E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: “Kriza e çmimeve e trashëguar nga 2007-a”



Rritja e çmimeve është në vijimësinë e një viti më parë, ku si rezultat i rritjes së çmimeve për drithërat, naftën, dhe vajin në tregjet ndërkombëtare mori goditje edhe tregu vendas. Sipas analizave të Bankës Botërore, vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore po përballen me ritme më të ulëta të zhvillimit ekonomik si rezultat i rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Ata këshillojnë qeveritë e këtyre vendeve ku bën pjesë edhe Shqipëria se, rritja e çmimeve të ushqimeve mund të kërkojë asistencë sociale më të lartë për të ndihmuar të varfrit. Megjithëse rritja e GDP-së vazhdon të jetë e fortë në Rajon, ajo pritet të bjerë nga 7.6 për qind në vitin 2007, në 6.1 për qind në vitin 2008, ose më shumë nën dritën e zhvillimeve në tregjet financiare botërore. Çmimet e artikujve ushqimorë dhe energjisë janë rritur muajt e fundit dhe janë shoqëruar me rritje të inflacionit. Inflacioni nga rritja e çmimeve të ushqimeve ndryshon midis vendeve, duke u rritur nga viti 2006 në vitin 2007 nga 5.6 në 13.8 për qind në vendet e reja anëtare të BE-së dhe nga 6.5 në 20.3 për qind në vendet me të ardhura mesatare të Komonwelthit.

Ecuria e viteve të fundit

1. Çmimi i grurit në tregun ndërkombëtar në tre vitet e fundit është rritur me 181%

2. Çmimet e ushqimeve në tregun ndërkombëtar vlerësohet se janë rritur me 83%

3. Çmimet e bulmetrave në tregun botëror janë rritur gjatë vitit të kaluar me 80%

4. Çmimet e ushqimeve në vendet e Evropës lindore u rritën vitin e kaluar me 14%

5. Në Shqipëri çmimet e ushqimeve u rritën me 5.4% vitin e kaluar dhe me 7% këtë vit

II//////////
Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në muajin mars

Kivi 16.9 %

Mollët 5.4 %

Portokaj 4.4 %

Banane 3.7 %

Lulelakra 31.4%,

Lakra 24.6 %

Domate 10.5%

Vaji 0.5 %

Drithërat 0.5 %

Peshku 1.2 %

Lëndë djegëse dhe energji 3.8%

Biletat e transportit 0.8 %

Nafta 1.4 %

Benzina 0.5 %

Pastrimi i parave, projektligj për kontrollin e transaksioneve

Ndryshimet në projektligjin, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit", synojnë forcimin e masave për subjektet raportuese të transaksioneve të vlerave monetare. Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi, tha dje në komisionin parlamentar të Ekonomisë, se projektligji parashikon shtimin e numrit të subjekteve që do të kontrollohen. Në subjektet raportuese pranë autoritetit përgjegjës të këtij kontrolli, do të përfshihen edhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, bursat dhe çdo subjekt tjetër që ushtron veprimtari për emetimin, këshillimin, ndërmjetësimin, financimin dhe çdo shërbim tjetër që ka lidhje me tregtimin e titujve. Ndryshimet përfshijnë edhe agjentët e pasurive të paluajtshme dhe ekspertët e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit, dhe Integrimit të Zonave Informale, si dhe çdo person fizik apo juridik, që ka veprimtari në procedura apo ankande të sendeve me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 1.500.000 lekë.

Karburantet, vazhdon rekordi i çmimit në tregun vendas

Çmimi i karburanteve në tregun vendas ka nisur rritjen që prej dy ditësh dhe dje një litër naftë diezel "D1" u shit në tregun e pakicës me 154 lekë, duke arritur barazimin me çmimin e benzinës. Kjo vlerësohet si rritja më e madhe me 35 për qind, pasi brenda 5 ditëve, ajo arriti deri në 154 lekë/litri. Vetëm një javë më parë, çmimi i hidrokarbureve në tregun vendas luhatej nga 140-145 lekë/litri. Ndërsa në fillim të vitit 2007, një litër naftë "D1" në tregun vendas të pakicës kushtonte 115-120 lekë/litri. Importuesit e karburanteve ia faturojnë këtë rritje bursave botërore, të cilat u tronditën ditët e fundit nga rritja e radhës, e ndikuar më shumë nga ulja e valutës amerikane. Gjatë vitit 2007, u zhdoganuan rreth 413.336 ton karburante, nga 337.404 ton të zhdoganuara në vitin 2006, me një rritje prej 55.932 ton, ose 16 për qind më shumë se në vitin 2006. Gjatë dy muajve të parë të vitit 2008, u importuan 58.154 tonë karburant, me një rënie prej 7 për qind më pak, se e njëjta periudhë e vitit 2007. Këta tregues flasin për një ulje të importit të karburanteve nga tregtarët, të cilët duke pasur rezerva në depozitat e tyre, ulën sasitë e importit. Në tregun vendas vazhdon të përsëritet e njëjta histori, ku tregtarët e reflektojnë rritjen e çmimit të karburanteve menjëherë sapo rritet në bursat botërore dhe nuk e ulin atë kur ndodh e njëjta gjë në tregjet e huaja. Vetëm në ditët e para të viti 2008, çmimet e karburanteve në tregjet shqiptare nuk pësuan ndryshim, ku një litër naftë eurodiezel u shit me 140-145 lekë/litri, ndërsa nafta vendase me 130-135 lekë/litri.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›