Analiza, Topi njihet me gjendjen e ushtrisë
Tiranë - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim pune me ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe me ekipin amerikan që asiston Forcat tona të Armatosura në procesin e modernizimit të tyre, të përbërë nga zoti Lui Boros, majori Leri Herison dhe zoti Gregori Kanata. I pranishëm në këtë takim pune ishte dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtënant Luan Hoxha, bënë të ditur burime të Zyrës së Presidentit. Presidenti Topi u informua me detaje të hollësishme për gjendjen më të fundit të infrastrukturës së ushtrisë shqiptare, si dhe me disa prej vlerësimeve dhe rekomandimeve të specialistëve amerikanë, që po bashkëpunojnë me Ministrinë e Mbrojtjes për transformimin e ushtrisë shqiptare në një Forcë të Armatosur profesioniste sipas standardeve të NATO-s. Kreu i shtetit dhe njëkohësisht komandanti i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë shprehu mirënjohjen për ndihmesën e konsiderueshme dhe profesionale të specialistëve amerikanë në drejtim të reformimit të ushtrisë shqiptare. Presidenti Topi theksoi se pas marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO, Forcat tona të Armatosura po punojnë edhe më të angazhuara për modernizimin e tyre, rritjen e kapaciteteve operative dhe vazhdimin e dhënies së kontributit në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
16 Prill 2008