Komuna Dajt, abuzime me projektet e urbanistikës
Skandali i abuzimit me ndarjen e tokave preferenciale dhe me projektet urbanistike të zbuluara nga raporti më i fundit i KLSH-së, nuk ka lënë pa prekur as komunën e Dajtit në Tiranë. Shkeljet financiare të konstatuara në dëm të ekonomisë janë në vlerën e përgjithshme në këtë komunë në shumën e 148 milion e 852 mijë e 528 lekëve. Në komunën e Dajtit, KLSH-ë ka konstatuar abuzime kryesisht me buxhetin e shtetit si pasojë e mospagimit të 1 për qind të vlerës së investimit për financimin e studimeve urbanistike që bien ndesh me ligjin nr. 8405, datë 25.07.1998, “Për urbanistikën”, e që kap shumën e 136.978.665 lekëve. Po kështu abuzime janë konstatuar edhe në tejkalimin e shpenzimeve në telefoninë celulare, si dhe në dhënien e shpërblimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi nga ana e komunës Dajt, dëm i cili ka shumën e 1.734.831 lekëve. Gjithashtu edhe nga mosvjelja e taksave për ndërtesën dhe taksës për tokën bujqësore është shkaktuar dëmi në vlerën 8.528.758 lekësh. Në të njëjtin raport të KLSH-së konstatohet se ish-komisioni i tokës në Linzë ka dhënë në pronësi një sipërfaqe prej 35.350 metër katror tokë sado që kjo figuronte si zonë pyjore.
16 Prill 2008