E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza, bie numri i vrasjeve

 

Dashamir Biçaku

Policia e Shtetit në analizën e saj të punës për vitin 2008 tha se janë regjistruar 18 vrasje më pak se një vit më parë.    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se shifrat e vrasjeve të ndodhura gjatë vitit 2008 përbëjnë minimumin historik për Shqipërinë. Sipas analizës, viti që po lëmë pas shënoi më pak vrasje edhe në krahasim me vitet paraardhëse 2005 dhe 2006. Sipas Prençit, gjatë këtij viti është ulur numri i vrasjeve në vetëm 85 të tilla, shifra më e ulët kjo që nga viti 1991. Në prezantimin e rezultateve të punës u vu re se janë raportuar afërsisht 13500 vepra penale për gjithë vitin, nga të cilat janë zbuluar 11 mijë prej këtyre krimeve. Kreu i policisë tha se Krimet e Rënda në veçanti dhe ato ndaj personit janë zbuluar në masën 95 për qind. Për këtë vit, janë zhvilluar 152 operacione policore, duke arrestuar 568 persona. Ndër operacionet më të suksesshme, kreu i policisë përmendi ato në drejtim të Luftës ndaj Krimeve të Rënda, Antidrogës dhe Antikorrupsionit. Pjesa më e mirë e këtyre operacioneve janë organizuar dhe kryer nga seksionet e posaçme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në analizën e djeshme nuk mbeti pa përmendur lufta ndaj drogës. “Gjatë këtij viti janë sekuestruar në Itali vetëm 4 kg marijuanë të mbërritur nga Shqipëria dhe një sasi prej vetëm 10 kg heroinë”, tha Prençi.
Kryeministri
Pas prezantimit të rezultateve të punës së policisë, Kryeministri Berisha ka folur me tone pozitive por ka vënë në dukje edhe disa mangësi. Kryeministri e cilësoi të pa tolerueshëm fenomenin e mbjelljes së kanabisit në zona si ajo e Lazaratit, duke kërkuar që goditjet e këtij fenomeni të jenë të vazhdueshme. Berisha kërkoi që kjo situatë të marrë fund dhe që kultivimi i drogës të mos goditet vetëm në periudhën e kultivimit, por gjatë gjithë vitit. Berisha kërkoi që të mos tolerohen komunarët dhe policët e qarqeve ku mbillet droga. “Nëse na e kërkoni, ne mund të bëjmë fotografimin ajror të zonave të dyshuara”, tha kryeministri. Më tej, ai tha se ka marrë fund koha kur efektivët e policëve nxirreshin në pritë nga kolegët e tyre. Berisha tha se një pjesë e sektorit të ndërtimit është e infektuar nga pastrimi i parave dhe kërkoi goditje nga policia në këtë drejtim. Kryeministri vuri në dukje luftën në rritje kundër korrupsionit, duke e konsideruar atë si fenomenin më të rrezikshëm për një demokraci, kërkoi vazhdimin e luftës me tolerancë zero ndaj këtij krimi.

Kriminaliteti gjatë vitit 2008

•    Vepra penale    13426
•    Vepra të zbuluara    10858.
•    Më shumë se ‘07    2938
•    Krimet ndaj personit    95 %
•    Operacione policore    152
•    Të arrestuar    568
•    Operacione kr/e rënda    43
•    Të arrestuar    101
•    Operacione anti-korrupsion    40
•    Të arrestuar    198
•    Operacione droge    40
•    Të arrestuar    172
•    Operacione anti-trafik    29
•    Të arrestuar    97
•    krime ndaj personit    702

Korrupsioni, Berisha vlerëson ndëshkimin e policëve

TIRANE – Kryeministri Berisha në fjalën e tij dje gjatë analizës së policisë vlerësoi punën e bërë në drejtim të ndjekjes penale të ndëshkimit të uniformave blu që janë implikuar në abuzime. Duke e konsideruar këtë si betejën më të vështirë, kreu i Qeverisë u tha zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme e policisë “ju përgëzoj që në këtë betejë keni dëshmuar se betejën e parë e keni me veten tuaj. Kjo është mënyra e duhur, sepse vetëm kështu mund të fitoni beteja të tjera. Gjatë këtij viti, një numër jo i vogël i vetë punonjësve të policisë, por një numër më i madh sesa në institucione të tjera, është penalizuar për veprimtari të padenja për uniformat tuaja. Ju duhet ta konsolidoni më tej këtë betejë. Unë ju inkurajoj ta zhvilloni edhe më tej këtë betejë, sepse në këtë mënyrë do të mund të përmbushni shumë më mirë misionin tuaj”, tha kryeministri. Ndërkaq, sipas të dhënave, mësohet se gjatë këtij viti janë dërguar për ndjekje penale nga SHKB 202 punonjës policie ndërsa 34 të tjerë janë vendosur në pranga për veprimtari të kundraligjshme, deri pjesëmarrje në banda kriminale.  

Kryeministri

“Kujdes me zgjedhjet, zbatoni ligjin”
TIRANE – Gjatë analizës së djeshme të Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë iu referua edhe procesit zgjedhor, duke qenë se jemi në hyrje të një viti kur do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. “Kryeministri vuri në dukje edhe një aspekt shumë të rëndësishëm të punës së policisë së shtetit, që lidhet me procesin zgjedhor”, thanë burimet Qeveritare. Sipas tyre, Berisha është shprehur në analizën e policisë se “ky është një vit zgjedhjesh dhe ju keni dy detyra të mëdha; detyra e parë është të forconi disiplinën dhe vendosmërinë dhe të mos lejoni që krimi të krijojë ndonjë iluzion dhe të mendojë se strukturat e shtetit tashmë po merren me zgjedhjet. Ju keni si detyrë ruajtjen e rendit, qetësisë, luftën kundër kriminalitetit”. Ai i bëri apel policisë të vazhdojë e të konsolidojë traditën e mirë të menaxhimit të zgjedhjeve që është krijuar vitet e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›