E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet oficeri gjyqësor që akuzohet për vdekjen e Tahirllarit

Lorenc Balliu iu dorëzuan drejtësisë shqiptare nga agjentët amerikanë. Historia makabre që ndodhi në qelitë e paraburgimit të Korçës më 3 janar 2003

Laureta Rryçi

Tiranë - Ish-oficeri i Policisë së Korçës, i dënuar 5 vjet më parë me 16 vjet burg si shkaktar i vdekjes së një të shoqëruari, u ekstradua dje nga SHBA-të, ku ai fshihej për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thanë dje se “hetuesit e Policisë së Emigracionit dhe Doganave të SHBA-ve (ICE) dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ekstraduan të martën në Shqipëri ish-oficerin e Policisë së Korçës, Lorenc Balliu, 32 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje”.
Ekstradimi
Gjatë dorëzimit të ish-oficerit gjyqësor në aeroportin "Nënë Tereza" ishin të pranishëm zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimeve, kryekomisar Agron Kuliçi, shefi i Zyrës Rajonale të Sigurisë në Ambasadën Amerikane, Patrick Leonard dhe Jason Manyx, përfaqësuesi i përkohshëm i Agjencive të Zbatimit të Ligjit për Emigracionin, Kufirin dhe Doganat. Hetuesit Kriminalë të Policisë së Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ekstraduan në Tiranë për t’u përballur me drejtësinë shqiptarin e arratisur dhe njëkohësisht ish-oficerin e Policisë Shqiptare, Lorenc Balliu, 32 vjeç. Ky rezultat nuk do të ishte arritur pa ndihmën e ZQK-së të Interpol Tiranës.
Ngjarja
Sipas burimeve, Balliu akuzohet si shkaktar i vdekjes së shtetasit Gazmend Tahirllari, ngjarje kjo e ndodhur në 3 janar të vitit 2003 në fshatin Goskovë të rrethit të Korçës. Viktima po shoqërohej me automjetin e policisë për në Komisariatin e Korçës kur u godit me shkelm nga Balliu, atëherë me detyrë oficer policie.
Nga informacionet e policisë rezulton se më 17 mars të vitit 2003, ish-oficeri i Policisë Gjyqësore, Lorenc Balliu, u dënua me 16 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës. Këtë vendim la në fuqi edhe Gjykata e Apelit më 15 korrik të po atij viti dhe Gjykata e Lartë.

Dënimi

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendim numër 82, datë 17.03.2003, e ka dënuar shtetasin Lorenc Balliu me 16 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Me Vendimin numër 86, datë 15.07.2003, Gjykata e Apelit Korçë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit numër 82/03 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë. Kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të Gjykatës së Apelit Korçë është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila me Vendimin numër 63, datë 30.01.2004 ka vendosur mospranimin e rekursit.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›