonte biznesin e tij. Në bashkëpunim me shqiptaro-turkun Bujar Dine kanë marrë disa objekte, të cilat, zyrtarisht thuhet se janë origjinale, për t’i tregtuar jashtë vendit. Por këto lëvizje kanë qenë në shënjestër të hetimit policor.
Operacioni
Pas mbajtjes në vëzhgim, pasditen e së dielës policia organizoi operacionin e koduar me emrin “Onufri”, duke çuar në pranga Sami Starovën dhe djalin e tij. Po ashtu, është arrestuar edhe anëtari tjetër i grupit të trafikimit të objekteve, Bujar Nuredini, i cili shërbente si ndërmjetës për gjetjen e klientelës. Operacioni u organizua nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin për Hetimin e Krimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së qarkut Berat dhe Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Berat. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale monedha të ndryshme, dy statuja prodhim në qeramikë dhe gur, disa ikona dhe piktura të vjetra, që konsiderohen trashëgimi kombëtare. Burime për gazetën bëjnë të ditur se statujat e qeramikës dhe ikonat janë origjinale, ndërsa objektet e tjera mund të jenë riprodhime. Sipas burimeve policore, “po vazhdojnë hetimet për gjetjen e bashkautorëve të mundshëm, ndërkohë materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Berat”, - thonë burimet zyrtare. Policia e Shtetit njofton se objektet e sekuestruara dyshohet se do të trafikoheshin jashtë vendit.
Që nga viti 1990 dhe deri sot, shumë prej objekteve të rralla të trashëgimisë kulturore dhe janë grabitur nga muzetë tona, janë trafikuar jashtë vendit. Ndonëse Ministria e Kulturës ka një qendër të specializuar për regjistrimin e objekteve të rralla, sërish në listat e muzeve rezultojnë me mijëra objekte të zhdukura.
Një statujë e gjetur në Itali u kthye në atdhe falë ndihmës së futbollistit të njohur Igli Tare. Po ashtu, një vit më parë, statuja e Asklepios u kthye nga autoritetet greke në Shqipëri, pasi ishte grabitur në kohën e trazirave në vitin 1997. Në Ministrinë e Brendshme ka një strukturë të posaçme për të parandaluar trafikimin e antikuarëve, por shumë pak prej objekteve të zhdukura deri në vitin 2005 kanë arritur që të rikthehen nëpër muzetë tona.
TË ARRESTUARIT
Mirel Starova, 30 vjeç, banues në Berat
Bujar Dine, 41 vjeç, lindur në Fier, me shtetësi shqiptaro-turke
Sami Starova, 63 vjeç, nga Berati, përgjegjës i Muzeut Etnografik Berat
17 Nentor 2009